Historia e panjohur e ngjarjes që terrorizoi Mirditën: Pas vrasjes së deputetit, Mehmet Shehu me dy kolonelët rusë ekzekutuan 14 burra

Publikohet historia e panjohur të ngjarjes së ndodhur më 7 gusht të vitit 1949, ku në vendin e quajtur Qafa e Valmerit, nga një pritë e organizuar prej organizatës “Lidhja Kombëtare e Maleve” të kryesuar prej Ndue Pjetër Gjonmarkaj, mbeti i vrarë Bardhok Biba, që asokohe mbante funksionin e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Mirditës dhe Deputeti i Kuvendit Popullor i asaj krahine.

Kush ishte Bardhok Biba?

Bardhoku lindi më 28 janar të vitit 1920 në katundin Bulshar të Oroshit, një fshat që jo shumë larg tij, asokohe ndodheshin sarajet e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, me të cilët Bibë Marku, babai i Bardhokut, ishte kushëri i afërt. Dera e madhe e Gjonmarkajve e njohur ndryshe dhe si Princat e Mirditës, që nga koha e Turqisë, ishte e ndarë në tre degë (fise). Sipas disa studimeve dhe dëshmive të ndryshme, njëra degë e atij fisi, ishte ajo që përfaqësohej nga Preng Bib Doda, (Pasha) i cili në vitin 1914-të në qeverinë e Princ Vidit, mbajti portofolin e Ministrit të Punëve Botore. Kjo degë u shua, pasi Preng Bib Doda nuk la trashëgimtarë.

Dega e dytë e Gjonmarkajve, ishte ajo që njihet si e Lleshit të Zi, pasardhës të së cilës ishte Gjon Markagjoni, Kapidani i Mirditës i vendosur me saraje në Orosh e cila ishte dhe dega e vetme e atij fisi, që vazhdoi trashëgiminë, si familja e parë e Mirditës. Kurse nga dega e tretë e fisit të Gjonmarkajve, rridhte Bibë Marka Kola, babai i Bardhok Bibës, që ndonëse ishte një familje tejet e varfër, njihej si pasardhëse e Gjonmarkajve.

Shtëpia e Bibë Marka Kolës, me kushërinjtë e tij Gjonmarkajt, ishin vazhdimisht në konflikte, që kishin filluar që nga koha e Turqisë, kur Gjonmarkajt trashëguan të vetëm, parinë e Mirditës. Një nga arsyet e këtij konflikti të heshtur në mes dy familjeve që rridhni nga i njëjti oxhak, në mes të tjerash thuhet të ketë qenë dhe internim që turqit i bënë Bibë Marka Kolës, nga të cilët Gjon Markagjoni, kishte marrë titullin Kapedan i Mirditës.

Gjonmarkajt e dërgojnë Bardhokun në shkollë

Me ndihmën e kushërinjve të tij, Gjonmarkajve, që asokohe kishin hapur dhe ndihmonin me shpenzimet e tyre, Konviktin e Oroshit, Bibë Marku, mundi që ta rregullojë djalin e tij Bardhokun, të vazhdonte shkollën fillore në atë fshat. Pas mbarimit të kësaj shkolle, po me ndihmën e Gjonmarkajve, në vitin 1934, Bardhoku, mundi që të merrte një bursë shtetërore nga qeveria e Mbretit Zog, për të vazhduar shkollën e mesme në konviktin “Malet Tona” të qytetit të Shkodrës.

Në atë gjimnaz, Bardhoku u njoh për herë të parë me idetë komuniste, të cilat në qytetin e Shkodrës kishin filluar të përhapeshin nga viti 1935, kur disa komunistë të besimit ortodoks nga Mali i Zi, sollën aty literaturën bolshevike e cila u përqafua nga një pjesë shumë e vogël e rinisë shkollore të atij qyteti, si: Emin Duraku, Xheladin Hana, Tom Kola, Nazmi Rushiti, Hajdar Dushi, Ibrahim Sako etj.

Këta ishin të ndikuar dhe nga Vasil Shanto e Qemal Stafa, që me gjyqin e tyre në vitin 1938, kur u zbulua dhe u arrestua grupi të rinjve shkodranë ‘Grupi Komunist i Shkodrës’, me në krye Zef Malën. Sipas dokumenteve që ndodhen në historikun e gjimnazit të Shkodrës, emri i Bardhok Bibës së bashku me Tom Kolën, ishte në listat e atyre, që do të arrestoheshin, por nuk dihet përse ajo listë nuk u ekzekutua nga organet përkatëse.

Përjashtohet nga shkolla si komunist

Pas kësaj, më 19 shkurt të vitit 1940, Bardhoku i ndërpreu studimet në vitin e katërt, se u përjashtua nga shkolla për veprimtari komuniste dhe antifashiste, pasi ishte arrestuar edhe njëherë më parë. Si masë ndëshkimore për veprimtarinë e tij, ai u dërgua në fshatin e lindjes Bulshar, që të mbahej nën mbikëqyrjen e xhandarmërisë. Edhe pas dërgimit të detyruar në fshatin e tij, Bardhoku nuk i ndërpreu lidhjet me shokët e Grupit Komunist të Shkodrës, ku shpesh herë largohej fshehurazi dhe shkonte për t’i takuar ata.

Që me krijimin e celulës së parë partizane të Mirditës, në fundin e vitit 1943, e cila u krijua sipas porosisë së Qarkorit Komunist të Shkodrës, që komandohej nga Mat Doda e Pashko Curri, Bardhok Biba u inkuadrua në atë formacion të vogël, që përbëhej nga shtatë-tetë vetë, me komisar Nuri Llazanin, të dërguarin e Qarkorit Komunist. Nga fillimi i tetorit 1944, disa bajraktarë të Veriut, së bashku me eksponentët kryesorë të forcave nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’ e ‘Legalitetit’, u mblodhën në një fshat të Mirditës dhe formuan “Lidhjen e Maleve”, e cila ishte një organizatë. që do të merrej me rezistencën antikomuniste.

Kjo “Lidhje”, kishte si detyrë kryesore të frenonte depërtimin forcave partizane në ofensivën, që ato kishin marrë për në Shqipërinë e Veriut. “Lidhja e Maleve”, që në fillimet e saja u gjend nën goditjen e forcave partizane, ku një rol kryesor luante dhe Bardhok Biba, si njeri nga krerët e partizanëve mirditorë që e njihte mirë gjendjen e terrenin në atë krahinë.

Aty nga fundi i vitit 1944, një nga ngjarjet që bëri bujë të madhe në prag të mbarimit të Luftës, ishte dhe djegia e sarajeve (kullave) të Gjonmarkajve në Orosh, nga brigadat partizane që vinin nga Jugu i vendit. Djegia e sarajeve të Gjonmarkajve, asokohe nga ana e forcave antikomuniste që kryesoheshin nga Gjon Markagjoni, ju atribua dhe Bardhok Bibës kushëririt të tyre, i cili ishte bërë komunisti numër një dhe komisar i partizanëve të çetës së Mirditës.

Deputet e Sekretar i Parë i Mirditës

Mbarimi i Luftës e gjeti Bardhokun, një nga krerët kryesorë të atyre pak partizanëve mirditorë, që ishin inkuadruar në radhët e brigadave komuniste. Me këtë autoritet të padiskutueshëm që ai pati ndër ato pak kuadro të shkolluar, që kishte Mirdita asokohe, u emërua Komisar i Komandës së Vendit dhe ju dha grada e togerit. Këtë detyrë ai e mbajti deri nga mesi i vitit 1945, kur u ngarkua me detyrën e shefit të Nën/Seksionit të Sigurimit të Shtetit të rrethit Mirditës. Këtë detyrë, Bardhoku e mbajti deri nga fundi i vitit 1946 dhe në janar të 1947-ës, u lirua nga ajo detyrë, pasi u emërua në Komitetin Ekzekutiv të rrethit.

Po kështu në vitin 1947, Bardhoku u propozua si deputet i Mirditës në Kuvendin Popullor, pasi Zef Haxhisë, që ishte zgjedhur deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, ju hoq mandati. Sipas versionit zyrtar që u dha për Zefin asokohe ai, nuk e kishte justifikuar besimin që i dha populli i Mirditës. Pas heqjes së tij, u organizuan zgjedhjet, ku Bardhoku fitoi të drejtën të hynte si deputet në Kuvendin Popullor, i propozuar nga Fronti Demokratik (ndonëse ishte kandidaturë e vetme) që përfaqësohej nga Partia Komuniste.

Mbas kësaj, në 12 maj të vitit 1949, kur u mbajt Konferenca e Partisë Komuniste për Mirditën, Bardhoku u zgjodh Sekretar i Parë i rrethit. Që nga mbarimi i Luftës në fundin e 1944-ës e në vazhdim kur Bardhoku ishte me detyra kryesore në Mirditë, ai u ndesh me probleme të mëdha, pasi në atë zonë vepronin forcat e rezistencës antikomuniste, që udhëhiqeshin nga kushërinjtë e tij Gjonmarkajt, të cilët e konsideronin atë si armikun kryesor të tyre. Asokohe në malet e Mirditës, pati disa përpjekje të armatosura ndërmjet forcave komuniste të Divizionit të Mbrojtjes dhe atyre të rezistencës antikomunistë, që udhëhiqeshin nga Gjonmarkajt, në të cilat pati humbje në njerëz nga të dy palët.

Nga këto përpjekje, deri në vitin 1949, u vranë dhe disa nga krerët kryesorë të rezistencës antikomuniste, duke përfshirë dhe dy vëllezërit Mark e Llesh Gjonmarkaj, djemt e Gjon Markagjonit, Kapidanit të Mirditës, që ishte larguar nga Shqipëria, në nëntorin e vitit 1944 dhe ishte vendosur në Itali, me një pjesë të familjes së tij. Përveç këtyre vrasjeve, një pjesë e madhe e familjeve mirditore, që kishin njerëz të arratisur në male dhe të tjerë që dyshoheshin se strehonin forcat antikomuniste, ose siç njiheshin ndryshe asokohe “të reaksionit”, ishin internuar në kampin e Tepelenës. Pra sa më sipër, Bardhok Biba gjendej në mes “dy zjarresh”: Nga njëra anë prej Tiranës zyrtare, që i kërkonte shuarjen e rezistencës antikomuniste në rrethin e Mirditës, ku ai ishte sekretar i Parë i Komitetit të Partisë dhe nga ana tjetër, mirditorët dhe të afërmit e tij, që kërkonin ndihmë dhe mbrojtje, nga reprezaljet dhe goditjet e vazhdueshme, që ndërmerrte regjimi komunist, ndaj asaj krahine!

Si ndodhi vrasja e Bardhokut?

Mbas vrasjes së dy vëllezërve Gjonmarkaj, vendin e tyre në krye të organizatës “Lidhja Kombëtare e Maleve”, që vazhdonte ende rezistencën në malet e Mirditës dhe më gjerë, e zuri Ndue Pjetër Gjomarkaj, që ishte dhe kushëri i dytë i Bardhok Bibës. Kjo organizatë, duke akuzuar Bardhok Bibën si shkaktarin kryesor të vrasjeve dhe terrorit, që ishte ndërmarrë ndaj forcave të tyre dhe familjeve që i kishin strehuar ata, vendosi vrasjen e tij. Kështu më 5 gusht 1949, njeri prej anëtarëve që ishte i lidhur me forcat e rezistencës antikomuniste, zbuloi udhëtimin e fshehtë të Bardhokut, për në katundet Kaçinar dhe Simon, ku ai do të shkonte për konferenca partie.

Në ato udhëtime Bardhokun e shoqëronte një afërm i tij, Pal Gjoka dhe një polic lokaliteti i quajtur Dodë. Lidhur me këtë gjë, Ndue Mëlyshi, një nga eksponentët kryesorë të rezistencës antikomuniste, (i hedhur dy herë me parashutë nga Zbulimet e huaja në malet e Mirditës), në kujtimet e tija të botuara në vitin 1970 në SHBA-ës, ku ai ishte si emigrant politik, ndërmjet të tjerash, shkruan: “Mbledhja jonë, pasi mori vendimin e dytë për vrasjen e Bardhok Bibës, përgatiti planin konkret, bashkë me letër-vendimin e nënshkruar nga kryetari i asaj kohe, Ndue Pjetër Gjonmarkaj. Pas kësaj në 7 gusht të vitit 1949, në Qafë të Valmirit, në ora dy pasdreke, organi i shpagimit realizoi vrasjen e Bardhokut”.

Vrasja e deputetit dhe Sekretarit të Parë të Mirditës, bëri bujë të madhe deri në Tiranë, ku Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, u thirr në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku diskutuan të gjithë dhe u morën vendimet përkatëse, se si do të veprohej për ngjarjen që kishte ndodhur.

Hakmarrja e udhëheqjes komuniste, për vrasjen e Bardhokut

Pas vrasjes së Bardhok Bibës, qeveria e Tiranës u alarmua së tepërmi dhe menjëherë ajo dha urdhër për organizimin e një operacion ndëshkimor të përmasave të mëdha, të paparë ndonjëherë. Ky operacion u vu direkt nën komandën e gjeneral-kolonel Mehmet Shehut, që asokohe ishte në postin e Ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe dy këshilltarëve të tij, kolonelëve sovjetik, Sovolovski e Voleskini. Në krye të operacionit ndëshkues, Mehmet Shehu, mbërriti në Mirditë në datën 10 gusht dhe qëndroi aty deri më datën 18 të atij muaji. Gjatë kësaj periudhe kohe, forcat ushtarake të ekspeditës ndëshkimore të kryesuar prej tij, arrestuan me qindra persona, ku pjesën më të madhe të tyre i nisën për në qytetin e Shkodrës, kurse ata që i konsideronin si më kryesorët, i mbajtën në Seksionin e Sigurimit të rrethit të Mirditës.

Vetëm disa ditë pas ceremonisë mortore të varrimit të Bardhok Bibës, ku arkivolin e mbanin Mehmet Shehu me gjeneral Gjin Marka Tomën, ekspedita ndëshkuese e përforcuar dhe me forca të Brigadave të Mbrojtjes së Popullit, në datën 18 gusht, pikërisht në Qafën e Valmirit, atje ku ishte vrarë Bardhok Biba, ekzekutoi 14 burra nga Mirdita e Kthella. Kjo ekzekutim u bë në prezencë të banorëve të atyre fshatrave, që ishin mbledhur me detyrim aty nga forcat ushtarake, me qëllim për t’i terrorizuar ata. Katër vetë u varën në litar, kurse dhjetë të tjerë u pushkatuan.

Katërmbëdhjetë të ekzekutuarit ishin: Llesh Mëlyshi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Bardhok Dodë Lleshi, Gjergj Keq Belshi, Dodë Marka Biba, (nga Kthella) Dedë Preng Gjomarkaj, Nikkol Llesh Nikolli, Preng Shkurt Nikolli, Gjin Kaçi, Ndoc Gjetpalaj, Frrok Mata, Mark Ndrec Marku, Dedë Paloka dhe Zef Vila nga Mirdita. Sipas dokumenteve arkivore të zbuluara vitet e fundit, (letra e prokurorit Bilbil Klosi, dërguar Enver Hoxhës dhe Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së), për ekzekutimin e 14 mirditorëve, u dha aprovimi nga vetë Enver Hoxha, gjatë një komunikimi me telefon me Prokurorin Bilbil Klosi.

Sipas mjaft dëshmitarëve okularë që jetojnë edhe sot në rrethin e Mirditës, ashtu dhe kujtimeve të disa prej eksponentëve kryesorë të mërgatës politike shqiptare, të botuara në Perëndim, (si, Nikoll Mëlyshi dhe Ndue Mëlyshi), Llesh Mëlyshin e torturuan shumë rëndë dhe akoma pa i dalë shpirti, Forcat e Ndjekjes, e lidhën me litarë këmbë e duar, pas makinës së Mehmet Shehut dhe e tërhoqën zvarrë gjatë gjithë xhadesë, nga Rrësheni e deri në urën e Fanit e kthim në nënprefekturë, afërsisht 10 km. Pas ekzekutimit, të gjithë të vrarët i hodhën në një gropë të madhe të përbashkët. Nga gropa ku i kishin hedhur, disa nga të ekzekutuarit që akoma nuk ju kishte dalë shpirti, kërkuan nga forcat e ndjekjes që t`i qëllonin përsëri, përpara se t’i mbulonin me dhé, ferra dhe gurë.

Po ato ditë forcat ushtarake që drejtonin operacionin, bënë reprezalje në të gjithë Mirditën, duke marrë me dhunë afro 500 vetë, burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët i rrahën barbarisht. Rreth 300 prej tyre i nisën në burgjet e Shkodrës, kurse dhjetëra të tjerë i nisën fillimisht për në rrethin e Lezhës, e më pas në Krujë, Berat, për të përfunduar në Kampin e Tepelenës. Thuhet se gjeneral Mehmet Shehu, i tha babait të Bardhokut: “Mos u mërzit, se do pushkatoj 200 burra, në shenjë hakmarrje për shokun tonë”, por Bib Marku, i’u përgjigj: “S’duhet me e ba atë punë, se nuk ma ka fajin Mirdita”!

