KryesoreLajme

Ilir Alimehmeti dënon agresionin policor ndaj News24: Policia s’ka asnjë të drejtë të ndalojë gazetarët pa një arsye ligjore dhe të justifikuar

Kreu i Departamentit për Shëndetësinë në Partinë Demokratike dhe njëherazi kryetar i grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka reaguar pas ndërhyrjes së policisë së Shqipërisë në ambientet e televizionit News24.

“Liria e medias është themel i demokracisë. Media e pavarur luan një rol thelbësor në informimin e qytetarëve, në mbikëqyrjen e pushtetit dhe në nxitjen e debatit publik. Ndalimi ose frikësimi i gazetarëve nga policia e minon këtë funksion kritik”, theksoi Alimehmeti.

Lexo më shumë  Ushtarët britanikë do të mund t’u kundërpërgjigjen forcave ruse nëse sulmohen gjatë misionit në Ukrainë

Ai kujtoi se Kushtetuta dhe ligji “njohin, mbrojnë dhe garantojnë lirinë e shprehjes dhe të shtypit” dhe se “policia nuk ka asnjë të drejtë të ndalojë gazetarët pa një arsye ligjore dhe të justifikuar”.

Sipas tij, çdo ndërhyrje e policisë për të penguar punën e gazetarëve shihet si “përpjekje për të fshehur të vërtetën ose për të mbrojtur interesa të caktuara”, gjë që dëmton besimin e qytetarëve si tek institucionet, ashtu edhe tek sistemi i drejtësisë.

Alimehmeti theksoi se ka mënyra ligjore për të adresuar çdo shkelje nga ana e gazetarëve, por veprimet policore duhet të jenë gjithmonë proporcionale dhe brenda kornizës ligjore.

“Media e lirë nuk është armike e shtetit. Ajo është aleate e transparencës dhe e llogaridhënies. Pengimi i saj nga policia është jo vetëm i gabuar, por edhe i rrezikshëm për shoqërinë”, përfundoi ai.

YouTube player