Lajme

(Foto) Masakra e 2 prillit në Shkodër, pamjet e rralla nga ngjarja që tronditi Shqipërinë

Si sot 31 vite më parë, më 2 prill 1991, ndodhi një ngjarje që tronditi Shkodrën. Sot përkujtohet ajo që njihet ndryshe masakra e fundit e Komunizmit në Shqipëri.

Rruga Press riboton këto pamje nga data 2 prill 1991, të protestës masive në Shkodër, që çoi në ekzekutimin e 4 personave të pafajshëm.

Ato janë fiksuar nga fotografi Angjelin Nënshati, i cili nuk jeton më, por djemtë e tij, pasardhës në këtë profesion, i përcjellin për publikut pamjet gjatë protestës para Komitetit Qendror të PPSH-së në Shkodër.

Ditën e sotme, këto fotografi të rralla do të jenë të ekspozuara në ambientet e Këshillit të Qarkut në Shkodër. Ky 2 prill shënon 25-vjetorin nga ngjarja që shënoi një ndër revoltat më të mëdha popullore në vend. Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë.

Lexo më shumë  Arrestohet Ergys Agasi

Katër viktima e dhjetëra të plagosur ishin pasojat e plumbave të forcave policore drejt turmës që protestonte. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka ishin të vrarët e asaj dite, sot të shpallur dëshmorë të demokracisë.

Në këto fotografi tregohen qartë e me detaje se çfarë ndodhi më 2 prill, në qytetin e Shkodrës. Protestuesit mësynë godinën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe që andej hidhnin dokumentet nga dritaret në oborr.

Lexo më shumë  Kongresi amerikan nis hetim për Sazanin

Disave prej tyre iu vu flaka, ndërsa të tjera u grisën e u shkelën me këmbë. Më pas dallohen turmat në sheshin kryesor, që sot mban emrin “2 Prilli”, aty ku mbetën të vrarë edhe 4 dëshmorët e demokracisë.

Makina të djegura, tym i zi që shpërthente nga disa anë të qendrës së Shkodrës e protestues të panumërt të mbledhur në shesh dhe që ngrinin dy gishtat lart.

Pas kaq vitesh, këto fotografi dalin në dritë si pjesë e historisë së viteve të para të demokracisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *