Art & Kulturë

Festivali i Filmit Frankofon çon në Romë “Luaneshat e kodrës”

Shqiptarët që jetojnë në Romë, për edhe audienca e Festivalit të Filmit Frankofon në Itali, do të kenë mundësinë që të shohin një prej bashkëprodhimeve më të suksesshme kinematografike të Kosovës.

Filmi “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit do të jepet të dielën me 13 mars në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit të Filmit Frankofon në Romë.

Për këtë ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Itali, duke bërë me dije se filmi do të jepet në institutin francez “Centre Saint – Louis” në Romë.

“Luaneshat e kodrës” kishte goditur me të parën kur u përzgjodh për Festivalin e Filmit në Cannes, por suksesin e kishte rikonfirmuar po me premierën botërore në këtë ngjarje të madhe në verën e vitit të kaluar.

Është një rrëfim i gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh për t’i shpëtuar fatit të paracaktuar. “Luaneshat e kodrës” është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë që është shfaqur në ngjarjen që konsiderohet si “Festivali i festivaleve”. Bajrami, e cila në Francë ku jeton e vepron njihet edhe si aktore, me “Luaneshat…” debutoi në metrazh të gjatë. Në Romë filmi do të jepet në gjuhën shqipe me titra në atë angleze.

Lexo më shumë  “Rrugës” në Cannes – shansi i radhës i Kosovës për “Palmën e Artë”

“Këtë vit, Kosova do të përfaqësohet nga filmi ‘Luaneshat e kodrës’ i regjisores Luana Bajrami, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare”, ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Romë sa i përket shfaqjes së filmit në festivalin që nis me 10 dhe përfundon më 18 mars. Sivjet aty do të ketë filma nga Belgjika, Bullgaria, Franca, Ruanda, Zvicra, Tunizia, Luksemburgu, Vietnami e vende të tjera.

“Luaneshat e kodrës” nuk ishte në garën zyrtare për “Palmën e Artë”, por në programin paralel ”Director’s Fortnight” të festivalit të Cannes, që megjithatë merr vëmendje të madhe e ku zbulohen emra të së ardhmes në kinematografi.

Ky film pas premierës botërore ishte bërë pjesë e shumë festivaleve prestigjioze si ai i Melburnit në Australi, në Festivalin e Sarajevës, të Torontos, Pragës, Varshavës, Colorados e Stokholmit.

Në “Raindance Film Festival” në Britani të Madhe regjisorja Bajrami mori Çmimin për regjinë më të mirë, në Festivalin e Sarajevës, “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë iu dha treshes së filmit Era Balaj, Flaka Latifi dhe Urate Shabani. Në Stokholm, Luana Bajrami mori Çmimin për regjinë më të mirë debutuese dhe atë për skenarin më të mirë. Kurse në Varshavë iu dha çmimi “FIPRESCI” që u ndahet regjisorëve të rinj.

Lexo më shumë  “Rrugës” në Cannes – shansi i radhës i Kosovës për “Palmën e Artë”

Për projektin e saj Bajrami ishte kthyer në vendlindje. Në Kosovë kishte xhiruar krejt filmin që sjell rrëfimin e tri vajzave të reja, të cilat i shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Përballë kësaj ngufatjeje, sipas sinopsisit të filmit, ato vihen në kërkim të pavarësisë.

Regjisorja Luana Bajrami, pas premierës në Cannes, kishte thënë se filmin ka dashur që ta bëjë dinamik dhe e ka pasur një zjarr brenda vetes kur e ka shkruar skenarin, prandaj ka dashur që ta xhirojë menjëherë. Kështu e gjeti veten në Kosovë. Kishte treguar se pasi që e kishte shkruar skenarin, kishte takuar kastën e aktorëve me të cilët kishte kaluar rreth një muaj, në mënyrë që ta njohin më mirë njëri-tjetrin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *