GjeopolitikëKryesore

KAH I KTHEU DYLBITË AMERIKA?/ Loja e Amerikës me Francën dhe navigacionet gjeostrategjikë në Australi

Shkroi Tom Fowdy, shkrimtar dhe analist britanik i ‘Politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare’ me ekspertizë për Azinë Lindore. Përktheu nga origjinal për RrugaPress: Hana Mitrovica

Fërkimi i intensifikuar me Kinën po zbulon trende të reja gjeopolitike në Uashington.

Tendencë që e ndriçon irelevancën e Evropës në raport intensiv me fushën ku po zhvendoset topi – në rajonin Indo-Paqësor. Përndryshe, i cilësuar si mejdani i radhës për Luftën e Ftohtë (të re).

Të mërkurën mbrëma, Joe Biden i Amerikës, Scott Morrison i Australisë dhe Boris Johnson i Britanisë, mbajtën një samit virtual. Aty u miratua një marrëveshje e quajtur AUKUS. Risí për nga cilësia, ky bashkëpunim ushtarak midis tre aleatëve anglosferikë, vie me synimin që të përbashkojë dy fusha: atë të kërkimeve dhe teknologjive jetike.

Ndër titujt kryesorë informativë, u shfaq pikërisht njoftimi se Amerika me Australinë do t’i ndajnë së bashku teknologjitë e nëndetëseve me energji bërthamore. Ndonëse, nuk u theksua deklarativisht në takim, nisma do t’i thellojë përpjekjet për vëzhgimin e ushtrisë së Kinës.

Pakti përfshiu kryeqytetin australian Canberra dhe anulimin e një marrëveshjeje prej 43 miliardë dollarësh me Francën. Pritej ndërtimi i 12 nëndetëseve të reja me energji bërthamore. Veprimi provokoi habi në opinionin e gjërë publik, dhe nxiti zemërimin e zyrtarëve e lartë në Paris. Të gjithë efektivisht akuzuan Amerikën për tradhti.

Ngjarja sakaq njollosi përpjekjen e Presidentit Biden për t’i rindërtuar lidhjet transatlantike me Evropën, me ç’rast Ministri i Jashtëm Francez Jean-Yves Le Drian deklaroi se:

Ky vendim i njëanshëm nuk dallon fare nga ai paraprak i z.Trump.

Lajmi është shqetësues edhe për Pekinin i cili po intensifikon garat për armatim në rajonin e Paqësorit. Për pasojë, tendosjet në zonë janë në rritje e sipër.

Për disa pika politike më shumë, situata shkon në favor të Kryeministrit australian Scott Morrison dhe zellit të tij për zgjerim të mosmarrëveshjeve me Kinën.

Çka do të thotë kjo për mozaikun e (hemi)sferave aziatike të interesit?

Për Pekinin, sa humbje aq edhe fitim!

Marrë parasysh edhe se administrata e Presidentit Biden manovron me rivlerësimin e aleatëve se cilët kanë rëndësi e cilët jo. Arena është e rezervuar për një ‘Lufte të Ftohtë’ të re. Këtë herë me Kinën.

Loja dhe pjesëmarrësit tashmë janë vendosur, ndeshja është e re për kombet që janë përballë Indo-Paqësorit, ndërsa, Evropa mbetet jashtë fushe.

Diplomacia e Uashingtonit thekson se roli kryesor në ballafaqim me Pekinin i takon: Australisë, Japonisë dhe Indisë. Të gjitha në pritje të një takimi në kuadër të të ashtuquajturit “QUAD”, ku përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar.

Shumë raporte qarkulluan me fiksimin se Uashingtoni detyron Evropën të përcaktohet se “në anën e kujt është”. Nuk mungojnë as krahasimet me Luftën e Ftohtë. Të shkuarën. Konsideratat aktuale gjeografike i referohen sferës ekskluzivisht Indo-Paqësore. Aty ku për Evropën duket se nuk ka vend.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Anëtarët e Bashkimit Evropian nuk duhet të habiten pse Amerika ka zgjedhur t’i ndjekë qëllimet dhe përfitimet gjeopolitike për kompleksin e saj industrial ushtarak.

Interesant do të ishte reagimi i Francës dhe i të tjerëve, nëse ata do të vazhdojnë edhe më tej t’i përkulen Kinës, nërsy të Shteteve të Bashkuara.

Në momentin kur Biden erdhi në detyrë, me tone të forta shpalli se “Amerika është kthyer!” Dhe, u zotua për rindërtimin e lidhjeve me Evropën.

Rrëfimi amerikan dikur disorientues, tani është i kristalizuar. Gjithçka që shkoi keq me BE në katër vitet e shkuar, iu përshkrua presidentit paraprak. Atij ‘të çrregulltit, të rrezikshmit dhe të padurueshmit’ – Donald Trump.

Ai vërtetë shkaktoi një sërë provokimesh kundër BE-së, edhe ngatërresa mbi tregtinë. Shto këtu përshkallëzimet rreth mosmarrëveshjes me Boeing-Airbus; më pas kundërshtimin ndaj politikave të tregut evropian, si dhe çështjen e kontributeve për forcat aleate, me ç’rast kërkoi që Evropa ta vetëfinancojë sigurinë e saj.

