IKMT e konfirmon: Dy godina të Alabarit në Durrës janë fundosur me disa centrimetra
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me problematikat e konstatuara në projektin “Durrës Marina”, duke pranuar se dy godina banimi kanë pësuar ulje të konsiderueshme në strukturë.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer për dy objektet e ndërtuara në zonat e menaxhimit A02 dhe A04 të projektit “Durrës Marina”, të cilat ndodhen në fazën e sistemimeve të jashtme.
Sipas raportit topografik të Institutit të Ndërtimit, objekti 02 ka pësuar një ulje prej 28 centimetrash, ndërsa objekti 04 është fundosur me 18 centimetra.
Pas këtyre konstatimeve, IKMT ka kërkuar zyrtarisht nga kompania zbatuese marrjen e masave të menjëhershme për realizimin e projekt-përforcimeve teknike që do të garantojnë stabilitetin dhe sigurinë e godinave.
“Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se: Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm; Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.
Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave. Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit”,- thuhet në reagimin e IKMT.
Ndërkohë kujtojmë se projekti i njohur ndryshe si kompleksi i Alabarit është prezantuar si një investim strategjik prej 3.2 miliardë eurosh në zonën e portit të Durrësit.
Rruga Press

