KryesoreLajme

Haxhiu në takim me kongresistët amerikanë theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, të cilët po qëndrojnë në Kosovë si pjesë e një delegacioni të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit, Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që ShBA-ja dhe Kongresi Amerikan i kanë dhënë Kosovës ndër vite, duke theksuar rëndësinë historike, politike dhe njerëzore të kësaj mbështetjeje për qytetarët e vendit.

“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, deklaroi Haxhiu.

Lexo më shumë  Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë, shqetësim liria e medias: Dënojmë sulmet dhe retorikën e përdorur nga zyrtarët e lartë

Ajo falënderoi kongresistin Keith Self për mbështetjen ndaj aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe për angazhimin lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas Haxhiut, anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një çështje kyçe për sigurinë afatgjatë të vendit, paqen rajonale dhe pozicionimin e Kosovës mes shteteve demokratike.

Në takim u vlerësua edhe pjesëmarrja e kongresistit Suhas Subramanyam në delegacion, me fokus në mundësitë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi, inovacioni dhe shërbimi publik.

Lexo më shumë  430 mijë dollarë për një vit, lobimi i Erion Veliajt fokusohet tek institucionet që mbështesin SPAK në SHBA

Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e partneritetit me ShBA-në në fushat e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, diplomacisë dhe integrimit euroatlantik.

Ajo shtoi se Kosova synon ta nderojë miqësinë me ShBA-në duke mbetur një partnere e besueshme për paqe, siguri dhe zhvillim demokratik.

Rruga Press

YouTube player