Lajme

Kërkohet ngritje e një Komisioni Parlamentar që të hetojë çmimin e karburanteve në Shqipëri

Buxheti i qytetarëve shqiptarë po rëndohet si pasojë e rritjes rekord të çmimit të karburanteve ndërkohë që Konfindustria ka fajësuar politikat shtetërore për këtë fenomen. Në një deklaratë për medien Konfindustria kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili do të hetojë shkaqet dhe rolin e institucioneve shtetërore dhe rregullatore ndërkohë që paralajmërohet se nëse politikat nuk ndryshojnë rritja e çmimeve do vijojë.

Konfindustria fajëson politikat shtetërore për rritjen e çmimit të karburanteve dhe energjisë elektrike në nivele që kanë arritur në rekord historik. Për t’ju përgjigjur kësaj situate administratori Gjergj Buxhuku kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e shkaqeve të rritjes së çmimeve dhe rolin e munguar të institucioneve ekzekutive dhe rregullatore përgjegjëse.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Krijimi i Komisionit Hetimor Parlamentar shihet si I  domosdoshëm në kushtet kur politikat ekzekutive dhe të agjencive rregullatore në tregjet e karburanteve dhe energjisë elektrike kanë dështuar.

Drejtuesi i Konfindustrisë vlerëson se janë përplasjet politike ato që e kanë lënë të papërfaqësuar mbrojtjen e interesit publik edhe në çështje me rëndësi thelbësore, sikurse është edhe kriza e karburanteve dhe energjisë elektrike.

Sipas Buxhukut, shtrenjtimi i naftës, gazit e benzinës i shtohet krizës së energjisë duke shkaktuar pasoja afatgjata tek qytetarët dhe ekonomia kombëtare.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se rritja e njëkohshme dhe e përsëritur e çmimeve është tregues i qartë i pranisë së karteleve, monopoleve dhe oligopoleve në tregun më të madh të vendit me mbi 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe afër 1.5 miliard dollarë qarkullim vjetor.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Për Konfindustrinë situata paraqitet e njëjtë edhe në tregun e energjisë elektrike për shkak të keqmenaxhimit të vazhdueshëm të KESH gjatë vitit 2021 dhe në vazhdim.

Në reagimin e tij, administratori Gjergj Buxhuku bën me dije se në rast se politikat e deritanishme shtetërore nuk ndryshojnë çmimet e karburanteve dhe energjisë rrezikojnë të rriten më tej.

Rruga Press

YouTube player