KryesoreLajme

KE kujtohet me vonesë: Po e përcjellim rastin e Sanduloviqit! Asnjë denoncim nga BE për Serbinë

U deshën plot 5 ditë që faktori ndërkombëtar të japë një sinjal për dhunimin barbar të politikanit serb, Nikolla Sanduloviqit. Edhe pse me vonesë, ku qasja së paku do duhet të ishte me gjuhë më të ashpër ndaj autoriteteve serbe, Komisioni Evropian ka dhënë këtë  të martë një deklaratë zyrtare për opozitarin e dhunuar e të burgosur, i cili s’bëri gjë tjetër veçse kërkoi falje për të shkuarën e errët dhe krimet serbe ndaj Kosovës.

Në një deklaratë për median e Kosovës, “Koha.net”, zëdhënësia e Komisionit Ana Pisonero është shprehur se janë në kontakt me autoritetet përkatëse dhe se po ndjekin rastin.

Ajo çka në fakt vlen për t’u theksuar në të gjithë këtë histori është se vetë autoritetet janë autorët e këtij makabriteti dhe se thuajse asnjë prej mediave kryesore në Serbi nuk e ka raportuar ngjarjen.

“Kemi parë raportime në lidhje me paraburgimin dhe keqtrajtimin e supozuar të Sanduloviq. Po e ndjekim nga afër këtë rast dhe jemi në kontakt me autoritetet përkatëse dhe palët e interesuara. Është e rëndësishme që të kemi qartësi të plotë të fakteve rreth këtij rasti. Presim që të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen. Çdo ndalim duhet të bazohet në dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale dhe çdo pretendim i besueshëm për dhunë duhet të ndiqet efektivisht nga autoritetet kompetente”, ka deklaruar Pisonero.

Kjo përgjigje, me tone të zbutura ndaj Serbisë, në një kohë kur vajza e politikanit opozitar rreket të gjejë media në Shqipëri të denoncojë për të atin, tregojnë shumë për autokracinë e Serbisë, ashtu siç evidentojnë se qartazi mungon retorika e duhur nga BE karshi Beogradit.

Lexo më shumë  Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konflikteve në Ballkan

Çfarë ka ndodhur me politikanin serb Nikolla Sanduloviqin:

Një akt fisnik i Nikolla Sanduloviqin i cili nderoi heroin e Kosovës Adem Jasharin në Prekaz i ka kushtuar shumë politikanit serb. I njohur për kritikat e tij nga Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, opozitari kërkoi ndjesë për gjenocidin e bërë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Por drejtësia siç e dimë, funksionon ndryshe në Serbi. Sanduloviqi u zhduk pa lënë gjurmë për një ditë e gjysmë duke shkaktuar ankth e shqetësim të familjarët e tij dhe u kthye në banesë i dhunuar barbarisht dhe i paralizuar. Nuk mjaftoi kjo, por autoritetet serbe “krijuan” edhe një masë paraburgimi me 30 ditë nën akuzën e “vendosjes së luleve te varri i Blerina Jasharit, vogëlushes së vrarë në vitin 1998″ akuzë të cilën e interpretojnë si nxitëse të urrejtjes.

Lexo më shumë  Qeveria e re e Serbisë, komenton Biserko: Po shkon drejt izolimit

Çfarë thotë e bija, Klara Sanduloviq:

Klara Sanduloviq rrëfeu në një intervistë të Euronews Albania se gjendja shëndetësore e babait të saj është shumë e rëndë dhe se dyshon se mund ta vrasin në burg. E shqetësuar Klara Sanduloviq tregoi ekskluzivisht në një media shqiptare të vërtetën e fshehur nga mediat në Serbi. Klara Sandulviq ka akuzuar Presidentin Vuçiq si dhe aleatin e tij Radoiçiqin, protagonistin e sulmit famkeq në Banjskë.

Kujtojmë se deri në këto momente nuk ka patur asnjë reagim nga faktori ndërkombëtar mbi rastin në fjalë.

YouTube player