KryesoreLajme

Gazeta holandeze: Të rinjtë flakin karriget e Ramës, kërkojnë vetëm largimin e tij

Në karriget e vendosura nga kryeministri Rama, të rinjtë protestues në Shqipëri nuk preferojnë të ulen. Rama dëshiron të zhvillojë bisedime me protestuesit, por në të njëjtën kohë vendos gjoba të larta, edhe për protestat paqësore. Protestuesit, kryesisht të rinj, janë lodhur nga bisedimet: ata duan ndryshim.

HET PAROOL

Karriget vendoseshin çdo ditë sërish përpara kryeministrisë. Mbi secilën prej tyre ndodhej një kartelë e bardhë me fjalën “dialog”. Mesazhi është i qartë: kryeministri shqiptar Edi Rama dëshiron të bisedojë me protestuesit që kanë dalë në rrugë gjatë javëve të fundit. Fotografitë e këtyre karrigeve zënë një vend të dukshëm në faqet e tij në rrjetet sociale.

Por karriget nuk qëndruan gjatë aty. Protestuesit i përmbysën ose i hodhën tutje, ndërsa fundjavën e kaluar u vunë flakën. Tani karriget janë zëvendësuar me një gur të rrumbullakët, mbi të cilin janë vendosur të njëjtat kartela që bëjnë thirrje për “dialog”. Protestuesit e largojnë gurin duke e rrokullisur.

Trazirat e dy javëve të fundit vijnë pas muajsh protestash paqësore gjatë të ashtuquajturit “Revolucioni i flamengove”. Ky revolucion nisi në fund të majit dhe ishte një lëvizje kundër ndërtimit të hoteleve luksoze në një rezervat natyror. Aktivistët numëronin ditët e revolucionit të flamingove. Pas rreth 130 ditësh, ata nisën numërimin nga e para: më 13 tetor protesta mori një formë krejtësisht të re.

Lexo më shumë  Shiu nuk ndal studentët, sërish në protestë: Bashkohuni me ne! Rama në burg! Berisha në Burg!

Kërkesa e tyre mbetet e njëjtë: kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Rama është kryeministër i vendit prej 13 vitesh dhe drejtues i Partisë Socialiste.

Shumë prej tyre të rinjve largohen jashtë vendit. Për shkak të emigrimit masiv, popullsia e vendit ka vite që po zvogëlohet.

“Një diplomë nuk të hyn në punë për asgjë”, thotë në telefon studenti i gazetarisë, Angjelo Tila, 22 vjeç. “Mbiemri yt ka më shumë rëndësi. Fëmijët që protestojnë, 15 ose 16 vjeç, i shohin prindërit vetëm dy herë në vit. Prindërit e tyre punojnë jashtë vendit”.

Atmosfera është krejt ndryshe nga protestat e mëparshme gjatë ditëve të nxehta të verës, të cilat Tila i kujton kryesisht si të ngadalta. “Tani në rrugë janë pothuajse vetëm të rinj. Është intensive, ka energji. Studentët janë të lumtur, por kanë edhe frikë nga policia. Unë vetë jam larguar me vrap tri herë, përndryshe nuk do të mund të kthehesha në Lituani”.

Protestuesit, kryesisht të veshur me të zeza dhe me fytyrat e mbuluara, hedhin fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të policisë. Janë djegur stola dhe ndërtesa shtetërore. Policia përgjigjet me gurë, plumba gome, topa uji dhe gaz lotsjellës.

Pas gati tre muajsh protestash, kërkesat e tyre janë injoruar kryesisht, thotë Afrim Kasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike, për Al Jazeera-n.

Lexo më shumë  Nuk ndalet revolta! Studentët protestues zhvendosen para Kryeministrisë me thirrjet: Rama në burg, Berisha në burg!

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama po përpiqet të rivendosë rendin përmes gjobave. Të mërkurën, përmes një dekreti emergjent, ai miratoi legjislacion të ri. Protestuesit mund të gjobiten deri në 500.000 lekë (5.500 euro) nëse nuk i binden urdhrit të policëve për t’u larguar nga një demonstratë. Pra, kjo gjobë zbatohet edhe për personat që protestojnë në mënyrë paqësore. Shuma është pothuajse gjashtë herë më e lartë se paga mesatare mujore bruto në Shqipëri.

“Ky është komunizëm”, reagon Tila. “Ndëshkim kolektiv. Edhe nëse nuk bën asgjë, ndëshkohesh. Le ta bëjnë një herë këtë në parlament, pasi atje ka disa persona që kanë probleme me drejtësinë”.

“Paketa e masave kundër dhunës synon t’u mbyllë gojën njerëzve. Policia përdor dhunën për t’i frikësuar dhe terrorizuar ata”, thotë një përfaqësues i protestuesve.

Tila mbetet optimist, edhe nëse kryeministri Rama nuk jep dorëheqjen për një kohë të gjatë. “Është krijuar një kulturë e re. Të rinjtë janë bërë të ndërgjegjshëm politikisht, jo vetëm ata që studiojnë shkenca politike apo gazetari. Ata e kuptojnë se sa shumë ndikim ka kjo në jetën e tyre”.

Rruga Press

YouTube player