Gabimi i analizës së përgjithshme në mediume qëndronte tek supozimi se (AMERICA FIRST) ‘Amerika së pari’ ishte vetëm një fazë kalimtare. Se kjo do të merrte fund me largimin e ish-presidentit Trump. Edhe se, me Presidentin Biden trajtësimet do të ktheheshin në një gjendje ‘normale’. Por, të gjithë gabuan në vlerësim.

Biden fillimisht orkestroi mesazhe bindëse që Evropa të kuptonte se vizioni i tij është transatlantik në kontrast me çfarëdo afere ndaj Kinës. Fillimisht, trukut i besuan të gjithë, e kjo presidentit amerikan i solli rezultatin e dëshiruar. Por, vetëm për pak kohë…

Disa javë para se të merrte detyrën, BE dhe Kina kishin nënshkruar marrëveshje për investime (CAI) që në parim ishin gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do t’u jepte firmave evropiane qasje më të favorshme se Amerikës, nëpër tregjet e Kinës.
Në emër të “solidaritetit transatlantik” kundërshtimet u shfaqën përmes një porosie të Jake Sullivan, këshilltarit politik për siguri kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikë. Në këtë adresim publik, pos tjerash u kërkuan konsultimet me Evropën: “lidhur me shqetësimet tona të përbashkëta për praktikat ekonomike të Kinës”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bindën Bashkimin Evropian që të koordinonte sanksione ndaj zyrtarëve kinezë. Kështu u provokua përgjigjja nga Pekini, ndërkaq parlamentarët e BE ngrehën zërin në shenjë proteste, rrjedhimisht do të ngrinin marrëveshjet me Kinën.

Çfarë kishte ndodhur?

Në ndjekje të interesave, Amerika thjesht i sabotoi ato të Evropës e cila supozonte se ishte i mundshëm riparimi i lidhjeve të prishura me Amerikën. Por kjo nuk ndodhi.

Pse? Sepse problemi nuk ishte vetëm presidenti paraprak, problemi është në përgjithësi, amerikan.

Lexo më shumë  Kroacia i merr aeroplanët që Serbia i kërkon nga Franca

Evropa shihet si mjet i dobishëm për të arritur qëllime, por Amerika nuk i respekton interesat evropianë. Aq më pak në situatën e krijuar në Indo-Paqësor.

Gabimi strategjik i Evropës ishte se, përkundër mosmarrëveshjeve, besonte në një bashkëpunim me Amerikën në tregun Kinez.

Evropa nuk i kapi dot sinjalet midis rreshtave, e as faktin se kërkesa për uljen e tensioneve me Rusinë bëri që Amerika mos ta shihte më ‘kontinentin e vjetër’ si prioritet.

Ajo e zhdrejtoi fokusin.

Vërejtjet që ish-presidenti Trump i bëri Aleancës Veri-Atlantike, nuk rridhnin thjesht prej natyrës së tij të çrregullt gjatë komunikimit, por nga fakti se interesat strategjikë të Amerikës po ndryshonin. Ndaj nuk kishte pse të përqëndrohej në Evropë.

Franca, Gjermania dhe të tjerët “duhet ta paguajnë vet biletën e udhëtimit drejt sigurisë së tyre”. Ky ishte qëndrimi, në esencë.

Obsesioni me çoroditë e një presidentit të ikur, e maskoi gjendjen reale. Ashtu siç bëri edhe magjepsja e stërhershme me Presidentin sharmant Biden.

Tema e nëndetëseve është zgjim i befasishëm nga gjumi, edhe vetëdijësim se gjithçka ka ndryshuar, tani që Amerika e sheh parësore sigurinë kuadrilaterale – QUAD – të njohur edhe si ‘Dialogu i Sigurisë Katërpalëshe’.

Evropa nuk përbën strategji me rëndësi për Amerikën, si dikur. Sidomos në ballafaqim me Rusinë apo me zonat operative në Lindjen e Mesme.

Kjo është epokë e re dhe qendra e gravitetit është zhvendosur në Azi. Megjithatë, ekziston një precedent më i thellë. Amerika në momentet kur e shihte të arsyeshme, aktivisht i minonte industritë jetike të vendeve evropiane.

Mund të përmendim shembuj me agjencitë evropiane të inteligjencës dhe shfrytëzimin e kapaciteteve nëpër vendet e tyre. Spiunimi i programeve të mbrojtjes, bie fjala. Kjo për shkak të sigurisë amerikane që të mos jetë në humbje në fushën e sigurisë. Psh. rasti me Danimarkën dhe programin e fluturakeve Eurofighter. Vlen të veçohet edhe rasti i kancelares së Gjermanisë, pastaj angazhimi në spiunazh industrial kundër Berlinit, dhe të ngjajshme.

Regjistri është realisht i vëllimshëm.

Pra, Amerika përfundimisht nuk është “shpëtimtari” i Evropës.

Në rastin më të mirë Evropa mbetet ulur, në bangë zëvendësimi, si lojtare rezervë.

Nëse Franca ka qasje serioze ndaj ‘autonomisë strategjike’ evropiane, atëherë duhet ta përgatisë atë sa më parë. Sidomos tani kur dihet se: po i shkoi për filli asaj që dëshiron Uashingtoni, gjithsesi do të thotë përfitim vetëm për Amerikën, e në kurriz të Evropës.

Nëse BE nuk mblidhet për diskutim mbi marrëveshjet me Kinën dhe mbi forcimin e kapaciteteve të sigurisë, atëherë Evropa vërtetë do të mbetet ‘me gishta në gojë’.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *