Lajme

Industria përpunuese në Shqipëri në recesion të zgjatur, hyn në vitin e katërt të rënies, bashkë me bujqësinë

Sektori i industrisë në tërësi u rikuperua lehtë me një rritje 0.47% në tremujorin e dytë 2026, pas një rënie të vazhdueshme që nga 3-mujori i fundit i vitit 2024, por dega kryesore e saj industria përpunuese ka hyrë në një fazë të gjatë recensioni.

Industria përpunuese që përfaqësohet kryesisht nga fabrikat e përpunimit, një nga sektorët që udhëhoqi rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, shënoi rënie vjetore me -1.97% në 3-mujorin e dytë të vitit 2026. Sektori hyri në vitin e katërt të rënies dhe situata nuk paraqitet aspak optimiste.

Rënia e euros, dhe kufizimet e kërkesës nga jashtë bashkë me rritjen e kostove në tregun e brendshëm i kanë çuar fabrikat në rënie të lirë. Rënia e pjesës së përpunimit bëhet edhe me e mprehtë, për shkak të peshës së lartë që brenda industrisë. Në totalin e PBB industria kontribuoi me 10% në 2025, ndërsa pjesa më e madhe e sektorit rreth  65% i takonte industrisë përpunuese.

Florian Zekja, Kryetari i Shoqatës Manifaktura Shqiptare tha se sigurimi i lëndëve të para, i energjisë, i pajisjeve mjekësore, i produkteve industriale dhe i zinxhirëve të furnizimit duhet të trajtohet si një prioritet kombëtar. Pavarësia ekonomike, qoftë edhe e pjesshme është domosdoshmëri strategjike. Zekja tha se, historia ka treguar se një ekonomi që mbështetet pothuajse vetëm te shërbimet, si turizmi apo ndërtimi, pa një bazë të fortë prodhuese, është më e cenueshme ndaj krizave.

Të dhënat e mbi PBB tregojnë se tregojnë se industria përpunuese pati një rikuperim të fortë pas goditjes së vitit 2020, me rritje mesatare prej rreth 12% në vitin 2021 dhe 5.5% në vitin 2022. Megjithatë, pas kësaj periudhe, ritmet e zgjerimit u zbehën dhe sektori kaloi në rënie të vazhdueshme. Në 2025-n sektori ra me 1.4%. tendenca rënëse vijoi dhe në dy tremujorët e parë 2026. Sipas Zekjes, sektorët tradicionalë të industrisë, përfshirë tekstilet dhe fasonerinë janë përballur me rritje të kostove të punës, mungesë fuqie punëtore dhe konkurrencë më të fortë nga tregjet e tjera.

Lexo më shumë  Kurti: Do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Vetëm industria përpunuese (përjashtuar industrinë nxjerrëse si dhe energji elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve, që janë kryesisht shtetërore) kishte rreth 95 mijë të punësuar në vitin 2024 (viti i fundit kur raportohen të dhënat), ose 17% e totalit të punësimit që gjenerohet nga bizneset.

Bujqësia në rënie të lirë

Ndryshe nga industria, dobësimi i bujqësisë ka qenë më i hershëm dhe më i qëndrueshëm. Pas një rritjeje të lehtë në vitet 2019 dhe 2020, sektori ka hyrë në një cikël negativ, me tkurrje të vazhdueshme pas vitit 2021. Rënia më e fortë u regjistrua në vitin 2022, kur aktiviteti bujqësor u tkurr me rreth 4.8%, ndërsa edhe në vitet pasuese sektori ka vijuar me norma negative.

Dobësimi i bujqësisë lidhet me një kombinim faktorësh strukturorë dhe afatshkurtër. Sektori vijon të përballet me rënie dhe plakje të popullsisë në fshat, mungesën e subvencioneve dhe  investimeve të mjaftueshme në teknologji dhe mekanizim, si dhe me vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore. Rritja e kostove të inputeve bujqësore, përfshirë naftën, plehrat dhe ushqimet për blegtorinë, ka ushtruar presion mbi prodhuesit, ndërsa ndryshimet klimatike dhe kushtet e pafavorshme të motit po ndikojnë në prodhimin e disa kulturave.

Lexo më shumë  KFOR: Një grup i ushtarëve britanikë ka mbërritur në Kosovë për stërvitje 45-ditore

Një tjetër faktor madhor po bëhet edhe konkurrenca nga importet dhe vështirësitë e fermerëve për të garantuar dalje të qëndrueshme në treg, Pesha e përgjithshme e bujqësisë në PBB ka vijuar rënien e saj graduale nga rreth 15.4% sa ishte një vit më parë, ndikuar nga sfidat e motit, kostot e larta të prodhimit, rënia e eksporteve bujqësore në disa periudha dhe konkurrenca në treg.

Pavarësisht tkurrjes së prodhimit, bujqësia vazhdon të mbetet sektori me përqindjen më të lartë të punësimit informal dhe tradicional në vend, duke siguruar jetesën për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rurale (historikisht duke përfshirë mbi 35- të totalit te të punësuarve. Ekonomia u rrit me 3.61% në tremujorin e dytë 2026. Por ndikimin kryesor në këtë rritje, me rreth 70% e dha administrata publike dhe taksat e subvencionet neto, ndërsa sektorët reale, me përjashtim të tregtisë që po nxitet nga turizmi, po kalojnë një krizë të zgjatur./Monitor

Rruga Press

YouTube player