Bota

Japonia e shqetësuar për bashkëpunimin ushtarak mes Rusisë dhe Kinës

Ministri i Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi shprehu shqetësimin e tij për bashkëpunimin ushtarak rus dhe kinez në Azi, duke theksuar se situata e sigurisë së Evropës nuk mund të shkëputet nga ajo në rajonin Indo-Paqësor pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të Evropës dhe Indo-Paqësorit në Suedi, Hayashi tha se lufta e Rusisë në Ukrainë “ka tronditur themelet e rendit ndërkombëtar” dhe duhet të përballet me një përgjigje të bashkuar nga komuniteti ndërkombëtar.

“Përndryshe, sfida të ngjashme do të lindin në rajone të tjera dhe rendi ekzistues që ka mbështetur paqen dhe prosperitetin tonë mund të përmbyset rrënjësisht”, tha Hayashi.

Japonia mbështet me vendosmëri Ukrainën në luftë, por Kina thotë se mbetet neutrale ndërsa deklaron një marrëdhënie “pa kufizime” me Moskën dhe fajëson SHBA-në dhe NATO-n për provokimin e konfliktit.

Lexo më shumë  Paketa amerikane 61 miliardëshe, Zelensky: SHBA është fener i demokracisë

Kryeministri japonez Fumio Kishida vizitoi kryeqytetin ukrainas, Kiev, në mars në të njëjtën kohë kur presidenti kinez Xi Jinping u takua me homologun rus Vladimir Putin në Moskë.

Hayashi akuzoi Pekinin se po “vazhdon të intensifikojë përpjekjet e tij të njëanshme” për të ndryshuar status quo-në në detet e Kinës Lindore dhe Jugore me forcë, si dhe për rritjen e aktiviteteve ushtarake rreth Tajvanit.

“Përveç kësaj, Kina dhe Rusia po forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak, duke përfshirë stërvitjet e përbashkëta detare në afërsi të Japonisë”, tha Hayahshi.

Hayashi paralajmëroi gjithashtu se Koreja e Veriut po “përshkallëzon provokimet”.

Lexo më shumë  AlJazeera: Të paktën 30 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e urisë në Gaza

Ai u bashkua me dhjetëra ministra nga Bashkimi Evropian dhe rajoni Indo-Paqësor për takimin në veri të kryeqytetit suedez. Kina nuk ishte e ftuar në bisedime.

Disa nga vendet Indo-Paqësorit, duke përfshirë Indinë dhe Pakistanin, kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por nuk kanë dënuar Rusinë.

Shumica e vendeve të BE-së kanë ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe blloku ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

I pyetur nëse BE-ja po shpresonte të bindte vendet e Indo-Paqësorit që të përputheshin me qëndrimin e bllokut ndaj konfliktit, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha: “Ne nuk duam të bindim askënd. Thjesht duam të ndajmë analizën tonë për shkaqet dhe pasojat e luftës.”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *