Art & Kulturë

“Gratë” bashkojnë rrëfimet personale në demaskimin e realitetit

E hollë edhe vija ndarëse midis rrëfimeve personale të gjashtëshes së aktoreve dhe asaj që mund të lexohet si tekst dramaturgjik. Te “Gratë” aktoret luajnë vetveten, thonë historitë e tyre dhe aty nuk gjëllin fiksioni. S’ka fiksion as me realitetin. Nëpërmjet kësaj shfaqjeje, nën regji të Nastazja Domaradzkas, bazuar në rrëfimet e aktoreve, me tekste të Agnesa Mehanollit, Brikena Sopit e Ulpiana Malokut, shoqëria mund ta shohë vetveten. Thirret për barazi, por aty ngjan e kundërta
Thirrja se “gratë janë të barabarta me burrat” vjen si refren që bën ndarjen midis ndodhive, por ato nuk e konfirmojnë një gjë të tillë. Përkundrazi, është antonimia e asaj që ngjan në skenë me shfaqjen “Gratë”. Jo rrallë mund të lexohet edhe si sarkazëm. Një fuqi e cila nuk shihet me sy e sulmon gruan, që e shpreh këtë mendim të sajin, sado që edhe ajo e ndien pavërtetësinë e saj. Pas secilës herë që dëgjohet kjo bindje, e cila nuk është edhe aq e fuqishme në mendjen e gruas që e thotë me zë të lartë, nis një rrëfim i cili e hedh poshtë. Me “Gratë”, nën regji të Nastazja Domaradzkas, e dhënë premierë të mërkurën mbrëma në atë që quhet Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës – objekti i përkohshëm i TKK-së që prej rinovimit – rrëfehet shtypja dhe trajtimi jo i duhur i grave, ose më saktë mënyra jo e barabartë e trajtimit të gruas duke u nisur nga aspekti gjinor.

Tre trekëndësha të kuq vendosur në skenën e errët të teatrit janë ata në të cilat ngujohen gratë. Derisa secila nga aktoret nëpërmjet monologut rrëfen një histori, të tjerat mbyllen nën petkun e tradicionales. Është mënyra se si shfaqet dukuria e të qenit grua e shtypur.

Monologët e interpretuar shfaqin edhe histori personale, të cilat nuk i kanë ndarë ndonjëherë më parë publikisht. Sheqerie Buqaj, duke u nisur me një bluzë, tregon edhe historinë e motrës së saj, e cila u mbajt në burg për 5 muaj. Arsyeja ishte sepse ajo këngën të cilën pa dyshim e këndonte për argëtim iu kthye në makth, sepse në të përmendi “Malësinë”.

Kjo e bën të emocionohet dhe të shprehet e bindur se ajo që i ka ndodhur motrës së saj nuk është vetëm burgosja. Është e sigurt se historia prapa saj ka keqtrajtime dhe këtë ajo do ta kuptonte tek të folurit e motrës së saj me zë të ulët. Është enigma që iu desh kohë ta zbërthejë. Profesioni gjithashtu është një aspekt i cili shpesh në shoqëri bën diferenca mes grave dhe burrave. Roli por edhe vetë Xhejlane Godanci e nxjerr atë nëpërmjet monologut. Tregon për përballjen që ajo kishte me babanë e saj dhe sfidat e tyre karshi asaj se çfarë thoshin të tjerët për “të bijën aktore”.

Shfaqja më vete ngërthen edhe këngë e vallëzime. Ato shpesh bëhen në mënyra moderne, derisa tradicionalja shfaqet përsëri në mesin e grave aktore, të cilat janë gratë e realitetit të sotëm shoqëror. Kap edhe temën e lavdeve që thuhen pas gruas së vdekur. E në këtë pjesë te “Gratë” thirren emrat e grave të vrara, si shembulli të cilin audienca arrin ta njohë e ta prekë. Kështu, vrasja dhe dhuna fizike e psikike ndaj grave, ndalimi i shkollimit, ofendimet dhe keqtrajtimet e të gjitha mënyrave janë fenomenet që i trajton shfaqja që për nëntitull ka “ose mëkatet e tyre në patriarkat”.

Veshjet e aktoreve thurin motive tradicionale, përderisa shpirti dhe trupi shpesh u vallëzojnë nën tingujt e muzikës hip-hop. Mirëpo, kjo nuk zgjat shumë, sepse ato jetojnë në një shoqëri që në palcë e ka zakonin.

