Lajme

Gashi: Inkurajojmë bashkatdhetarët të regjistrohen

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ka theksuar se procesi i regjistrimit të popullsisë së Kosovës, është dhe mbetet një ndër proceset më të rëndësishme për vendin. Ajo ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët dhe pjesëtarët e Diasporës sonë që të bëhen pjesë e këtij procesi dhe njëherit të adresojnë të gjitha paqartësitë që kanë në kuadër të kësaj platforme.

Zëvendësministrja Gashi ka bërë të ditur se deri tash janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë të diasporës, nga të cilët afër 50 mijë janë regjistruar në kuadër të platformës e Diaspora.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në mbështetje të plotë procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave – ReKos 2024, dhe në mbështetje të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që udhëheq më këtë proces, ka lansuar procesin e regjistrimin online të pjesëtarëve të Diasporës.

Lexo më shumë  Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta shpërbëjë Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës, prej vitesh kjo ndërmarrje ishte pa funksion

Regjistrimi online i mërgatës sonë, po ndodh për herë të parë, dhe është proces i integruar në platformën e-Diaspora, që është iniciativë e MPJD-së për të mbështetur bashkatdhetarët tanë me shërbime të digjitalizuar, dhe njëherë për t’i afruar me vendin amë.

Zëvendësministrja Gashi derisa ka folur për rëndësinë e regjistrimit online të mërgatës, ka deklaruar se pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë në procesin e regjistrimit të popullsisë është jashtëzakonisht e rëndësishme ngase na ofron një pasqyrë të qartë të shpërndarjes së qytetarëve tanë nëpër botë, dhe përmes kësaj një mundësi më të madhe që të përfshijmë ata, përmes të dhënave që ofrojnë, në proceset e hartimit të politikave, strategjive e shërbimeve më të mira dhe përkitazi me nevojat e tyre.

Lexo më shumë  Dalin bisedat e ish-deputetit të Partisë Socialiste për vrasjen e Durim Bamit

“Përmes platformës eDiaspora, qytetarët tanë mund të regjistrohen nga cilido vend i botës, duke dëshmuar përmes këtij regjistrimi se ata janë pjesë e barabartë e shoqërisë tonë. Pjesëmarrja e mërgatës tonë në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme si për MPJD ashtu edhe për Republikën e Kosovës, ngase për herë të parë na ofron një pasqyrë të qartë për vendndodhjen e bashkatdhetarëve tanë si dhe kërkesa e tyre”, ka thënë Gashi.

Zëvendësministrja Gashi ka theksuar se nga ana e MPJD do të ketë aktivitetet të shtuara në kuadër të misioneve diplomatike dhe konsullore sa i përket informimit të drejtë dhe të saktë për procesin dhe mënyrën e regjistrimit përmes platformës eDiaspora, përfshirë numrat kontaktues dhe email adresën ku bashkatdhetarët tanë mund t’i drejtohen institucioneve tona për ndonjë paqartësi.

Rruga Press

YouTube player