Intervista/ Xhemi Agaj, nga lufta në Kosovë në ekranin e kinemasë kanadeze
Xhemi Agaj, aktor i diplomuar në Fakultetin e Arteve, dega e aktrimit në Universitetin e Prishtinës tek klasa e Enver Petrovcit 94-98, ku studimet i ka përfunduar me sukseset më të larta. Gjatë viteve 90’të sa ka qenë në Kosovë ka pasur angazhime në shfaqje teatrale dhe në serialet televizive që janë prodhuar në Kosovë. Rolin e parë në Kosovë e ka luajtur tek filmi i Sunaj Raçës “Atje ku nuk lind dielli”, ndërsa më vonë është angazhuar edhe në filmin “Qëndresa” të Adem Mikullovcit, ku ka shkëlqyer në rolin si personazh negativ. Shfaqjen e diplomës e bëri në Teatrin “Dodona” të Prishtinës në nëntor të vitit 1997 me dramën “Zonjusha Julia” në regji të Florent Mehmetit dhe me dy aktoret Flutra Zymi dhe Gjejlane Godanci. Në këtë shfaqje, Komisioni e vlerësoi me notën më të lartë lojën e aktorëve dhe poashtu profesori Ekrem Kryeziu vlereson se Xhemi Agaj do të jetë ndër aktorët më të mirë të brezit të tij për rolet me personazhe negative. Anëtarë të komisionit ishin: Enver Petrovci, Faruk Begolli, Fadil Hysaj dhe Ekrem Kryeziu.
Pas diplomimit, ka qenë i angazhuar në shfaqjen e Isa Qosjes “Karvani i bubrrecave” në Strugë të Maqedonisë, ku producent i shfaqjes dhe njëkohësisht edhe aktor i shfaqjes ishte Agim Comaj, shqiptaro-amerikan. Xhemi ka pasur edhe angazhime të tjera në seriale dhe shfaqje të ndryshme të kohës.
Gjatë luftës së Kosovës më 1999, Xhemi ka ardhur në Toronto të Kanadasë, ku jeton edhe sot së bashku me gruan dhe vajzën e tij. Roli i parë që e ka luajtur në Kanada ka qenë në qershor të vitit 2000 kur ironia e fatit të pellazgo-ilirit e ka çuar ta luajë pikërisht rolin e refugjatit në filmin televiziv “Haven” Alliance Atlantis/CBS/John Gray.
Për një mandat (2013- 2015) ka qenë nënkryetar i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze të Torontos, ku mbahet mend për rolin e tij bashkues brezash dhe bashkëpunues me shoqatat simotra… Në intervistën për gazetën “Diaspora Shqiptare” si flet për jetën e tij si aktor, botën e filmit, botën shqiptare, komunitetin shqiptar në Kanada e shumëçka tjetër.
Cila ka qenë rruga e integrimit tuaj në Kanada?
Kam ardhur në Toronto në qershor të vitit 1999 nga Kosova. I vetëm, ndërsa familja më mbeti në Kosovë. Si për çdo të ardhur rishtazi, fillimi ka qenë shumë i vështirë… Di të them se kam filluar menjëherë të interesohem të inkuadrohem në industrinë e filmit si aktor duke kontaktuar njerëz profesionistë dhe agjensi të ndryshme të filmit te cilat bëjnë reprezentimin e aktorëve. Pas 9 muajsh të ardhjes në Kanada, në pranverë vitit 2000, pas shumë përpjekjeve kam nënshkruar kontratë me agjensionin e reprezentimit të aktorëve “The Noble Caplan Abram’s Talent Managment Agency”. Nga aty ka filluar karriera ime si aktor në industrisë së filmit në Kanada.
Keni diplomuar në vitin 1997 në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Pas dy vitesh jeni larguar nga Kosova, pikërisht gjatë luftës së Kosovës. Sa janë të mjaftueshme dy vite jetë profesionale (nëse mund të themi kështu shkaku i situatës) për të qenë aktor i mirëfilltë?
