Bota

Izraeli shkatërroi mbi 4000 embrione në Gaza

Seba Jaafarawin, një palestineze 32-vjeçare në Gazë, kishte kaluar procedura të vështira të IVF-së për të arritur një shtatzëni shumë të dëshiruar në martesën e saj. Mirëpo, pak ditë para se të bënte ultrazërin e parë, kishte shpërthyer lufta Izrael-Hamas. Pas përballjes me vështirësitë e luftës, shtatzënia e saj me binjakë kishte marrë fund. Shpresa e fundit për të tërhequr embrionet e saj të mbetur në klinikën më të madhe të fertilitetit në Gazë dhe për të nisur një tjetër shtatzëni ishte shuar, pas një sulmi izraelit mbi qendrën ku mbaheshin mbi 4000 embrione
Kur një predhë izraelite goditi klinikën më të madhe të fertilitetit të Gazës, në dhjetor, sulmi bëri që të shpërtheheshin kapakët e pesë rezervuarëve të azotit të lëngshëm, të ruajtur në një cep të njësisë së embriologjisë.

Ndërsa lëngu ultra i ftohtë u avullua, temperatura brenda rezervuarëve u rrit, duke shkatërruar më shumë se 4000 embrione, plus 1000 ekzemplarë të tjerë të spermës dhe vezëve të pafertilizuara, të ruajtura në qendrën IVF “Al Basma” të qytetit të Gazës.

Ndikimi i atij shpërthimi të vetëm ishte i gjerë – një shembull i paparë i sulmit të Izraelit mbi 2.3 milionë banorët e Gazës, për gjashtë muaj e gjysmë luftë.

Embrionet në ata rezervuarë ishin shpresa e fundit për qindra çifte palestineze që përballeshin me infertilitet.

“Ne e kuptojmë thellë se çka nënkuptojnë këto 5000 jetë, ose jetë potenciale, për prindërit e po ashtu për të ardhmen ose për të kaluarën”, ka thënë Bahaeldeen Ghalayini, 73-vjeçar, gjinekolog dhe obstetër i cili e ka themeluar klinikën në vitin 1997.

Të paktën gjysma e çifteve – ato të cilat nuk mund të prodhojnë më spermë ose vezore që mundësojnë krijimin e embrioneve, nuk do të kenë një shans tjetër për të pasur një shtatzëni, sipas tij.
“Zemra ime është e ndarë në miliona pjesë”, ka shtuar Ghalayini.

Tre vjet të trajtimit të fertilitetit ishin një vuajtje psikologjike për Seba Jaafarawin. Tërheqja e vezëve nga vezoret e saj ishte proces i dhimbshëm, injeksionet hormonale kishin efekte të forta anësore dhe trishtimi kur dy përpjekje për shtatzëni dështuan dukej i padurueshëm.

Jaafarawi, 32 vjeç, dhe bashkëshorti i saj nuk mund të nisnin një shtatzëni në mënyrë natyrale, kështu që kërkuan ndihmë mjekësore për fertilizim In Vitro (IVF), që është gjerësisht i mundshëm në Gazë.
Familjet e mëdha janë të zakonshme në enklavë, ku afërsisht gjysma e popullatës është nën 18 vjeç dhe ku shkalla e lindshmërisë është e lartë, apo 3,38 lindje për një grua, sipas Zyrës palestineze të Statistikave. Lindshmëria në Britani është në shkallën 1,63 lindje për grua.

Lexo më shumë  Krimea u trondit nga shpërthimet, u mbyll ura që shërben si një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse

Pavarësisht varfërisë së Gazës, çiftet që përballen me infertilitet ndjekin procedurën me IVF. Disa shesin televizorë dhe stoli për të paguar tarifat, ka thënë Al Ghalayini.

“S’kisha kohë për të festuar”

Të paktën nëntë klinika në Gazë kryejnë procedurat e IVF-së, ku vezët nxirren nga vezoret e gruas dhe fertilizohen në laborator me spermën e burrit. Vezët e fertilizuara, të quajtura embrione, janë shpesh njësi të ngrira deri në kohën e duhur për t’u bërë transferimi në uterusin e gruas. Shumica e embrioneve të ngrira në Gazë ruheshin në qendrën “Al Basma”.

Në shtator Jaafarawi kishte mbetur shtatzënë, duke shënuar përpjekjen e saj të parë të suksesshme pas disa IVF-ve.

“Nuk kisha kohë madje as të gëzohesha për lajmin”, ka thënë ajo.

Dy ditë para terminit që kishte për ultrazërin e parë, më 7 tetor, Hamasi kishte kryer një sulm në Izrael, në të cilin kishte vrarë 1,200 persona dhe kishte marrë peng 253 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.
Izraeli ishte zotuar ta shkatërronte Hamasin pas këtij sulmi, duke nisur menjëherë një kundërofensivë, e cila po vazhdon që atëherë dhe nga e cila kanë mbetur të vdekur më shumë se 33000 palestinezë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

“Si mund ta kompletoj shtatzëninë time. Çka do të ndodhë me mua dhe çka do të ndodhë me foshnjën në barkun tim”, thotë Jaafarawi e shqetësuar.

Ultrazëri i saj nuk u bë kurrë, derisa Ghalayini mbylli klinikat e tij, ku po ruheshin edhe pesë embrione të tjera të Jaafarawit.

Derisa sulmet izraelite u intensifikuan, Mohammed Ajjour, embriologu kryesor i ”Al Basmas”, ka nisur të shqetësohet rreth niveleve të nitrogjenit të lëngshëm në pesë rezervuarët e mostrave.

Mbushja nevojitet çdo muaj për të mbajtur temperaturën nën -180 gradë celsius në secilin rezervuar që operon pavarësisht nga energjia elektrike.

Pas fillimit të luftës, Ajjour arriti të siguronte një dërgesë të azotit të lëngshëm, por Izraeli ndërpreu energjinë elektrike dhe karburantin në Gazë dhe shumica e furnizuesve u mbyllën.

Në fund të tetorit tanket izraelite hynë në Gazë dhe ushtarët izraelitë qëndronin pikërisht në rrugët rreth qendrës së IVF-së. Ishte bërë shumë e rrezikshme për Ajjour që t’i kontrollonte rezervuarët.
Jaafarawi e dinte se duhej të pushonte për ta mbajtur të sigurt shtatzëninë e saj të brishtë, mirëpo rreziqet ishin kudo. Ajo duhej të ngjiste gjashtë palë shkallë në ndërtesën ku banonte sepse ashensori ishte prishur. Një bombë rrafshoi ndërtesën ngjitur dhe shpërtheu dritaret në banesën e saj, pastaj ushqimi dhe uji u pakësuan.

Lexo më shumë  Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

Në vend se të pushonte ajo brengosej.

“Isha shumë e shqetësuar dhe kisha shenja se mund të më dështonte shtatzënia”, është shprehur ajo.
Jaafarawi kishte pasur gjakderdhje pak pasi ajo dhe bashkëshorti i saj ishin larguar nga shtëpia dhe ishin zhvendosur në Khan Younis. Gjakderdhja ishte qetësuar, mirëpo frika jo.

“5.000 jetë me një predhë”

Ata kishin kaluar në Egjipt më 12 nëntor dhe në Kajro ultrazëri i saj i parë tregonte se ajo ishte shtatzënë me binjakë dhe se ata ishin të gjallë.

Mirëpo, pas pak ditësh, ajo kishte ndier dhimbje të mëdha barku, kishte pasur gjakderdhje dhe ndryshim në barkun e saj. Ajo kishte shkuar menjëherë në spital, mirëpo dështimi i shtatzënisë tashmë kishte nisur.

“Tingulli i zërit tim që bërtisja dhe qaja në spital është ende në veshin tim”, është shprehur ajo.
Dhimbja e humbjes nuk ka përfunduar.

“Çfarëdo që imagjinoni ose ju them unë se si është të kalosh nëpër një procedurë me IVF, vetëm ato që kanë kaluar si unë mund ta kuptojnë me të vërtetë atë”, ka thënë Jaafarawi.

Ajo ka treguar se donte të kthehej në zonën e luftës, t’i tërhiqte embrionet e saj të ngrira dhe të provonte një tjetër IVF. Por ishte shumë vonë.

Ghalayini ka thënë se një predhë e vetme izraelite goditi cepin e qendrës, duke hedhur në erë laboratorin e embriologjisë në katin e parë. Ai nuk e di nëse sulmi kishte në shënjestër në mënyrë specifike laboratorin apo jo.

“Të gjitha ato jetë janë vrarë ose janë marrë, 5000 jetë me një predhë”, ka thënë ai.

Në prill laboratori i embriologjisë ishte ende i mbushur me pjesë muri të thyer, furnizime laboratorike të hedhura në erë dhe mes rrënojave rezervuarët e azotit të lëngshëm, sipas një gazetari të autorizuar nga Reuters që vizitoi vendin.

Kapakët ishin të hapur dhe ende dukshëm në fund të një prej rezervuarëve një shportë ishte e mbushur me fije të vogla të koduara me ngjyra që përmbanin embrionet mikroskopike të shkatërruara.

Rruga Press

YouTube player