BallinaLajme

“Inceneratori” i Elbasanit padi ndaj Artan Ramës, reagon gazetari: I qëndroj shkrimit! Padia, tentativë për të frikësuar gazetarët

Nga Gjergj Erebara

Kompania Albtek Energy, e cila ka fituar në vitin 2014 kontratën e koncesionit për ndërtimin e incineratorit të plehrave në Elbasan, hodhi në gjyq gazetarin Artan Rama për shkrimin Prapaskenat e një kontrate të dytë për incineratorin e Elbasanit, publikuar në portavendore.al më 6 nëntor, shkrim në të cilin raportohet për një konflikt gjyqësor mes kompanisë dhe Entit Rregullator të Energjisë, në lidhje me licencimin e impjantit të Elbasanit si prodhues i energjisë elektrike. Enti e ka refuzuar kërkesën e Albtek për përcaktimin e një tarife shitjeje të energjisë së plehrave si energji e rinovueshme, duke e konsideruar kërkesën si të pabazuar në ligj.

“Në përmbajtjen e artikullit që tanimë ka marrë shpërndarje të gjerë, bëhen pohjime paragjykuese, ngrihen vazhdimisht fakte dhe aludime duke përdorur terma si: prapaskena, abuzimi, problemi, larg vëmendjes publike, po merrte jetë, alibia që ngrihet, kleçka, ndërhyrja, po ‘digjen’ paratë tona etj., mbi procedurat e dy kontratave që “Albtek Energy” sh.p.k., ka lidhur me institucione të shtetit shqiptar në lidhje me incineratorin e Elbasanit,” thuhet në aktpadi.

Pyetur nga BIRN, Rama tha se i qëndron shkrimit të publikuar dhe se do ta mbrojë atë në gjykatë.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

“Padia është njësoj siç janë këto padi të bëra modë nga biznesi kundër gazetarëve. Qëllimi është që ti të frikësohesh dhe mos shkruash. Duket se ata nuk e vrasin shumë mendjen se çfarë shkruhet aty, por pasi prodhojnë para në mënyra abuzive, tentojnë ose ta blejnë gazetarin ose ta detyrojnë të heshtë përmes padive të tilla,” tha Rama.

Sipas aktpadisë, kompania gëzon reputacion të lartë, i cili është dëmtuar nga raportimi.

Albtek Energji është një kompani e themeluar në korrik 2014, nën pronësi të Stela Gugallja me kapital 100 mijë lekë. Në dhjetor të atij viti, kompania fitoi një kontratë me vlerë 21.6 milionë euro nga qeveria shqiptare për ndërtimin e incineratorit të Elbasanit. Qeveria nuk hapi garë për një projekt të tillë.

Shkrimi i Ramës raporton se si, në vitin 2016, qeveria e kryeministrit Edi Rama nisi një procedurë të dytë në favor të kompanisë Albtek, për një impjant të prodhimit të energjisë elektrike nga mbetjet. Albtek kundërshton disa fjalë të shkrimit të tilla si “Prapaskenat” dhe “larg vëmendjes së publikut”, të cilat gazetari i ka përdorur për të përshkruar tiparin jotransparent të procedurave të ndjekura nga qeveria shqiptare në koncesionet e incineratorëve të plehrave.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Sipas aktpadisë së Albtek, janë të pabaza aludimet që tregojnë se kjo kompani është favorizuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në fitimin e kontratave dhe se ajo po shpërdoron paratë e taksapaguesve.

“Liria e shprehjes nuk mund të mbrohet kur ajo cënon integritetin psikik, si dhe nderin, personalitetin dhe reputacionin e një personi tjetër, qofshin këta edhe persona juridikë,” thuhet në aktpadi.

Kompania kërkon një dëmshpërblim prej 300 mijë lekësh.

Qeveria shqiptare është vënë nën akuza për favorizim të një grupi kompanish të ndërlidhura, të cilat kanë fituar deri më sot tre kontrata koncesionare për ndërtim incineratorësh, që të gjitha pa garë.

Mirel Mërtiri, një i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, është partneri i pronares së incineratorit të Elbasanit Stela Gugallja ndërsa dy kontrata të tjera koncesionare, incineratori i Fierit dhe ai i Tiranës, janë nën pronësi të Klodian Zotos, një jurist i Mërtirit dhe të një kompanie me pronarë të panjohur të regjistruar në Holandë.

Pas zbulimit të lidhjeve të tij me incineratorët, Mërtiri ka hedhur në gjyq BIRN Albania duke pretenduar dëm moral. / BIRN -Reporter.al/

YouTube player