Eurodeputeti: Rama po reagon në mënyrë represive dhe autoritare, Von Der Leyen t’i kërkojë llogari
“Është e nevojshme që Ursula von der Leyen t’i kërkojë informacion Edi Ramës për atë që po ndodh në Shqipëri.”
Kështu deklaroi Sandro Gozi, eurodeputet i Renew Europe dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane, në një intervistë për gazetën Il Piccolo, në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian në Tiranë.
Në qendër të apelit është ‘Revolucioni Flamingo’, protesta mjedisore dhe kundër korrupsionit.
Një lëvizje që, sipas Gozit, “është ende e fortë dhe vazhdon të kërkojë transparencë dhe demokraci”, ndërsa “Rama reagon në mënyrë represive dhe autoritare’.
“Tani është e nevojshme që Von der Leyen të kërkojë shpjegime, sepse duhet të jemi kërkues në zgjidhjen e problemeve demokratike dhe të transparencës”, shtoi Gozi.
Sipas eurodeputetit, ajo që po ndodh në Shqipëri “nuk është pozitive për një shtet kandidat. Nuk po e ndihmon rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës”.
Gozi kujtoi se i kishte kërkuar llogari kompanisë META dhe Ramës për mbylljen, verën e kaluar, të profileve në Instagram të disa aktivistëve të lëvizjes, duke paraqitur edhe një interpelancë pranë Komisionit Evropian: “Prej kësaj lindi një përplasje e hapur mes Ramës dhe nesh.”
Dhe më tej: “Më 4 shtator dhashë një intervistë për Euronews Albania dhe disa orë më vonë edhe llogaria e tyre u bllokua.”
“Duke pasur parasysh marrëdhëniet mes Giorgia Melonit dhe Ramës, edhe për qendrat në Shqipëri – një dështim që kryeministrja arriti ta shesë si sukses në BE – nuk është çudi që qeveria italiane dhe një pjesë e botës institucionale italiane të jenë kaq të heshtura për ‘Revolucionin Flamingo’”, përfundoi Gozi.
Ai paralajmëroi se “nëse do të gjendemi përballë një Shqipërie jo plotësisht demokratike brenda BE-së, atëherë kemi parë tashmë se çfarë ka ndodhur me Hungarinë”.
Rruga Press

