KryesoreLajme

Kërkohet një muaj paraburgim për arsimtarin e dyshuar për bashkëpunim me BIA-n

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata t’ia caktojë masën e paraburgimit prej një muaji Fehim Salit, i dyshuar për veprën penale “Spiunazhi”. 

Seanca dëgjimore ndaj të pandehurit Sali, ka nisur nga ora 09:00. Sali i cili u arrestua mëngjesin e së enjtes, në pikën kufitare në Merdar teksa po kalonte në Serbi pas orës 7 të mëngjesit. Ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarë të kësaj agjencie. 

Lexo më shumë  NATO sheh përmirësim të sigurisë në Kosovë

Pas arrestimit, Policia dhe Prokuroria Speciale ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në Dragash, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale. Sali punonte si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në fshatin Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar për dy mandate në Këshillin Konsultativ për Komunitete brenda Presidencës së Kosovës.

Nga pozita në Këshillin Konsultativ për Komunitete ishte shkarkuar në vitin 2024.

E në mars të vitit 2021, KOHA pati raportuar se Fehim Sali ishte suspenduar nga puna e tij si mësues në shkollën fillore “9 Maji”, pasi kishte shpallur kandidaturën në listën e subjektit goran “Zajeno”.

Lexo më shumë  Zyba: Duam të shmangim zgjedhjet e reja, duhet marrëveshje për presidentin para formimit të qeverisë

Siç kishte deklaruar Sali, ai kishte marrë kërcënime dhe ishte përballur me presion nga subjekti tjetër goran, JGP, që, sipas tij, gëzonte mbështetje të strukturave paralele në Dragash, si dhe të Listës Serbe.

Për ato kërcënime e kishte përmendur edhe emrin e ish-deputetes së Listës Serbe, Jasmina Dediq.

YouTube player