Lajme

​Hovenier: SHBA do të vazhdojë mbështetjen për FSK-në përmes programeve ushtarake

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Gjatë këtij takimi Hovenier, tha se SHBA do të vazhdojë të mbështes FSK-në përmes programeve ushtarake.

“Hovenier theksoi që SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen për FSK-në përmes programeve ushtarake dhe planeve zhvillimore të saj, për të cilat tashmë ka një koordinim paraprak”, thuhet në komunikatë.

Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje ambasadorit Hovenier në misionin diplomatik dhe e falënderoi për mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA-së dhënë për FSK-në që nga themelimi e deri më sot.

Lexo më shumë  Kosova dhe Katari diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit në fushën sociale

Jashari theksoi se FSK është dhe do të jetë forcë profesionale, shumë-etnike, me vlera dhe standardet më të larta, nën kontrollin civil demokratik si dhe në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.

Po ashtu ai e njoftoi ambasadorin Hovenier edhe me planin afatgjatë të zhvillimit të FSK-së si dhe objektivit për pjesëmarrjen në ushtrime dhe misione ndërkombëtare të paqes përkrahë ushtrisë amerikane.

“Në ndërlidhje me partneritetin mes dy shteteve si dhe Programin e Partneritetit Shtetëror më Gardën Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Jashari theksoi që SHBA si partner strategjik është jetik, dhe si Komandant i FSK-së do të punojë shumë që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej në funksion të paqes, stabilitetit te sigurisë rajonale dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë.

Lexo më shumë  Kasami: Deklarata të rrezikshme nga Ali Ahmeti, VLEN nuk është e interesuar për konflikte mes shqiptarëve

Gjithashtu, Hovenier e çmoi faktin që FSK është shumë-etnike dhe përfaqëson përbërjen etnike të popullsisë së Kosovës.

Në ndërlidhje me ushtrimet e përbashkëta, Ambasadori Hovenier theksoi se, bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Kosovës si dhe mbështetja do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Rruga Press

YouTube player