Holanda “shpenzoi mbi 2.6 milionë euro” për të kundërshtuar kërkesat për kompensim për Srebrenicën
Prokuroria e shtetit në Holandë mori 2.6 milionë euro për të luftuar rastet në të cilat Holanda u akuzua për përgjegjësi për vdekjet e boshnjakëve në gjenocidin e Srebrenicës, por kostoja e plotë e rezistencës ndaj kompensimit mund të jetë shumë më e lartë.
Holanda ka thënë se i ka paguar 2.6 milionë euro firmës ligjore “Pels Rijcken”, e cila vepron si zyra e avokatit të shtetit holandez, për ta përfaqësuar atë në çështjet gjyqësore midis 2003 dhe 2021 mbi përgjegjësinë e pjesshme të shtetit holandez për disa nga vdekjet e më shumë se 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë gjatë gjenocidit të Srebrenicës në 1995.
“Në realitet, kostot janë shumë më të larta se kjo”, tha Simon van der Sluijs, një avokat holandez për shoqatën “Nënat e Srebrenicës”, e cila ngriti një çështje për kompensim në gjykatat holandeze në emër të të afërmve të 350 boshnjakëve që u vranë në korrik 1995 pasi u morën nga baza e një batalioni paqeruajtës holandez të OKB-së në fshatin Potocari afër Srebrenicës, ku ata ishin strehuar nga forcat serbe të Bosnjës.
“Në ministrinë e mbrojtjes kishte shumë njerëz që punonin në këto raste, nga avokatët e deri te mbështetja administrative. Në total ka pasur shtatë ose tetë raporte me më shumë se 100 faqe secila. Këto duhet të vlerësohen nga punonjësit e ministrisë, por kjo paguhet nga buxheti i përgjithshëm dhe për këtë arsye ne nuk e dimë saktësisht se sa është shpenzuar për rastet e Srebrenicës”, tha van der Sluijs.
Ai tha se ministria e mbrojtjes angazhoi gjithashtu konsulentë të jashtëm dhe krijoi komitete të posaçme, të cilat kushtojnë edhe më shumë para, kështu që shuma totale mund të jetë më shumë se dyfishi i 2.6 milionë euro.
Përveç rastit të kërkesës për kompensim nga “Nënat e Srebrenicës”, kostot ligjore përfshijnë gjithashtu pagesat e bëra në zyrën e avokatit të shtetit për të vepruar në rastet e ngritura nga Hasan Nuhanoviç, një i mbijetuar i Srebrenicës dhe ish-përkthyes i paqeruajtësve holandezë të OKB-së dhe familjes së Rizo Mustafiç, i cili u vra nga forcat serbe të Bosnjës. Në këto raste, gjykata holandeze vendosi se shteti holandez ishte përgjegjës për vdekjen e tre burrave boshnjakë. Familja e Nuhanoviçit dhe familja Mustafiçit morën kompensim.
Alma Mustafiç, vajza e Rizo Mustafiç, i cila punonte për batalionin paqeruajtës holandez të OKB-së si elektricist dhe për këtë arsye kishte të drejtë të qëndronte në bazën e OKB-së, por u largua që aty dhe më pas u vra, tha se nuk ishte e befasuar nga zbulimi i kostove të mëdha ligjore të bëra nga shteti holandez.
“Sa herë që ishim në gjykatë kishte kaq shumë avokatë. Avokatët holandezë e dinin që në fillim se për ta ky ishte një rast i humbur. Mbaj mend që gjyqtari u tha: “Familja Mustafiç mund ta fitojë këtë çështje dhe atëherë pasojat do të jenë edhe më të mëdha. Jeni të sigurt që dëshironi të vazhdoni kështu?” kujton Alma Mustafiç.
“Ishte shumë e qartë se shteti ishte fajtor dhe gjykatësi u dha avokatëve të tij një shans për ta zgjidhur çështjen. Por pa u konsultuar me ministrinë e mbrojtjes, ata thanë jo dhe vazhduan të luftonin me ne”, shtoi ajo.
“Shteti holandez kishte shumë frikë të na jepte ndonjë dëmshpërblim, por ata nuk hezituan aspak të zbrazin xhepat e tyre dhe të paguanin miliona për të na luftuar në gjykatë”, tha ajo.
Dokumentet që zbulojnë kostot ligjore u publikuan pas një kërkese për të drejtë informimi nga gazetari Edwin Giltay, i cili shkroi një libër për mënyrën se si shteti holandez u përpoq të mbulonte informacionin për rolin e tij në Srebrenicë.
“Shteti nuk ishte kurrë i gatshëm të arrinte një marrëveshje”
Anëtarë të Nënat e Srebrenicës duke folur pë gazetarët jashtë Gjykatës së Lartë holandeze në Hagë në korrik 2019. Foto: EPA-EFE/REMKO DE WAAL.
Avokati van der Sluijs tha se shteti holandez gjithashtu refuzoi të pajtohej me paditësit në rastin e “Nënave të Srebrenicës”.
“Shteti nuk ishte kurrë i gatshëm të fliste me ne për një zgjidhje. Vetëm pasi gjykatësi vendosi që Holanda duhet të paguante kompensim, ata u ulën me ne për të folur për këtë”, tha Van der Sluijs.
“Do të kishte qenë më mirë që paratë që u shpenzuan për avokatët të ishin përdorur për të kompensuar viktimat dhe të afërmit”, shtoi ai.
Në rastin e “Nënave të Srebrenicës”, trupat e batalionit holandez u akuzuan se ua dorëzuan 350 boshnjakët që kishin kërkuar strehim në bazën e OKB-së trupave dhe policisë serbe të Bosnjës më 13 korrik 1995, pas së cilës ata u vranë.
Gjykata e Lartë holandeze vendosi në korrik 2019 se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e 350 burrave. Ajo tha se batalioni holandez veproi ilegalisht sepse e dinte që burrat ishin në rrezik serioz për t’u sulmuar ose vrarë. Vendimi vlerësonte se nëse do të ishin lejuar të qëndronin në bazë, ata do të kishin dhjetë për qind shans për të mbijetuar.
Kjo do të thotë se të afërmit e afërt të 350 boshnjakëve që u vranë mund të kërkojnë kompensim për dhjetë për qind të dëmit që kanë pësuar. Vejushat do të marrin 15 mijë euro kompensim dhe të afërmit e tjerë të mbijetuar do të marrin 10 mijë euro.
Van der Sluijs tha megjithatë se “ekziston një çekuilibër i madh midis asaj që marrin viktimat dhe sa është deklaruar në faturat e atyre avokatëve dhe ekspertëve të tjerë”.
Vërshojnë kërkesat për kompensim
Një post i trupave paqeruajtëse holandeze pranë Srebrenicës në korrik 1995 para se forcat serbe të Bosnjës të merrnin enklavën. Foto: EPA-EFE/UN-DUTCHBAT/PETER VAN BASTELAAR.
Në qershor të vitit të kaluar, Komisioni Holandez i Kompensimit Potocari hapi një zyrë në Sarajevë dhe një faqe interneti ku pretenduesit të bënin aplikimet e tyre për kompensim.
Sipas Frank Neervoort, zëdhënës i Komisionit Holandez të Kompensimit Potocari, deri më tani janë pranuar 1,500 aplikime. Mbi 300 prej tyre janë pranuar dhe në 200 raste tashmë është bërë pagesa.
“Ne jemi shumë të kënaqur me procesin e deritanishëm dhe po marrim aplikime nga Bosnja si dhe nga diaspora në vende të tjera”, tha Neervoort.
“Pasi njerëzit paraqesin kërkesën e tyre, duke përfshirë të gjitha dokumentet e nevojshme, atëherë ne mund ta vlerësojmë aplikimin brenda tre muajve”, shtoi ai.
Shumica e aplikimeve janë ende në shqyrtim, por në 30 raste kërkesa është refuzuar.
“Arsyeja më e zakonshme për këtë ishte se këta të afërm nuk mund ta bëjnë të besueshme që ky person ishte në bazën e batalionit holandez të OKB-së në Potocari pasditen e 13 korrikut kur boshnjakët iu dorëzuan serbëve”, tha Neervoort.
Atë pasdite, një listë me emrat e boshnjakëve që kërkonin strehim në bazë u përpilua nga majori Rob Franken, zëvendëskomandanti i batalionit holandez. Për të afërmit e njerëzve që ishin në atë listë, procedura është mjaft e thjeshtë. Por në listë ka vetëm 251, pasi disa nga boshnjakët nuk pranuan t’ia jepnin emrat batalionit holandez.
“Kur bëhet një kërkesë për një person që nuk është në këtë listë, atëherë të afërmve do t’u kërkohen informacione të mëtejshme. Për shembull, prova të detajuara të dëshmitarëve okularë nga dy ose më shumë njerëz”, tha Neervoort. Kjo ka ndodhur në rreth 150 aplikime, shtoi ai.
Neervoort tha se nuk ka informacion të saktë se sa kompensim u është paguar të afërmve deri më tani. Aplikimet mund të dorëzohen deri në qershor 2023./birn/
Rruga Press