Operacioni ndëshkues në Mirditë, i kryesuar nga Mehmet Shehu, nuk dihet se sa do të kishte zgjatur, po të mos kishin filluar trazirat në kufirin Jugor me Greqinë, të cilat nga propaganda dhe historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës, njihen tashmë si “Provokacionet e Gushtit ‘49”. Më datën 18 gusht 1949, Enver Hoxha urdhëroi gjeneral-Mehmet Shehun, që të ndërpriste operacionin në Mirditë, sepse në Malin e Gramozit kishin filluar provokimet e rënda, pasi qeveria greke e kryeministrit Caldaris, sulmoi “rebelët e kuq”, siç njihej ndryshme ushtria e  gjeneralit Markos Vafjadhis, të cilët u strehuan brenda territorit shqiptar, duke pasur ndihmën e pakursyer të qeverisë së Tiranës dhe gjithashtu edhe vendeve të tjera të Lindjes Komuniste, me në krye Bashkimin Sovjetik të asaj kohe.

Pse u vra Bardhok Biba?

Lidhur me këtë vrasje, Ndue Mëlyshi një nga eksponentët kryesorë të rezidencës antikomuniste, në kujtimet e tij, midis të tjerash shkruan: “Bardhok Biba u vra sepse ai ishte një komunist famëkeq dhe si i ri që ishte, u zhyt thellë në krime e gabime, i gënjyer nga satrapët e Tiranës. Ai duke mos pasur eksperiencën e jetës politike, u bë një vegël në duart e tyre. Bardhoku u bë njeri me influencë të madhe ndër komunistë dhe për sa kohë që ishte gjallë, luajti disa role që satrapëve të Tiranës, ju kënaqej shpirti. Si deputet i Mirditës, punoi me zell shumë të madh për ta shtypur atë krahinë. Prandaj dhe fundi i erdhi i keq e u zhduk nga kjo botë, pa arritur dot t`i zërë vendin Gjon Markagjonit, që ai e lakmonte aq shumë”.

Po kështu për vrasjen e Bardhok Bibës, që nga ajo kohë e më pas, janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet. Është thënë se në vrasjen e tij, ka pasur gisht dhe Tirana zyrtare, e cila donte një shkak për të goditur dhe terrorizuar rëndë Mirditën, pasi aty asokohe vepronte një pjesë e madhe e rezistencës antikomuniste, që ishte e lidhur e financohej nga Zbulimet e huaja, me në krye CIA-n.

Po kështu thuhet, se përpara se të merrej vendimi për vrasjen e tij, nga krerët e organizatës “Lidhja Kombëtare e Maleve”, pati mjaft debate, për të mos e kryer atë vrasje, pasi dihej se komunistët do të bënin terror në Mirditë, por kreu i “Lidhjes”, Ndue Pjetri, nguli këmbë për ekzekutimin, gjë të cilën i’a kërkoj njëri prej pjesëtarëve të grupit, që akuzonte Bardhok Bibën për vrasjen e të birit të tij dhe ishte betuar se: “nuk do largohej nga Shqipëria, pa ja marrë hakun të birit, duke ja çu Bardhokun njat…”! Të gjitha këto bënë që Ndue Pjetri, të aprovonte dënimin me vdekje të Bardhok Bibës, sepse veç të tjerash “do kënaqej Gjon Marka Gjoni në Itali, kur ta merrte vesh vrasjen e njeriut, që i kishte djegur sarajet në Orosh dhe i kishte vrarë dy djemtë, Markun e Lleshin”. Sidoqoftë të gjitha këto mbeten hipoteza, por një gjë është e saktë, se pas vrasjes së Bardhokut e gjithë Mirdita, ju nënshtrua një terrori të paparë dhe Tirana zyrtare e mbajti të shtypur atë, deri në vitin 1991, kur u shemb regjimi komunist. /Memorie.al/

Rruga Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.

AlbanianEnglishFrenchGermanItalianPortuguese