KryesoreLajme

Ambasadori i Shqipërisë në Çeki, tani i propozuar për në Hungari, aksionar i fshehtë në kompaninë Z-Mobile


Javën e kaluar kompania Dardafon.net, që operon me brendin Z-Mobile, ia bllokoi të gjitha llogaritë bankare Telekomit Publik të Kosovës, në bazë të një vendimi skandaloz të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale dhe një vendimi tjetër, edhe më skandaloz, të përmbaruesit privat Irfan Kërçagu. Në bazë të këtij vendimi, Telekomi i Kosovës do t’ia paguajë kompanisë së oligarkut Blerim Devolli (dhe tjerëve që fshihen pas tij) shumën prej 5.7 milionë euro, ndonëse shkalla e dytë e Komerciales qartazi kishte dhënë urdhër që të caktohet një ekspertizë e re financiare për te saktësuar këtë shumë. Ky vendim i shkallës së dytë të Komerciales mbështetej edhe në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte konstatuar se gjatë trajtimit të kësaj lënde në Departmentin ekonomik të Themelores së Prishtinës, më vonë të Komerciales së posathemeluar, ishin shkelur parimet bazë të së drejtës, si e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, parimi i “armëve të barabarta” etj.

Kjo shumë po merret në emër të dënimit kolosal të Gjykatës së Arbitrazhit, prej mbi 30 milionë eurosh, edhe pse Telekomi këtë vendim e kishte ankimuar tri herë me radhë në shkallën e dytë të komerciales. 

Sipas Telekomit të Kosovës, kompania Z-Mobile gjatë operimit të saj ka fituar mbi 150 milionë euro, duke pasur parasysh edhe dënimin brutal nga Gjykata e Arbitrazhit, prej më shumë se 30 milionë eurosh. Mediat në Kosovë kanë shkruar javën e kaluar se Dardafon.Net LLC ia kishte marrë Telekomit mëse 150 milionë. euro nga kjo kontratë.

Por, ku shkuan këto para dhe a ishte me të vërtetë i vetëm Blerim Devolli në këtë plaçkitje kolosale që iu bë kompanisë publike?

KosovaNews ka bërë një hulumtim të detajuar për kompaninë Z-Mobile, që nga fillimet e operimit të saj në Kosovë e deri më tani që operon me vetëm një punëtor. 

Sipas të dhënave zyrtare, të nxjerra nga ARBK, dosja e kompanisë Dardafon.net është tejet voluminoze. Janë mbi 300 faqe dokumete në dosjen e regjistrimit të kësaj kompanie, madje ne si redaksi jemi detyruar të shkojmë t’i marrim fizikisht, për shkak se dosja nuk ka mundur të pëcillet përmes postes elektronike. 

Vetë madhësia e kësaj dosje tregon për manovrimet që janë bërë me historiatin e pronësisë dhe me drejtuesit e kësaj kompanie. Shumë të dhëna janë të mangëta, një pjesë e materialeve janë gjysmake, kurse te disa akte, në veçanti të atyre që lidhen me bartjen e pronësisë, mungojnë faqe, madje edhe pjesë të tëra.

Sipas të dhënave aktuale të kompanisë Dardafon.net në ARBK, oligarku Blerim Devolli është pronar me 90% të aksioneve, ndërsa me 10% është një kompani e huaj, me emrin “K-com group l.l.c”.

Sipas historiatit të kompanisë “Dardafon.net”,kompania “K-com group l.l.c” ishte futur aksionare në Z-Mobile qysh në vitin 2008 në kohën kur pronar ishte Shkëlqim Devolli, ndërsa kompania amerikane figuron aksionare edhe në vitin 2019 ku si pronar i “Dardafon.net” figuron Blerim Devolli.

Lexo më shumë  Knaus: Ministrat e Jashtëm të caktojnë takim të jashtëzakonshëm për Kosovën

Nënshkrimi i pronarit të kompanisë “K-com group l.l.c” si aksionar në Dardafon.net

Kompania “K-com group l.l.c”, e cila zotëron 10% të aksioneve, del të jëtë e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, më saktësisht në shtetin Delaware. Ky shtet amerikan njihet si një lloj parajse fiskale dhe vend ku oligarkët e ndryshëm, nga e gjithë bota, preferojnë të regjistrojnë kompani.

Certifikata e regjistrimit të kompanisë “K-com group l.l.c” e cila është aksionare në Z-Mobile

Nga të dhënat zyrtare, të nxjerra në regjistrin komercial të shtetit Dellaware dhe dosjes që e kanë pasur deputetët e komisionit hetimor parlamentar të vitit 2019, në të cilën kemi pasur qasje, pronari i kompanisë është një shtetas amerikan me emrin Ike Kuka.

linku në YouTube në minuten 42:40 :

YouTube player

Sipas hulumtimit të KosovaNews, prapa emrit Ike Kuka fshihet emri i ambasadorit të deritanishëm të Shqipërisë në Repulikën e Çekisë, Ilirian Kuka. Ilirian Kuka ka qenë edhe drejtor i operatorit publik shqiptar – AlbTelekom Sh.A., i cili u privatuzua te turqit e “Çalik” në vitin 2007.

Deri në gusht të 2023, Ilirian Kuka ka qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Çeki, ndërsa në shkurt të këtij viti kryeministri Edi Rama e ka propozuar për ambasador në Hungari. Hungaria, vend ky i cili, ndonëse pjesë e EU-së, udhëheqet nga kryeministri kontrovers Viktor Orban, i cili po i trazon politikat e Bashkimit Evropian karshi Rusisë. Orban shpeshherë haptazi ka dalë në përkrahje të diktatorit rus, Vladimir Putin. 

Bazuar në raportimet e shtypit evropian, një kompani e preferuar e Orban, deri vonë një biznes i mesëm në fushën e TI-së – kompania 4iG është furishëm, duke hyrë edhe në tregun e komunikimeve elektronike. Këta të fundit i kanë blerë disa operatorë në regjion, ndër ta edhe Eagle Mobile dhe AMC në Shqipëri. Kohët e fundit kanë dalë edhe njoftime që kjo kompani po e sheh mundësinë të zgjerohet edhe në Kosovë. Burimet e mirëinformuara tregojnë edhe për dyndje të ish-menaxherëve të kësaj kompanije gjithandej regjionit edhe në Kosovë, për të zënë vendet e drejtorëve të operatorëve të telefonisë mobile.

Por kush është Ilirian Kuka alias Ike Kuka? 

KosovaNews i ka dërguar pyetje ambasadorit Kuka për të kuptuar lidhjet e tij me kompaninë Z-Mobile, sa për qind të aksioneve zotëron, sa në fakt është shifra që ka përfituar nga Z-Mobile? Por, as pas një javë pritjeje ambasadori Ilirijan Kuka nuk u është përgjigjur pyetjeve të KosovaNews.

Sipas të dhënave që kishim siguruar në Wikipedia, Ilirian Kuka në biografinë e tij kishte listuar edhe punën si kryetar i bordit të Z-Mobile, nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në të cilin tekstualisht thuhej: 

“Nga viti 2008 deri në vitin 2014, z. Kuka ishte kryetar i Bordit të Dardafone.net në Kosovë dhe ai ndihmoi në ndërtimin e kompanisë nga themelet e deri te operatori me rritje më të shpejtë në vend”. 

Por, pasi i kemi dërguar pyetje ambasadorit Kuka nga redaksia e KosovaNews, për ta pyetur për lidhjet e tij me kompaninë Z-Mobile, ai, në vend se t’u përgjigjej pyetjeve tona, është përkujdesur që menjëherë të fshijë historinë e biografisë së tij në Wikipedia, duke hequr punën si kryetar i Bordit në Dardafon.net.

Lexo më shumë  Deputeti që kryeson delegacionin gjerman në KiE me kritika të forta: Këshilli i Evropës nuk duhet të diktohet prej Trumpit dhe Grenellit

Të dhënat e kaluara në Wikipedia ku figuron pozita e ambasadorit Ilirjan Kuka në Dardafon.net

Të dhënat e përditësuara në Wikipedia ku shihet që ambasadori Kuka i ka hequr të dhënat që ka punuar në Dardafon.net, pasi i kemi dërguar pyetje me shkrim!

Nga historiati i këtij artikullli të Wikipedia-s, del se një ditë pasi që i kemi nisur pyetjet nga ky artikull është hequr rradhori ku flitet për pozitën e Ilirian Kukës në Dardanfon.Net LLC (Z-Mobile) dhe ate nga një IP adresë, e cila, sipas RIPE (regjistri evropian i IP-adresave), ndodhet në Çeki dhe sygjerohet të jetë abonent i O2.

Nga historiati i këtij artikullli të Wikipedia-s, del se një ditë pasi që i kemi nisur pyetjet nga ky artikull është hequr rradhori ku flitet për pozitën e Ilirian Kukës në Dardanfon.Net LLC (Z-Mobile) dhe ate nga një IP adresë, e cila, sipas RIPE (regjistri evropian i IP-adresave), ndodhet në Çeki dhe sygjerohet të jetë abonent i O2.

Ilirjan Kuka (Ike Kuka) gjithashtu ka qenë drejtor i kompanisë shtetërore në Shqipëri “AlbTelecom”, operatori publik shqiptar që gjithashtu u zhvat deri në shembje, pastaj u shit për një “copë bukë” te turqit e “Çalik Holding” në vitin 2007.

Ilirian Kuka ka shtetësi amerikane dhe në pasaportën e tij amerikane e mban pikërisht emrin Ike Kuka, prej nga edhe e ka regjistruar pronësinë e kompanisë “K-com group l.l.c”, kompani e cila zotëron 10% të aksioneve në Z-Mobile.

Burime nga Tirana zyrtare na njoftojnë se Ilirijan Kuka është edhe ambasadori i preferuar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndonëse publikisht nuk është se shihen së bashku.

Kryeministri Edi Rama, mysafir special i oligarkëve Devolli

Më 20 qershor të vitit 2022, kryeministri Edi Rama kishte vizituar jo për herë të parë fabrikat e Devollëve në Kosovë. Edhe pse e diela është ditë pushimi, qindra punëtorë të fabrikave “M-Sillosi”, “Comodita” etj. ishin detyruar të dilnin në punë duke e pritur me duartrokitje mysafirin special të vëllezërve Devolli. Ndërkohë, sipas shkrimeve që kemi publikuar më heret, këta dy vëllezër nuk figurojnë në strukturën pronësore të asnjë prej këtyre kompanive.

Mysafir, i cili, në bazë të këtij hulumtimi, po del që të jetë vërtet special me lidhjet e tij dhe të njerëzve të tij, si lidhje speciale biznesore me oligarkët Devolli.

Nesër do të lexoni:

Fiskullturat me pronësinë e firmave që qëndrojnë prapa Z-Mobile

Dallimi ne mes te “Dardafon LLC” dhe “Dardafon.Net LLC”

Si u ndërrua licenca në ARKEP?

Cilat jane kompanitë dhe personat që i zbatuan procedurat e ndryshimeve pronësore ne ARBK etj.?/ Kosovanews

Rruga Press

YouTube player