Fuga letër anëtarëve të Asamblesë së ASH: Mos uzurponi detyra publike pa mandat legjitim, ja shkeljet që janë bërë
Akademiku i njohur Artan Fuga ka reaguar sërish në lidhje me ligjin e ri për Akademinë e Shkencave. Duke vënë në dijeni dhe Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca, Fuga iu drejtua përmes një letre akademikëve të ASH-së për këtë çështje, duke evidentuar shkeljet ligjore që janë bërë sipas tij.
Fuga thekson se ligji është shkelur për caktimin e anëtarëve në komisionin ad hoc për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë në ASH.
LETRA
Për informacion zonjës Avokate të Popullit Erinda Ballanca
Për caktimin e anëtarëve në komisionin ad hoc për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë në akademinë e shkencave është shkelur ligji
(Më poshtë letra drejtuar drejtuar akademikëve për këtë çështje)
Tiranë, 05 shtator 2023
Të nderuar anëtarë të Asamblesë të Akademisë së Shkencave,
Po drejtohem për t’ju vendosur në dijeni për parregullsitë lidhur me procedurat e caktimit të anëtarëve të zgjedhur nga ASH në komisionin ad hoc për sistemin e qeverisjes të organeve të drejtësisë. Këto parregullsi, nëse nuk korrigjohen, e bëjnë juridikisht të pavlefshëm propozimin e paraqitur nga ana e kryesisë të ASH për të caktuar si “anëtar” të këtij komisioni zz. Akad. Shaban Sinani dhe “zëvendësues” Akad. Asoc. Ardian Civici. Mbi të gjitha, përtej shprehjes të mendimit për emrat e veçantë, për të cilët nuk po bëj asnjë koment specifik, këto parregullsi përbëjnë veprime institucionale në kundërshtim me ligjet në fuqi, infektojnë me parregullsi juridike vetë komisionin ad hoc, i cili luan rol në formësimin e organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.
Kuptohet se anëtarët e Asamblesë duke marrë pjesë individualisht apo me vendime kolektive në veprime të parregullta juridike, rrezikojmë të ngarkohemi veç asaj etike edhe me përgjegjësi ligjore, ndërkohë si akademikë duhet të jemi në ballë, të japim shembullin për respektimin e ligjeve. Aq më tepër kur është fjala për funksionimin e organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë në kuadrin e reformës së institucioneve të së drejtës, prokurorisë, gjykatave, etj., aq të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, abuzimeve me detyrat publike, trafiqeve, krimit, si edhe për të siguruar të drejtat individuale për qytetarët!
Nisur nga çfarë ka ndodhur, kam dyshimin nëse njihet mirë ligji në fuqi që rregullon procedurat e caktimit të “anëtarit” dhe “zëvendësuesit” të përzgjedhur nga ASH për në komisionin ad hoc.
Ky ligj duhej të ishte bërë i njohur paraprakisht nga ana e kryesisë të ASH. Gjej rastin të përsëris, sikurse kam bërë edhe publikisht, se nuk është vota, dhe as shumica ajo që përcakton mënyrën si veprohet për të marrë vendime, kur procedura në fjalë rregullohet prej normave ligjore. Nuk është aspak vota, por ligji në fuqi, që i legjitimon vendimet tona nga ana proceduriale! Ne nuk mund të krijojmë një sistem të mbyllur brenda Akademisë së Shkencave, ku vullneti i shumicave të mos respektojë ligjet në fuqi.
+++
Po vij te thelbi i çështjes më konkretisht.
Në datën 28 gusht 2023, nga kryesia e ASH janë qarkulluar me e-mail në adresat tona elektronike dy shkresa zyrtare. E para është firmosur në datën 28 korrik 2023 nga ana e Akad. Vasil Tole, me statusin e deklaruar prej tij të nënkryetarit të ASH, në mungesë të kryetarit, drejtuar zonjës Erinda Ballanca. E dyta është e datës 28 gusht 2023, e firmosur nga Akad. Skënder Gjnushi, me statusin e deklaruar të kryetarit të ASH, drejtuar po të njëjtit autoritet. Me anë të një shënimi me shkrim dore mbi shkresën e dytë, nga Akad. Skënder Gjinushi kërkohet që vullneti i kryesisë të miratohet prej nesh, në formën e komunikimit me-maile, për t’u kthyer në vendim qarkullues të Asamblesë. Theksoj se si shkresa e parë, ashtu edhe e dyta, përmbajnë shkelje proçeduriale, që anashkalojnë, pra nuk respektojnë ligjin në fuqi, për të mos thënë se e shkelin hapur atë. Bëj me dije se rregullat për caktimin e anëtarëve të ardhur nga ASH në komisionin ad hoc nuk janë në dorë as të kryesisë, madje as të Asamblesë të ASH. Ato rregullohen vetëm me anë të ligjit n° 115 – 2016, Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë.
Kemi të bëjmë pra me çështje të respektimit pa kushte të ligjit, jo me çështje vullneti të shprehur me votë!
Ligji i cituar më sipër, konkretisht neni 123 i tij, pika 4, thekson qartë dhe pa asnjë ekuivok: “Jo më vonë se 5 ditë nga dita e dërgimit të shkresës së Avokatit të Popullit, Akademia e Shkencave i dërgon Avokatit të Popullit listën me emrat e anëtarëve të cilët zgjidhen me shumicë të thjeshtë nga Asambleja e Akademisë së Shkencave.”. Nisur nga përcaktimi ligjor i sapo cituar, – të cilin sigurisht jo të gjithë kanë detyrë ta njohin paraprakisht, por disave nuk u falet të mos kenë në dijeni për të, sikurse Kryesia e Akademisë së Shkencave e ka pasur për detyrë ta respektojë, – le të vërejmë si shkresën e parë, ashtu edhe të dytën për të cilat bëhet fjalë më lart.
Hapi i parë jo-ligjor
1.Në shkresën zyrtare të datës 28 korrik 2023, firmosur me statusin e deklaruar të nënkryetarit të Akademisë së Shkencave nga Akad. Vasil Tole, drejtuar Avokatit të Popullit zonjës Erinda Ballanca, pasi me shumë mirësjellje i urohet asaj mbarësi në ushtrimin e detyrës, përfundohet: “Ju njoftojmë se nga ky institucion propozohen akademikët : 1. Akad. Shaban Sinani (anëtar). 2. Akademik i asociuar Adrian Civici (zëvendësues)”.
Kush ja ka dhënë këtë të drejtë kryesisë të ASH të caktojë njerëz në detyra të rëndësishme duke shkelur ligjet në fuqi? Kush ja jep këtë të drejtë Akad. Vasil Tole të nënshkruajë shkresa që anashkalojnë ligjet e shtetit? Kjo shkresë zyrtare fatkeqësisht anashkalon, pra shkel, të gjitha kërkesat e ligjit në fuqi. Unë nuk i hyj këtu diskutimit nëse Akad. Vasil Tole e ka pasur më të drejtën edhe pas përfundimit të mandatit të firmoste në atë kohë shkresa zyrtare me cilësinë e nënkryetarit të ASH. Nuk është ky aspekt që përbën hëpërhë këtu shqetësimin tim si akademik dhe qytetar. Por, diçka është e sigurt: Ligja kërkon që vullneti për të zgjedhur “anëtarin” dhe “zëvendësuesin” për në komisionin ad hoc të shprehet vetëm nga ana e Asamblesë së Akademisë së Shkencave. Dhe jo vetëm kaq por edhe me procedurë zgjedhjeje. Dhe jo vetëm kaq, ligja përcakton edhe mekanizmin si shpallen fituesit: Me shumicë të thjeshtë!
Nuk mund të emërohen arbitrarisht nga askush tjetër me ose pa mandat. Shkresa e firmosur në mungesë të kryetarit, nga akad. Vasil Tole, përmban fjali si : “nga ky institucion propozohen…”. Por, propozimi i shprehur në atë shkresë ishte i paligjshëm. Ligja nuk lejon që kryesia të emërojë anëtarët e ardhur nga ASH për në komisionin ad hoc. Nuk i jep asnjë kompetencë asaj në këtë drejtim. Aq më tepër, shkresa zyrtare e sipërcituar dërgohej te Avokati i Popullit pa u vendosur fare në dijeni Asambleja e Akademisë së Shkencave, autoriteti i vetëm që ligja i njeh vullnet legjitim për të vendosur për këtë çështje.
Personalisht kam marrë dijeni për këtë shkresë zyrtare që citoj më sipër nëpërmjet konsultimit të ëeb site të zyrës të Avokatit të Popullit. Duke e njohur ligjin në fuqi, u konsultuar me specialistë të fushës, ditur se Asambleja e Akademisë së Shkencave nuk kishte marrë asnjë vendim për këtë çështje, madje as ishte njohur me shkresën në fjalë, kam reaguar publikisht duke iu drejtuar zonjës Avokat i Popullit nëpërmjet medias. Në thelb, i theksoja se në respekt të ligjit jam i detyruar t’Ju njoftoj që si anëtar i Asamblesë të ASH nuk u kam përcjell ndonjë delegim akad. Shaban Sinanit dhe akad. i asociuar Adrian Civicit për të qenë në atë komision. Publikisht u kam bërë thirrje gjithashtu dy anëtarëve të Asamblesë të përmendur më sipër që të mos uzurponin detyra publike pa pasur mandat legjitim. Fatkeqësisht, për shqetësimin e ngritur nuk pata ndonjë sqarim as nga ana e kryesisë të Akademisë së Shkencave dhe asnjë reagim nga ana e dy anëtarëve të lartpërmendur të Asamblesë!
2.Ndërkohë, mësojmë se Avokati i Popullit e paska kthyer mbrapsht, krejt natyrshëm dhe në respekt të ligjit në fuqi, procedurën e caktimit të anëtarëve të ardhur nga ASH në komisionin ad hoc. Kuptohet qartë përse. Sepse ligji nuk kërkon një procedurë “caktimi”, apo “emërimi” të anëtarëve të përzgjedhur nga ASH në komisionin ad hoc, por detyron zgjedhjen e tyre.
Tjetër procedurë është emërimi dhe krejt tjetër zgjedhja. Aq më shumë se ligji këtë kompetencë ja njeh Asamblesë dhe aspak kryesisë të ASH. Për ta zgjidhur në një farë mënyre situatën e krijuar, por pa hequr dorë nga gabimi i parë, formulohet shkresa e dytë zyrtare, e datës 28 gusht, firmosur me statusin e deklaruar të kryetarit të ASH, nga akad. Skënder Gjinushi, drejtuar përsëri zonjës Avokat i Popullit. Mbi të, me shkrim dore, bëhet shënimi që propozimi i kryesisë të kthehet në vendim qarkullues nga anëtarët e Asamblesë. Në të shkruhet: “Me propozim të kryesisë, Asambleja vendosi:… “2. Të caktojë si përfaqësues të saj në komisionin ad hoc z. Shaban Sinani dhe si anëtar zëvendësues z. Adrian Civici. 3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”.
Nuk po ndalem te grup-fjalëshi fare i pagjetur juridikisht : “përfaqësues të saj në komisionin ad hoc”. “Anëtari” dhe “zëvendësuesi” vërtet sipas ligjit dalin si shprehje e vullnetit të Asamblesë të ASH, por në komision ata nuk veprojnë më aspak si përfaqësues të këtij institucioni. Përndryshe do të duhej të pranonim se konstituimi i organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë bazohet në një kulturë korporatiste. Çdo shoqatë a institucion do të kishte atje përfaqësuesit e vet!!! Nuk do të kishim një sistem që do t’i përkiste më një shteti ligjor modern. Nuk duhet të jesh student në drejtësi që të dish se drejtësia korporatiste, një fakt juridik dhe historik mesjetar, nuk funksion më në kohët moderne. Drejtësia nuk është prej shekujsh rezultat i vullneteve korporatiste qofshin këto akademi, institucione fetare, sindikata, etj. Ky dallim është mirë të bëhet konceptualisht sa kohë kemi të bëjmë me një shkresë që del nga Akademia e Shkencave. Ajo duhet redaktuar sepse përndryshe opinioni publik do të na ironizojë. Por, përsëri theksoj se nuk është kjo çështja themelore këtu.
Problemi serioz është gjetiu. Pasi ka bërë hapin e parë të pambështetur në ligj, kryesia, në vend ta korrigjojë atë vazhdon të ndjekë rrugën e filluar.
\Në vend të organizojë procesin e zgjedhjes të “anëtarit” dhe “zëvendësuesit” për në komisionin ad hoc, pra në vend ta korrigjojë veprimin e saj të parë jo-ligjor, kryesia i zëvendëson zgjedhjet që ligji kërkon të organizohen me një “vendim qarkullues”, pra me një procedurë virtuale në formën e mbështetjes të propozimit të kryesisë!!!
Duhet të respektojmë ligjet në fuqi! Ky është shqetësimi. Sepse kjo detyrë na bie jo vetëm si akademikë. Ligjit i detyrohemi edhe si qytetarë. Mbajmë përgjegjësi ligjore përpara tij, individualisht, edhe kolektivisht, si kur jemi në sallë fizikisht, edhe kur shprehim vullnete individuale elektronikisht. Ligja kërkon procedurë zgjedhjeje, jo miratim të një propozimi të marrë si vendim kryesie, kthyer pastaj në vendim qarkullues nëpërmjet e-maileve. Ligji jo vetëm përcakton kush e zotëron kompetencën legjitime për të përcaktuar emrat e anëtarëve që i dërgohen zyrës së Avokatit të Popullit, por saktëson edhe procedurën : Nëpërmjet zgjedhjesh, ku rezultati del me shumicë të thjeshtë. Sikurse përcakton edhe afatin e realizimit të kësaj procedure. Pra, ligja kërkon të organizohen zgjedhje. Kjo do të thotë që paraprakisht duhej të bëhej thirrja për shprehje interesi për të qenë anëtar apo anëtar zëvendësues në komisionin ad hoc për të gjithë anëtarët e Asamblesë. Të lihej një kohë brenda afateve ligjore për këdo që të vetë-propozohej, ose të propozonte të tjerë.
Po ashtu, pritej që kandidatët e propozuar të shpreheshin nëse ishin dakord apo jo për t’u caktuar si anëtar apo zëvendësues për komisionin ad hoc. Kjo sepse ne vërtet mund të jemi dakord që zotërinjtë Shaban Sinani dhe Ardian Civici të jenë përkatësisht “anëtar” dhe “zëvendësues” në komisionin ad hoc, por nuk i detyrojmë dot që ata të jenë nëse nuk duan! Më parë duhej shprehur vullneti i tyre për t’u votuar për të qenë të tillë. Si mund të themi se jemi dakord që këta dy anëtarë të Asamblesë të marrin pjesë në punimet e komisionit ad hoc, pa ditur nëse ata e kanë shpallur ose jo pranimin e kandidaturës së tyre sipas propozimit të kryesisë?
Duhej pra të shprehej paraprakisht vullneti i tyre, por edhe i kandidatëve të tjerë potencialë, të cilëve propozimi i kryesisë u a pret dukshëm, haptazi, prerë, brutalisht të drejtën për të kandiduar. Nga asambleja kryesia kërkon vetëm miratimin e propozimit për dy të zgjedhurit e saj ! Aspak, një dalje kandidaturash përpara një procesi votimi.
