KryesoreLajme

Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës: Me marrëveshjen Kosovës iu njoh subjektiviteti ndërkombëtar

Në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutua për marrëveshjene BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për ish-gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, kjo i mundëson Kosovës që në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje, çdo zgjidhje do të jetë evropiane.

Ajo theksoi se me këtë marrëveshje Kosova e garantoi subjektivitetin e vet ndërkombëta dhe kjo gjë i hap rrugën, në mënyrë të pashmangshme Kosovës për antarësimin në Këshill të Evropës.

Sipas saj, Kosova nuk do të jetë më kurrësesi objekti i bisedimeve, por subjekt i barabartë me Serbinë. Në Këshill të Evopës Kosova do të adresojë edhe çështje si ato të Nenit 7 të marrëveshjes.

Fjala e Gjyljeta Mushkolajt:

Për mua, kjo do të thotë saktësisht ajo që përcaktohet me ligjin tonë për vetëqeverisjen lokale, e miratuar në vitin 2008. Asnjë gjë më pak, asnjë gjë më shumë. Plus, kjo ia mundëson Kosovës gjithashtu që në rast të mosmarrëveshjeve, çdo zgjidhje do të jetë evropiane, që do të thotë, në harmoni të plotë me standartet e Këshillit të Evropës për pozicionin e minoriteteve dhe vetëqeverisjes lokale. Më tutje, kjo ia mundëson Kosovës atë që as nuk është ëndërruar më herët, që çfarëdo që do të kërkohet prej Kosovës, edhe Kosova si palë e barabartë në mekanizmat evropianë do të kërkojë prej Serbisë për minoritetin shqiptar që jeton aty.

Kjo nuk është fare imagjinatë. Ky dokument shikohet në tërësi dhe nuk shikohet parcialisht, Nen për Nen.

Këtë dokument e shoh si ritheksim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Dhe para së gjithash, në plan të parë, hapi i parë që e shoh se do të ndodhë është garanci e subjektivitetit evropian të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Është hapur kjo dera e madhe për antarësim në Këshill të Evropës. Dhe Këshilli i Evropës i ka organet e veta formale dhe mekanizmat që edhe Kosova të jetë palë e barabartë me Serbinë. Çfarëdo që kërkohet të interpretohet sa i përket vetëqeverisjes lokale në Kosovë do të kërkohet edhe për Serbinë. Kosova, si anëtare e Këshillit të Evropës nuk do ta ketë pozicionin pasiv si objekt diskutimi i të tjerëve, por do të jetë palë e barabartë. Aty do të dalë si palë e barabartë përpara Serbisë dhe do t’i adresojë të gjitha këto çështje, përfshirë atë Nenin 7.

Kështu që, në realitet tash me këtë dokument ne e kemi fituar subjektivitetin evropian të Kosovës. Dhe këtë, fatkeqësisht, prej viti 2010 kur opinioni këshillues i GjND-së është shpallur, në vend që të ishte fitore për ne, e kemi degraduar edhe vetë gjithë atë solemnitet të 17 Shkurtit, e kemi degraduar duke u bërë objekt i bisedimeve.

Unë konsideroj që nga dje, ndryshe prej marrëveshjes së vitit 2013 dhe marrëveshjeve paraprake teknike, ne për herë të parë e kemi fituar barazinë me Kosovës dhe Serbisë. Nëse merr gjithçka që nxirret jashtë kontekstit, jashtë kohës, hapësirës, atëherë mundesh ta gjykosh në mënyra të ndryshme.

Me këtë marrëveshje, realisht Evropa po na e njeh subjektivitetin ndërkombëtar.

Rruga Press

Lexo më shumë  Kurti jep detaje nga takimi me ambasadorët e QUINT-it
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *