BallinaEditorial

Ikja juridike nga politika

Nga Elvis Hoxha

Dallimi politik mes atyre që bëjnë politikë kombëtare dhe atyre që bëjnë politikë antikombëtare në një vend më shumë se imagjinar.

Ata që bëjnë politikë ndërkombëtare, përpiqen të bëjnë procedurë juridiciste kundër veprimtarisë dhe përfaqësimit politik. E ç’përpiqen të bëjnë gjestet juridiciste? Sprova e tyre është të bëjnë diçka që nuk ndodh shpesh. Rëndom është politika e ekzekutivit që cënon gjyqësorin. Por po ndodh që gjykata, e sidomos më e larta, është ajo që po ndërhyn në politikë. Tërë shkeljet e pushteteve në fushën e njëri-tjetrit shpien në shkallë të ndryshme të gjendjes së jashtëzakonshme. Kohët e fundit ekziston një shtet ku gjykata kushtetuese ka krijuar gjendje të politikës dhe shpërndarjes partiake. Aftësitë e kushtetutës bien nëse gjykata kushtetuese i mbivendoset vetes. Një akt-gjykimi që kundërshton një tjetër akt-gjykim,  të së njëjtës gjykatë dhe në lidhje me të njëjtën kushtetutë, sjell çrregullim në politikë. Dhe arsyeja e vetme është fakti se gjendja politike bie në krizë dhe vetë kushtetuta humb konsistencën e  vet.  

Paligjshmëria e ndonjë qeverie, e cila gjykohet vetëm në lidhje me një votim të paligjshëm  prej dhe nga u themelua kjo qeveri, fsheh një tjetër akt që e bëri paligjshmërinë të mundshme. Akt-gjykimi e bëri të mundshme paligjshmërinë e qeverisë. Por ja që nuk ishte politiciteti dhe drejtësia politike ajo që e ndëshkoi këtë paligjshmëri, por vetëm një gjykim procedural. Nëse nuk do të ishte kushti i paligshmëirsë i prodhuar nga një gjykatë kushtetuese, atëherë politika nuk do të vuante veprimtarinë 6 mujore të një qeverie të paligjshme.   

Hapat janë të qartë. Së pari, tradhtia e kushtetutës prej gjykatës që e interpreton dhe e mbron, prodhon paligjshmëri në politikë. Dhe kjo vjen ngaqë kundërthënia e interpretimeve të së njëjtës gjykatë, e nxjerr këtë trup gjykues përtej fushës së vet të frymës dhe gërmës. Gjykata lëviz nga shprehja kushtetuese te përkatësia partiake. Këtu është baza e paligjshmërisë.

Së dyti, pasoja e skajshme është se vetë konstelacioni  politik bie në varësi të procedurave. Kushtetuta dobësohet si shprehje substanciale e sovranitetit politik, kushtetuesja humb boshtin e vet të qenësimit sepse prodhon fraza juridike që cënojnë politikën dhe jo vetëm kushtetutën, vetë kjo  gjykatë do të reduktohet në shumatorin e gabimeve që janë bërë nga organizma që e kanë drejtësinë përgjatë veprimtarisë së tyre. Pandëshkueshmëria e këtyre organizmave mblidhet brenda një akt-gjykimi të kushtetueses. Kështu që Kushtetuesja kthehet në një lloj kapaku shkeljesh procedurale që vijnë nga poshtë. Paligjshmëria e realitetit politik nuk gjykohet më nga qenia politike, por vetëm nga funksioni procedural. Mos u habisni që në veprimin e vet, prej gjykate kushtetuese ajo kthehet në cënuese të vetë politikës.  

Së treti, procedurat kthehen në mënyrën e të jetuarit të politikës. Dhe mediat që e kanë humbur prej kohe rolin e analizës së çështjeve, por që merren më shumë me procedura, gjenden të favorizuara. Dhe mund të arrijnë aty sa ta vrasin politikën si përfaqësim.  Kështu që së pari do të vrasin fuqinë e publikut qytetar, pra do e sulmojnë te përfaqësuesit e fortë të qytetarëve. Ata e dinë se qytetaria politike vritet me analiza procedurale. Dhe kulmi do të jetë kur të kërkojnë me ngulm që mbrojtësi i sovranitetit të ndëshkohet po si hajni i fondeve publike.  

Dhe kjo shpie në një shumë të ulët të përbërësit partiak të politikës. Është përbërësi partiak, i cili varet kryekëput nga publiku elektoral, do të kërkojë ta heqë qafe institucionin e zgjedhjeve. Ndaj dhe nuk do të habitemi që shefi i partisë të ashtuquajtur më institucionaliste do të deklarojë se mendimi i qytetarit nuk ka vend. Pra kryetari i partisë politike, që ka deklaruar të tjera herë se është kryetari i partisë më të mbështetur në popull, deklaron se është për një politikë pa popull, pra për një politikë procedurale.

Cilësia mediatike-partiake e frazës politike bëhet antiqytetare. Dhe janë po militantët e kësaj pale që na thërrasin politikisht vetëm te tradhtia e kombit ngaqë temat e kombit janë detyrë e ulët dhe jo e denjë për politikën. Nga ana tjetër janë po të njëjtët që i gjunjëzojnë viktimat dhe dëshmorët, të zhdukurit dhe veprimtarët. Pra, duke na ftuar drejt kozmopolitizmit, ata vetëm zgjatojnë gabimin e madh të zëvendësimit të politikës nga procedura juridike. Analistët e këtij tipi e zëvendësojnë historinë e brendshme politike me përkatësi abstrakte globale. Analistët e këtij tipi e zëvendësojnë frazën politike me fraza procedurale juridike.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e gjendjes së jashtëzakonshme që prodhon  ikja juridike nga politika.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player