Kjo nuk është procedurë e rregullt zgjedhjesh!!!
Që të kishim zgjedhje do të kërkohej të dilnin kandidatura për përzgjedhjen e të cilave do të bëhej votimi, do të duhej të kishte një komision të ngarkuar me numërimin e votave, dhe paraprakisht të plotësohej kuorumi i domosdoshëm për t’u bërë votimi. Pyetja mbetet: Cili është kuorumi i saktë në Asamble kur në përgjigje me e-maile marrin pjesë edhe anëtarë të Asamblesë që janë akademikë, akademikë të asociuar, por marrin pjesë edhe disa akademikë Emerit? Lidhur me këtë çështje shënoj se jo vetëm ka një dallim midis ligjit në fuqi dhe statutit të ASH, por ka edhe një boshllëk normativ për rastet kur në procedura marrin pjesë jo vetëm akademikë dhe akademikë të asociuar, por edhe disa akademikë Emerit. Cili do të quhet kuorumi? Përndryshe nuk kuptohet dot se cila është “shumica e thjeshtë.” Por le ta kalojmë këtë çështje, sepse në fund të fundit, në fushatën e e-maileve kemi një procedurë në mbështetje të një vendimi të kryesisë, aspak një proces zgjedhjeje. Në vazhdim theksoj se që të kishim zgjedhje, sikurse e kërkon ligji, duheshin administruar fletët e votimit, të shpalleshin votat pro, kundër dhe ato të pavlefshme, të ishte mbajtur proces-verbali i rastit, etj.
+++
Si përfundim, pa dashur të zgjatem, kërkesa ime është që kryesia të organizojë zgjedhje për “anëtar” dhe “zëvendësues” për në komisionin ad hoc, i cili vepron sipas ligjit 115 – 2016 Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë!
Përndryshe, ky proces nuk do të jetë në përputhje me ligjin në fuqi. Për pasojë, do të jetë i paligjshëm. Si i tillë ai rrezikon të “infektojë” me parregullsi ligjore edhe punën e rëndësishme të komisionit ad hoc. Përgjegjësia para ligjit këtu bëhet sa individuale aq edhe kolektive.
Meqë e ndjej të tillë, jam i shtrënguar nga ligji që në vazhdim të njoftoj institucionin e Avokatit të Popullit, sikurse kam bërë me letrën e datës 3 gusht 2023, duke raportuar atje parregullsi juridike thelbësore në këtë proces!
Nuk ka pasur zgjedhje!
Me këtë rast, gjej radhë të ritheksoj mendimin se na duhet të krijojmë një kulturë të re institucionale në ASH.
Nuk ka vend që kryesia të mënjanojë në mënyrë të paligjshme Asamblenë e Akademisë së Shkencave sikurse e konkretizon rasti. Institucioni ASH ka në themel Asamblenë dhe jo kryesinë.
Nuk ka vend për venndime zyrtare nga ana e kryesisë, të cilat nuk bazohen katërcipërisht në ligj.
Nuk ka vend që respektimi me çdo kusht i ligjit të zëvendësohet me kërkesa nga kryesia për të shprehur një vullnet kolektiv që procedurialisht e anashkalon ligjin. Në këtë rast nuk bëhet gjë tjetër veçse përgjegjësia ligjore individuale shndërrohet në kolektive.
Nuk mund që vota, kriteri i shumicës në votime, të zëvendësojë ligjin. Detyrimi ligjor sikurse edhe e vërteta shkencore nuk mund të përcaktohen me kritere shumicë – pakicë; shumë – një i vetëm; sikurse dikush përhap këtë opinion të gabuar.
Nuk ka vend që proceset e zgjedhjeve të zëvendësohen me vendime qarkulluese me anë të e-maileve.
Sikurse është rasti që Statuti i ASH të vihet në përputhje të plotë me ligjin në fuqi për Akademinë e Shkencave.
Me konsideratat më të sinqerta,
Artan Fuga
Rruga Press