Lajme

Fiskalizimi/ Bizneset që nuk kanë tërhequr certifikatën nga AKSHI, Dhamo: T’u lihet afat i ri për nisjen e procesit

Nis më 1 shtator (të mërkurën) faza e fundit e fiskalizimit për transaksionet me para në dorë mes biznesit dhe konsumatorit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave deri më 17 gusht me certifikatën elektronike (hapi i parë për të zbatuar sistemin e ri të faturimit) janë pajisur 46,000 subjekte. Numri në total i subjekteve që duhet të fiskalizohet nga DPT llogaritet në 120,000 tatimpagues. Në fazën III kanë detyrimin për t’u fiskalizuar edhe 90,000 subjekte (kryesisht të vogla), krahas rreth 30 mijë që duhet të ishin fiskalizuar në 1 korrik, kur nisi faza e dytë.

Për shkak të numrit të ulët të sipërmarrjeve që janë pajisur me certifikatën elektronike deri tani, si dhe për shmangur problematikat me mospranimin e faturave që nuk janë fiskalizuar, kontabilistët rekomandojnë një shtyrje të procesit deri në tërheqjen e certifikatave nga të gjitha subjektet. Kontabilisti Sotiraq Dhamo në intervistën për “Monitor Brief Insight” tha se nga administrata tatimore duhet të vlerësojë kapacitetet e AKSHI-t për pajisjen e të gjithë tatimpaguesve me certifikatë dhe më pas të nisë procesin.

Lexo më shumë  Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

“Mendoj se bizneseve që nuk janë fiskalizuar t’u lihet një afat me kusht që të jetë përfundimtar, pasi janë mbi 60 mijë subjekte që ende nuk janë pajisur me certifikatën e sigurisë. Duhet të vlerësohet për sa kohë AKSHI arrin t’i pajisë këto subjekte me certifikatë. Nëse do t’i duhet 1 muaj kohë procesi të shtyhet për 1 muaj, nëse do të duhet 2 të shtyhet për 2 muaj. Në thelb kjo reformë është pozitive. Është zbatuar në shumë vende të Europës, por jo me këto ritme kaq të shpejta, sa po ndodh te ne. Nga administrata tatimore duhet të gjendet rruga dhe mënyra që ky proces të realizohet me sukses”.

Kontabilisti Dhamo thotë se shtyrja e fiskalizimit në këtë fazë është thikë me 2 presa. Sipas tij do të ishte e domosdoshme që para nisjes së procesit të zbatohej faza pilot. “Nga njëra anë një shtyrje e procesit do të bëhet shpresë për një shtyrje të dytë, të tretë e me radhë, çka mund të sjellë probleme në zbatimin në tërësi të procesit. Në kahun tjetër është fakt që shumë pak tatimpagues janë pajisur me certifikatën e sigurisë. Që në fillim kam rekomanduar që fillimisht fiskalizmi duhet të niste me një fazë pilot, vetëm me një numër të caktuar biznesesh”, nënvizon ai.

Lexo më shumë  Në letrën drejtuar kreut të OKB-së, të rinjtë nga Serbia ekspozuan gënjeshtrat e regjimit të Vuçiqit dhe mbështetën rezolutën për Srebrenicën

Nga të dhënat e DPT deri më 19 gusht janë fiskalizuar 9,541 biznese të vogla dhe 11,203 biznese të mëdha. Në total numri i faturave të fiskalizuara është mbi 16 mln: 3,929,925 nga biznesi i vogël dhe 13,025,241 nga biznesi i madh. Numri më i madh i bizneseve të fiskalizuara është në sektorin e shërbimeve me 9,459 subjekte, më pas në tregti me 4,725 biznese, në prodhim janë 2,372 biznese të fiskalizuara, në ndërtim 1,549 të tilla dhe në transport 748 sipërmarrje janë të fiskalizuara. /MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *