Bota

Irani do të “humbiste shumë” në luftë direkte me SHBA-në dhe Izraelin

Prej se Izraeli e nisi luftën në Rripin e Gazës, grupet militante të mbështetura nga Irani, i kanë sulmuar caqet izraelite dhe amerikane nëpër Lindje të Mesme si shenjë përkrahjeje për palestinezët.

Megjithëse ka rrahur gjoks në rajon prej se nisi lufta në tetor, Irani i ka ikur çfarëdo veprimi të drejtpërdrejtë ushtarak kundër Izraelit dhe aleatit të tij kryesor, SHBA-së. Ekspertët thonë se Republika Islamike e sheh luftën e drejtpërdrejtë kundër armiqve të përbetuar si kërcënim ndaj stabilitetit të brishtë brenda vendit dhe ndaj mbijetesës së vet.

Irani do të “humbte shumë në një luftë afatshkurtër”, tha Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.

“Ajo ngre të gjitha pyetjet për të ardhmen e Republikës Islamike”, shtoi ai.

Mundësia e një ballafaqimi të drejtpërdrejt SHBA-Iran u rrit pasi milicitë e mbështetura nga Teherani në Irak i vranë tre ushtarë amerikanë në një sulm me dron në Jordani më 29 janar. Por, Teherani ka folur me një tonë pajtues prej kur ndodhi ai sulm, i vetëdijshëm për sulme të mundshme amerikane në territorin iranian.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha më 2 shkurt se vendi i tij “nuk do të nisë asnjë luftë”, por do të përgjigjet fuqishëm nëse “dikush dëshiron të na ngacmojë”.

Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare me bazë në Izrael (INSS), tha se mbijetesa e regjimit është “synimi kryesor” i Qeverisë klerikale dhe se një luftë e mundshme me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara do të ishte kërcënim për qenien e Republikës Islamike.

Qeveria iraniane është përballur me shumë kriza të brendshme në vitet e fundit, përfshirë rritjen e trazirave civile dhe një ekonomi të dobët.

Vdekja e Mahsa Aminit në shtator 2022 në paraburgim të së ashtuquajturës “Policia e Moralit” për gjoja shkeljen e ligjit të rreptë të Iranit për bartjen e shamisë së kokës, nxiti protesta gjithëkombëtare disamujore, të cilat u bënë sfida më e madhe e Qeverisë teokratike të Iranit në dekadat e fundit.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Autoritetet i shtypën protestat, duke i vrarë qindra dhe duke i arrestuar mijëra protestues. Qeveria klerikale vazhdimisht pretendon se ligjshmëria e saj buron nga vullneti i popullit. Por, ky pretendim është vënë në pikëpyetje vazhdimisht së fundmi.

Në zgjedhjet parlamentare më 2020 dhe në ato presidenciale më 2021 u shënua rekord për dalje të ulët në zgjedhje, pasi më pak se gjysma e njerëzve me të drejt vote votuan në to.

Autoritetet iraniane janë duke u përballur po ashtu edhe me një ekonomi të përkeqësuar, e cila është ndikuar nga sanksionet ndërkombëtare dhe keqmenaxhimet qeveritare, duke bërë që të ketë inflacion të lartë, rritje të papunësisë dhe të varfërisë.

“Vendimet e politikës së jashtme nuk preken drejtpërdrejt nga opinioni publik. Megjithatë, nevoja e regjimit për të parandaluar rrëmuja të brendshme të panevojshme në Iran, padyshim se ndikon te zgjedhjet e saj”, tha Zimmt./ REL

YouTube player