Katër fakte që e shpjegojnë konfliktin Rusi-Ukrainë
Washington Post
Konflikti që po zhvillohet midis Rusisë dhe Ukrainës është një konflikt i shënuar nga kufijtë tokësorë dhe i formuar nga ndikimi strategjik. Moska e sheh Ukrainën si një tampon të rëndësishëm ndaj Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, ose NATO-s. Ukraina e sheh Rusinë si një agresor që tashmë ka pushtuar pjesë të territorit ukrainas.
Këtu janë katër fakte që ndihmojnë në shpjegimin e rrënjëve të thella të konfliktit dhe se ku qëndrojnë gjërat tani.
Si janë të lidhura historikisht Rusia dhe Ukraina?
Lidhjet historike datojnë që në shekullin e 9-të, kur një grup njerëzish të quajtur Rus e zhvendosën kryeqytetin e tyre në Kiev – një trashëgimi që Presidenti Vladimir Putin shpesh e përdor kur argumenton se Ukraina është e lidhur me Rusinë.
Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik derisa shpalli pavarësinë në gusht 1991.
Ajo shërbeu si një pjesë strategjike e Bashkimit Sovjetik, me industri të madhe bujqësore dhe porte të rëndësishme në Detin e Zi.
Lidhja historike e këtyre dy vendeve është ende retorikisht e pranishme në këto tensione. “Kam besim se sovraniteti i vërtetë i Ukrainës është i mundur vetëm në partneritet me Rusinë”, shkroi Putin në muajin korrik. “Së bashku kemi qenë dhe do të jemi shumë herë më të fortë dhe më të suksesshëm. Sepse ne jemi një popull”.
Pse i intereson Putinit nëse Ukraina i bashkohet NATO-s?
NATO u themelua në vitin 1949 për t’u mbrojtur kundër agresionit sovjetik. Që atëherë, aleanca është zgjeruar në 30 vende, duke përfshirë ish-republikat sovjetike të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë. Traktati thotë se nëse një shtet anëtar pushtohet ose sulmohet nga një palë e tretë, të gjitha shtete në NATO do të mobilizohen kolektivisht për mbrojtjen e tij.
Kremlini po kërkon garanci nga NATO se Ukraina dhe Gjeorgjia – një tjetër ish Republikë Sovjetike të cilën Rusia pushtoi shkurtimisht në vitin 2008 – nuk do t’i bashkohen aleancës. Administrata e Biden dhe aleatët e NATO-s thonë se Putini nuk mund t’ia mohojë Ukrainës këtë të drejtë, por nuk ka ndonjë progres në antarësimin e këtij vendi së shpejti.
Pranimi i secilit vend në aleancë do të rriste prezencën e NATO-s përgjatë kufijve të Rusisë.
Cilat pjesë të Ukrainës i kontrollon aktualisht Rusia?
Në vitin 2014, forcat ushtarake ruse aneksuan Krimenë në Detin e Zi. Separatistët e mbështetur nga Moska morën gjithashtu kontrollin e rajoneve industriale lindore të Donetsk dhe Luhansk, të cilat janë në kufirin e Rusisë. Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainën lindore ka marrë rreth 14,000 jetë.
Sipas një regjistrimi të vitit 2001, më shumë se 50 për qind e popullsisë në Krime dhe Donetsk e ka identifikuar rusishten si gjuhën e tyre amtare. (Ukraina nuk ka kryer një regjistrim më të fundit.) Putin pretendon se po mbron të drejtat e rusishtfolësve në ato zona.
A ka rajone separatiste të lidhura me Rusinë në vende të tjera?
Po. Këto të ashtuquajtura “konflikte të ngrira” kanë ekzistuar që pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Ato ekzistojnë në ish-republikat sovjetike të Azerbajxhanit, Moldavisë dhe Gjeorgjisë dhe shihen gjerësisht si pjesë e strategjisë më të madhe të Kremlinit për ta zgjeruar ndikimin dhe për t’iu shmangur sanksionet.
Për shembull, një hetim i Washington Post i vitit 2018 zbuloi se në Ukrainën lindore të kontrolluar nga separatistët, zyrtarët transferojnë para në rajonin separatist të Osetisë Jugore të mbështetur nga Rusia në Gjeorgji, ku fondet më pas dërgohen në Rusi. Rusia më pas i përdor paratë për t’i paguar mallrat që dërgohen drejtpërdrejt në Ukrainën lindore.
Në Transnistria, separatistët pro-rusë u shkëputën nga Moldavia në vitin 1991, duke thënë se ata identifikoheshin më shumë me Ukrainën dhe Rusinë sesa me republikën e sapoformuar të Moldavisë, e cila ishte më e lidhur me Rumaninë.
Nagorno-Karabakh, një enklavë etnike armene brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit, u bë një rajon i diskutueshëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe pavarësisë së të dy vendeve. Në shtator të vitit 2020, mijëra trupa u vranë dhe fshatra të tëra u zhvendosën në një konflikt të përgjakshëm që zgjati për gjashtë javë. Marrëveshja përfundimtare e paqes u ndërmjetësua nga Putin, duke treguar se si Rusia është bërë një ndërmjetës kryesor i fuqisë në një konflikt që daton që nga epoka sovjetike. Paqeruajtësit rusë tani patrullojnë enklavën.
Abkhazia dhe Osetia e Jugut janë shkëputur efektivisht nga Gjeorgjia me ndihmën ruse, duke shpallur pavarësinë në fillim të viteve 1990 dhe duke mbetur të lidhura strategjikisht me Kremlinin./Kallxo
Rruga Press