Gërvalla: Votimi nesër do të hap rrugën për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, një ditë para mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës bashkë me zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti dhe Ambasadorin Lulzim Hiseni po realizojnë përgatitjet e fundit.
“Nesër, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, voton rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në KiE”, ka shkruar ajo.
Tutje Gërvalla ka thënë se Kosova plotëson kushtet për anëtarësim, siç e ka konfirmuar edhe raporti i Këshillit të Evropës, i paraqitur më 27 mars nga Dora Bakojanis.
“Një votim i suksesshëm nesër pasdite do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit”, ka shkruar Gërvalla.