Gërvalla: Jasharët u bënë heronj të pavdekshëm të historisë më të re të Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Gërvalla ka thënë se anëtarët e familjes Jashari pas një lufte të pabarabartë u bënë heronj të pavdekshëm të historisë më të re të Kosovës.
“Në truallin e mësuesit Shaban Jashari, udhërrëfyesit të brezave të rinj të familjes Jashari dhe të Drenicës, nga i cili mësuan si duhet atdheu dhe sa e shtrenjtë është liria. Vendi ku dikur loznin fëmijët e familjes Jashari, çdo vit pret me mijëra vizitorë që nderojnë jetën dhe veprën madhështore të Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit, të grave, vajzave, djemve dhe fëmijëve të kësaj familjeje. Në muajin e ringjalljes së natyrës, familja Jashari në përballje me një shtet të tërë policor dhe ushtarak, pas një lufte të pabarabartë, u bënë heronj të pavdekshëm të historisë më të re të Kosovës”, shkroi ajo.
Bashkë me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, Kryeministrin Albin Kurti, kabinetin qeveritar dhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës, Gërvalla bëri homazhe te Jasharët në Prekaz, duke vlerësuar lartë luftën dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
“U kujtoftë sa të jetë jeta Komandanti Adem Jashari dhe gjithë familja Jashari”, shtoi ajo.
Rruga Press