Rrethanat kanë qenë shumë të vështira për të ndërtuar karrierë arti, ngase ne veç ishim në prag të luftës pikërisht kur diplomova unë. Megjithë kohën e vështirë që po e kapërcente Kosova, me ato mundësi që kishim, kam luajtur ne disa seriale dhe filma që ne atë kohë ne i quanim “filma të videokasetave”, poashtu edhe disa angazhime në teatër, deri në ditën kur jeta jonë u paralizua. Lutem që askush të mos e fillojë karrierën në një formë të tillë…
Deri më tani keni marrë pjesë në rreth 35 projekte të ndryshme filmike në Kanada. A mund të na tregoni rreh këtyre më shumë?
Duhet theksuar se gjysma e këtyre projekteve janë produksione amerikane, por që janë xhiruar në Kanada dhe në vende të ndryshme të botës. Këto projekte nuk janë vetëm kanadeze, pra disa janë edhe të karakterit ndërkombëtar. Në shumë prej projekteve kam qenë në role me kategori të ndryshme si psh: “guest star” (mysafir special) “recurring character” (personazh i riparaqitshëm) dhe “regular cast member” (anëtar i rregullt i trupës), dhe poashtu në fillim të karrierës edhe “large principal” (rol protagonist).
E përmendët që keni xhiruar nëpër vende të ndryshme të botës. Veç Kosovës e Kanadasë, cilat janë ato?
Deri më tani vendet ku kam xhiruar janë edhe në Hungari, Bosnjë dhe Hercegovinë, në Rusi, dhe në Itali. Jam i bindur se në të ardhmen e afërt do të kem oferta edhe në vende të tjera, me projekte të reja.
Xhemi, ju njohim si aktor i shumë roleve negative, ndërkohë që nëpër ndejat tona dukesh gjithmonë njeri shumë i lumtur e i buzëqeshur. Pse një njeri kaq pozitiv t’i dojë rolet negative? Ku e si e filluat këtë rrugëtim?
Siç më njihni jam njeri shumë i hapur e pozitiv në jetë, por gjithmonë kam dashur të luajë role negative. Rolin e parë të tillë në Kosovë e kam luatjur tek filmi i Sunaj Raçës “Atje ku nuk lind dielli”, ndërsa më vonë u angazhova edhe në filmin “Qëndresa” të Adem Mikullovcit. Pas këtyre paraqitjeve të miat të para, unë thuajse shumicën e projekteve kam luajtur role të personazheve negative, sepse aty jam ndier komod dhe mendoj se pikërisht aty e kam gjetur veten më së miri. Baca Adem me rolin në filmin e tij, mendoj se ma ka hapur një derë të re në karrierën time, ku edhe gjatë xhirimeve e kuptova që unë mund t’i kushtohesha kësaj, sepse aty më bindi se kisha dhunti për role negative…
E përdmendët bashkëpunimin me aktorin dhe regjisorin Adem Mikullovci. Sapo u dha lajmi për largimin e tij nga jeta. A mund të na ndani ndonjë kujtim me të?
Herën e fundit që e ndamë skenën dhe xhirimin, ishte në vitin 2010, në serialin vendor “Kafeneja Jonë”. Kur u takuam atë dite më hodhi sytë me shumë kureshtje dhe më tha: “djalo, po më dukesh i njohur”. Nuk kishte faj që nuk i kujtojesha sepse hera e fundit që ishim takuar ishte viti 1996, pra gjatë xhirimit të filmit “Qëndresa”. Edhe pse unë isha ende student i vitit të dytë në Akademinë e Arteve, aktori, kolegu dhe shoku im Jehon Gorani, që gjithmonë ka besuar tek unë, me propozon për atë rol, gjë për të cilën i mbetem mirënjohës përjetë. E kështu u takuam te “Hani i dy Robertëve” me Bacën Adem. Ai më shikoi fund e krye e m’u kthye: “E paske fytyrën taman të Supovcit/Sigurim-sit”. Qeshëm e u shkulëm gazit… Unë i përkulem këtij njeriu të madh të skenës dhe artit, i cili mua ma dha rastin dhe besimin për t’u bërë pjesë e filmit. Në elegjinë time që shkrova për shkuarjen e tij në amshim e luta që t’i bënte të fala Bekim Fehmiut, Faruk Begollit, Istref Begollit, Leze Qena, Xhevat Qena, Aleksandër Moisiut e të gjithë të tjerëve dhe e porosita që t’u tregonte që ne po mundohemi e po përpëlitemi me mish e me shpirt qe t’iu bëjmë krenarë jo vetëm juve, por gjithë kombin shqiptar. Po gjithashtu, e luta t’u tregojë se si na kanë katandisur, degraduar, zhvlerësuar e shtypur në misionin tonë fisnik, artistik, shpirtëror, kombëtar,… T’i tregojë po ashtu se si po tallen me ne., se si e kemi humbur rrugën në oborr si komb!…
Ndër sukseset tuaja më të mëdha ka qenë seriali i njohur kanadez “Flashpoint”. Çfarë mund të na thoni më tepër rreth rolit dhe serialit?
Kam qenë i pranuar si mysafir special (guest star) që në episodin e parë dhe njëkohesisht ka qenë pilot-projekt dhe prodhim i televizionit kanadez CTV. Ky serial më vonë i është bashkangjitur rrjetit televiziv amerikan CBS. Ky projekt ka bërë histori në vete, sepse per here te pare mbas 20 viteve nje serial i prodhuar ne Kanada është shitur dhe shfaqur para publikut amerikan. Ndërkohë më vonë është shfaqur në më shumë se pesëdhjetë vende të ndryshme të botës. Siç edhe mund të kuptohet, roli im edhe këtu ka qenë një rol negativ, e arsyeja për këtë është shumë e thjeshtë. E para, më bën të luajë njeriun e keq që në jetën e përditshme unë nuk jam i tillë, dhe e dyta, gjithmonë është më interesant të luash role negative se sa pozitive. Pse? Personalisht për mua perveç që është mundësia të futesh në një territor të ri poashtu, qasja, ritmi dhe energjia e këtij roli për mua është e rëndësishme.
Dua të shtoj se roli im në këtë episod ka qenë një personazh që ka patur trauma lufte dhe thyerje shumë të thella emocionale, gjë që për mua sa më i trazuar që të jetë personazhi, aq më lehtë futem në botën e tij. Sa ironike është që shumica e aktorëve që luajnë role pozitive e që duan të adhurohen nga publiku, në jetë të përditshme nuk janë bash të tillë. Hmmm Hahahaha…?!, Ndërsa për mua është e kundërta; ngase jam shumë pozitiv në jetën e përditshme, nuk e kam fare problem e as që mërzitem që në film të dukem negativ.
A ka qenë anglishtja problem për ju?
Unë me gjuhën angleze qëndroj shumë mirë. E lexoj dhe e kuptoj dhe dua, mirëpo në të folme e kam theksin e shqiptarit. Anglishtja gjithmonë është problem për çdo aktor, i cili nuk e ka gjuhë amtare. Mirëpo gjithmonë, kam shkuar në audicione ku personazhi e flet anglishten me theks (akcent), dhe besoj se në këtë aspekt gjithmonë ia kam dalë mbarë.
Në një mandat keni qenë nënkryetar shumë aktiv i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze të Torontos. Si aktivist i pandalshëm, a mendoni se e keni dhënë atë që keni dashur ta jepje?
Nga viti 2013- 2015 kam qenë nënkryetar i shoqatës më të vjetër shqiptare në Kanada. Kemi ndihmuar së bashku rreth konsolidimit të shoqatës, punën aktive në përpilimin e statutit të ri, kemi sjellë një energji të re, kemi ndërruar edhe lokacionin e shoqatës, që deri më atëherë kishte për qira një bodrum, kemi filluar procedurat dhe kemi finalizuar projektin për shpalljen e muajit nëntor si muaj të trashëgimisë shqiptare në Ontario. Me përvojën time si aktor kam punuar më shumë rreth anës artistike të prezentimit të shoqatës në çdo aktivitet kombëtar e kulturor.
Gjithashtu si njeri pozitiv që jam edhe në komunitet, jam fokusuar që të sjell anëtarë të rinj në shoqatë, ndërsa shoqatës t’i ofroj biznesmenë të rinj. Ngaqë jam njeri i hapur dhe komunikativ jam munduar që të ndikoj që të sjellë një frymë bashkëpunimi edhe me shoqatat simotra në Toronto dhe Ontario. Natyrisht se kam mundur dhe kam patur dëshirë të kontribuoja më shumë, por angazhimet e punës, aktrimit dhe vullnetarizmit të lënë pak kohë për t’i mbërrirë të gjitha.
Keni luajtur role edhe në Kosovë edhe në Kanada. Cili është dallimi?