Përderisa dhimbjen e të jetuarit në mënyrë të tillë aktoret e shprehin me interpretim, kjo duket sikur nuk u mjafton kur ato zënë të shkruajnë edhe në murin e skenës. Fjalë ofenduese e ato të nisura nga dëshira që u buron prej brenda – si “Liri” e “Barazi” – murit me ngjyrë të errët i dhanë një grimë bardhësi qoftë edhe si simbolikë shprese.

Regjisorja polake Nastazja Domaradzka, bashkë me ekipin e grave me të cilat e solli këtë shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka thënë se trajtimi i grave në shoqërinë e Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit nuk është i duhuri dhe kjo është ajo të cilin janë munduar ta nxjerrin në skenë.

“Duhet t’i shihni ‘Gratë’ për të kuptuar se si mendoj se trajtohen ato. Nuk mendoj se është shumë e ndryshme nga shtetet e tjera të Ballkanit. Mendoj se ka shumë gjëra për të cilat duhet të shqetësohemi. Unë jam me origjinë nga Polonia dhe ne kemi situata të ngjashme, për shembull kemi ligje shumë strikte për abortin atje. Mendoj se janë shumë gjëra në Kosovë që janë të fshehura e për të cilat njerëzit nuk flasin shumë, dhe mendojnë që kjo është liberale, por në fakt nuk është”, ka thënë Domaradzka.

Pos aktoreve, edhe i gjithë ekipi punues i kësaj shfaqjeje është përbërë nga gratë dhe këtë e vlerëson në veçanti regjisorja polake.

“Ekipi ka qenë i përbërë nga gra të ndryshme, në kuptimin e moshës, nga ajo se prej nga vijnë, nga e kaluara. Ne u bëmë bashkë për të bërë diçka që është shumë e rëndësishme”, ka thënë ajo në një intervistë për KOHËN.

Aktoret të cilat i thanë monologët, e rrëfimet e tyre personale i shprehën nëpërmjet vargjeve, e vlerësuan këtë mënyrë të paraqitjes skenike si një lloj i veçantë i interpretimit. Ndryshe nga herët e tjera, me “Gratë” u ngjitën për të mos u ndier si aktore, por për të reflektuar një të vërtetë.

“Ju e patë që secila prej nesh kemi pjesë personale ku kemi qenë vetvetja. Unë kam ndarë një pjesë timen, e cila është për motrën time. Nuk ka të bëjë me dhunën, por një pjesë e vogël që ka qenë nga demonstratat atëherë, edhe ajo ka përjetuar dhunë. Me të vërtetë ishim të vërteta, nuk kemi qenë për asnjë moment aktore”, ka thënë Buqaj.

Vija mes audiencës dhe aktoreve është e zbehtë te shfaqja “Gratë”, bazuar në tekstet e Agnesa Mehanollit, Brikena Sopit e Ulpiana Malokut. Secila prej aktoreve afrohet me audiencën, ndonjëherë bën edhe bisedë, e cila tingëllon e lirë dhe e momentit. Shpesh shikuesve u drejtohet me pyetje. Kjo sjell emocione edhe te publiku e edhe te vetë aktoret.

“Gjatë provave kemi pasur momente në të cilat edhe kemi qarë. Mandej duke i bërë provat si duket jemi ambientuar edhe kemi mundur ta tejkalonim përveç kur i kemi emocionet tona në momentet, të cilat janë të pashmangshme sigurisht”, ka thënë Edona Reshitaj, e cila në këtë shfaqje flet për mënyrën e shfrytëzimit dhe portretizimit të gruas për kënaqësi momentale nga burrat.

Në mesin e audiencës, pos një numër të konsiderueshëm të grave kishte edhe shumë burra, të cilët e kanë duartrokitur punën që aktoret e kanë bërë.

Aktori Shpëtim Kastrati ka thënë se tema e rëndë e kësaj shfaqjeje është transmetuar në mënyrë të mrekullueshme nga aktoret. E ka vlerësuar si shfaqje të rrallë në skenën vendore.

“Kishte shumë momente kulmore. Secila aktore e kishte personazhin e vet dhe pjesën kulmore dhe emocionuese. Kështu që, aq aktore sa ishin në skenë, trefish ishte emocioni në publik”, ka thënë ai.

Aktoret e tjera që ishin pjesë e shfaqjes janë: Gresa Pallaska, Lumnije Sopi e Shengyl Ismajli. “Gratë” ka pasur reprizën e parë edhe të enjten mbrëma për të vazhduar me atë të radhës sonte./KOHA.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *