Bota

Grupi “Wagner dështon në Ukrainë, fillojnë çarjet mes Putinit dhe mercenarëve paramilitarë

Inteligjenca britanike njoftoi të hënën se efekti dhe roli i mercenarëve të grupit “Wagner”, të rekrutuar nga Rusia, do të bjerë pas betejave në Luhansk, transmetoi BBC-ja të hënën.

Sipas raportit të përditshëm britanik, “Wagner” pati rol kyç në betejat e fundit në Ukrainë, duke përfshirë kapjen e qyteteve Popasnaya dhe Lysychansk. Këto beteja i shkaktuan grupit mercenar humbje të mëdha, ndërsa theksohet se raportet mes Rusisë e “Wagnerit” janë përkeqësuar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, rekrutoi pjesëtarët e kompanisë private për t’i përforcuar forcat e vijës së parë, si dhe për të zvogëluar mungesën e personelit.

Sipas Britanisë së Madhe, “Wagneri” punëson persona të dënuar dhe ata që figurojnë në “lista të zeza” ndërkombëtare. “Wagnerët” përfitojnë trajnime ushtarake e pagë të majme.

Lexo më shumë  Zelensky paralajmëron për një “Çernobil të dytë”

Kreu i organizatës, Yevgeny Prigozhin, së fundmi mori titullin “Hero i Rusisë” për veprimet luftarake mbi rajonin e Luhanskut.

“Pakënaqësitë mes “Wagnerit” e Putinit kanë nxitur rënie të moralit te ushtria ruse”, njoftoi Inteligjenca britanike.

Muaj më parë u raportua se të paktën 3 mijë mercenarë pro-rusë janë vrarë në luftime me Ukrainën. Rusia i kishte angazhuar 8 mijë të tillë.

Shumë shtete perëndimore e konsiderojnë si grup terrorist që lufton në shumë zona të botës. Kremlini zyrtarisht nuk pranon se bashkëpunon me të.

Në vitin 2021 Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Grupit Wagner, për shkelje të të drejtave të njeriut në vendet ku operon. OKB-ja e ka akuzuar Wagnerin për kryerjen e krimeve të luftës në Libi. Në vitin 2020, ushtria e Shteteve të Bashkuara akuzoi mercenarët Wagner se kishin vendosur mina tokësore dhe pajisje të tjera shpërthyese të improvizuara rreth kryeqytetit libian, Tripoli.

Lexo më shumë  Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

Në grupin Wagner besohet të ketë edhe një njësi serbe, e cila ishte, të paktën deri në prill 2016, nën komandën e Davor Saviçiç, një serb i Bosnjës i cili ishte anëtar i Gardës Vullnetare Serbe, të njohur edhe si Tigrat e Arkanit, gjatë Luftës në Bosnje dhe Njësia e Operacioneve Speciale (JSO) gjatë Luftës së Kosovës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *