Lajme

Keranov: Integrimi i Kosovës është kyç për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Kryetari i Institutit të Shkencave Politike në Varna të Bullgarisë, Dimitar Keranov, ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke vlerësuar se stabiliteti i Kosovës dhe integrimi i saj evropian janë faktorë kyç për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Në një analizë të përqendruar te demokracia, kapja e shtetit dhe ndikimi rus e kinez në Evropën Qendrore dhe Lindore, Keranov theksoi se marrëdhëniet mes Sofjes, Tiranës dhe Prishtinës janë të veçanta në rajon, pasi nuk rëndohen nga mosmarrëveshje territoriale apo konflikte historike.

“Marrëdhëniet e Bullgarisë me Shqipërinë dhe Kosovën janë unike në Ballkan. Ato nuk janë të ngarkuara nga mosmarrëveshje territoriale, pretendime historike konkurruese apo konflikte dypalëshe. Kjo i jep Sofjes, Tiranës dhe Prishtinës hapësirë politike për bashkëpunim që është i rrallë në rajon”, shkroi Keranov.

Ai rikujtoi se Bullgaria e njohu pavarësinë e Kosovës më 20 mars 2008, ngriti më pas zyrën ndërlidhëse në Prishtinë në nivel ambasade dhe ka mbështetur vazhdimisht pjesëmarrjen e Kosovës në organizata dhe forume rajonale e ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Pamje apokaliptike nga Fier-Vlorë, tymi pushton autostradën

Sipas tij, një Kosovë e qëndrueshme dhe demokratike është pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Keranov vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, duke theksuar se ato mbështeten në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 1993, si dhe në njohjen nga Shqipëria të pakicës bullgare përmes ligjit për pakicat kombëtare të miratuar në vitin 2017. Sipas tij, ky kuadër krijon bazë ligjore për mbrojtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës bullgare.

Ai argumentoi se zhvillimet aktuale krijojnë mundësinë që këto marrëdhënie pozitive të shndërrohen në një partneritet më të strukturuar dhe strategjik.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Keranov tha se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova ndodhet në një fazë tjetër të procesit, pasi aplikoi për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.

Lexo më shumë  Revista amerikane: Protesta më e madhe pas rënies së komunizmit kërcënon seriozisht pushtetin e Edi Ramës

Ai theksoi se aplikimi i Kosovës ende pret që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian hartimin e një opinioni, hap i domosdoshëm për avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit.

Megjithatë, Keranov e cilësoi liberalizimin e vizave, që u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen që nga janari i vitit 2024, si një arritje të rëndësishme në rrugën evropiane të vendit.

“Bullgaria nuk duhet t’i trajtojë Shqipërinë dhe Kosovën si një çështje të vetme politike. Shqipëria është një vend kandidat që po hyn në fazën më të vështirë të pranimit, ku përputhja me rregullat e BE-së duhet të shoqërohet me kapacitete administrative, institucione efektive dhe zbatim të besueshëm”, tha ai.

Rruga Press

YouTube player