Eshtë kontrast i madh. Pa dashur t’i krahasoj këto vende të pakrahasueshme, mund të them se niveli organizativ e profesional në Kanada është në të njejtin nivel me produksionet hollivudiane. Në bazë të asaj çfarë shoh, dhe përmes komunikimeve të shpeshta, viteve te fundit, ka pasur një ndryshim për të mirë edhe në Kosovë.
Sa e ndjek kinematografinë shqiptare? Sa jemi ne afër apo larg me zhvillimin dhe përhapjen e filmit tonë nëpër botë?
Po, e ndjek aq sa kam mundësi. Nuk është që ka zhvillime marramendëse, por që ka lëvizje në këtë drejtim viteve të fundit, mund të them që po. Kam dëshirë që çdo herë që shkoj në Kosovë mundohem të shkoj në muajin gusht që të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “DokuFest” që mbahet në Prizren. Eshtë vërtetë një festival i përmasave botërore, për ç’gjë edhe gëzon respekt. Jam i lumtur që festivali, ashtu sikurse edhe qyteti i Prizrenit, po bëhet ikonë e kulturës shqiptare në pergjithesi, që më bën krenar që i takoj botës së filmit.
Edhe këtu në Kanada, viteve të fundit ka filluar të vijë një erë e ndryshimit nga atdheu. Shumë autorë dhe regjisorë shqiptarë kanë filluar të shfaqin filmat e tyre nëpër festivalet ndërkombëtare si psh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, por edhe në qytetet tjera si Montreali e Calgary, të cilët i uroj nga zemra për sukseset e arritura.
Nga bisedat tona të shpeshta vërehet që ndiqni situatën politike në Shqipëri, Kosovë e tek shqiptarët kudo që janë. Si mendoni, ju nga distanca hapësinore, që po shkojnë punët atje?
Eh! Ajo më dhemb më së shumti. E përcjell me vëmendje, dhe mund te them se Kosova kurrë nuk ka qenë më keq pas mbarimit të luftës. Kosova është në prag të zhbërjes, shpopullimit e defaktorizimit ndërkombetar si përgjegjësi e disa njerëzve të papërgjegjshëm. E njëjta gjë vlen për Shqipëri, ku një grusht njerëzish e kontrollojnë tërë pasurinë e shqiptarëve, ndërsa vet i ndërrojnë pozitat e larta në mes veti. Pra shkurt e shqip thënë, me hajna s’ka ardhmëri, me hajna s’ka shtet… E dua një ndryshim edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, e ndryshimin nuk mund ta bëjmë duke heshtur, por duke reaguar në çdo mundësi që na jepet.
Kur jemi këtu duhet të themi se vërehet që gjeni frymëzimin nga atdheu dhe të parët tanë të hershëm…
Më duhet ta them se inspirimi im si shqiptar vjen nga prejardhja jonë pellazgo-ilire. Gjuha jonë është nëna e të gjitha gjuhëve të Evropës. Êshtë gjuhë kozmike. Jam krenar për lashtësinë e popullit tonë, dhe dua që këtë krenari ta bartë kudo që shkoj dhe çfarëdo që bëj. Ky frymëzim, besoj unë, më ka bërë aktor më të mirë, dhe se shpesh e paramendoj se si të parët tanë në lashtësi kanë luajtur në amfiteatrot e famshme si Apollonia, Butrinti, Bylisi…
Ju njohim edhe si moderator të shumë organizimeve komunitare të shqiptarëve në Toronto dhe më gjerë… Nëse mund ta veçoni njërën nga to, cila do të ishte ajo?
Po, gjithësesi ka momente të bukura, sepse moderimi i një oganizimi me karakter kombëtar, kulturor e artistik e ka në vetvete bukurinë e vet. Më së shumti përshtypje më ka lënë publiku i koncertit të bamirësisë “Tinguj për vendin tim” organizuar nga “Dea Art” nën drejtimin e çiftit të mrekullueshëm Ervin Meço dhe Lindita Aga Meço në bashkëpunim me emisionin “ Shqiptarët për Shqiptarët” që ka patur karakter bamirësie në Shqipëri. Ajo ka qenë një mbrëmje e veçantë ku jam ndjerë shumë i pranuar nga publiku sa bamirës aq edhe artdashës. Mund të them që ka qenë mbrëmje e paharrueshme edhe për të tjerët, duke e fituar peshën e një organizimi fantastik.
Rruga Press