KryesoreLajme

Haxhiu: Në mungesë të reflektimit politik, zgjidhja mund të jenë zgjedhjet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për situatën e bllokuar në Kuvend, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme.

Haxhiu para mediave ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, rrethanat aktuale dhe afatet kushtetuese e bënë të nevojshme ndërhyrjen e Kushtetueses.

Sipas saj, kjo ndërhyrje nuk është rezultat i kërkesave të partive opozitare, por rrjedhojë e kërkesës së presidentes Vjosa Osmani.

Lexo më shumë  Prebreza betohet si Kryetar i Fushë-Kosovës: Premton transparencë dhe shërbim për të gjithë qytetarë

“Duhet pasur parasysh që as LDK e as PDK nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, por duke marrë parasysh aktgjykimin e Kushtetueses, që Kuvendi duhet të konstituohet jo më larg se 30 ditë, është e natyrshme që në këto rrethana — kur nesër e kemi ditën e fundit — që Kushtetuesja të marrë një masë të tillë. Por jo për shkak të këtyre partive, por ngase Osmani ia ka kërkuar masën e përkohshme,” u shpreh Haxhiu.

Ajo shtoi se pavarësisht masës së përkohshme që hyn në fuqi më 27 korrik, nuk përjashtohet mundësia që seanca konstituive të mbahet sot ose nesër.

Deputetja kritikoi opozitën për, siç u shpreh ajo, mungesë të vullnetit për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në Kuvend.

“Bëhen disa ditë që opozita nuk ka marrë fare pjesë në votim. Nëse nuk ka reflektim dhe në raport me analizën kushtetuese, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, tha ajo.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.

YouTube player