Lajme

(Fotolajm) Zjarrfikësit e Shqipërisë në luftë disaditore me zjarret

Dhjetëra zjarrfikës janë angazhuar gjatë disa ditëve të fundit në betejë me një numër zjarresh të egra në Shqipëri, ku po mbretëron mot shumë i nxehtë.

Zjarrfikësit shqiptarë janë ballafaquar me zjarre të egra për disa ditë me radhë, në zonën malore të Oroshit, në veriun e Shqipërisë.
Inspektori i pyjeve, Gjon Gegaj, ka thënë se situatën e kanë rënduar temperaturat e larta në vendin ballkanik.

“Zjarret vazhdojnë pavarësisht ujit nga ajri me helikopterë. Moti është shumë i nxehtë, era po krijon vazhdimisht probleme. Jemi në gjendje të plotë gatishmërie, me ushtrinë, shërbimin pyjor, jemi këtu ditë e natë”, ka thënë inspektori Gegaj.

Një valë brutale e të nxehtit, me temperatura mbi 40 gradë celsius, ka përfshirë jugun e Evropës javën e kaluar.

Temperaturat po rriten në mbarë globin, si rezultat i aktivitetit njerëzor, sipas shkencëtarëve dhe klimatologëve.

Zjarrfikësit ende po përballen me shpërthime zjarresh, por majori Endrit Cengu ka thënë se njësitet në terren kanë arritur t’i izolojnë të gjitha zjarret dhe të ndalojnë bashkimin e tyre.
“Jemi personel prej 50 vetash, operojmë me tri grupe të ndryshme, dhe ajo çfarë bëjmë ne është izolimi i zjarreve, për shkak të pamundësisë për të vepruar me ujë apo me mjete të tjera…”, ka thënë zjarrfikësi Cengu.
Zjarret e egra kanë lënë një pjesë të pyllit të shkrumbuar, teksa zgjyra dhe pemët e rëna kanë mbushur tokën.
Teksa ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga njeriu, po nxisin thatësirë, numri i zjarreve të egra ekstreme pritet të rritet për 30 për qind gjatë 28 vjetëve të ardhshëm, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të publikuar në shkurtin e 2022-tës.

REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *