Feraj reagon ndaj komentit të Mehmetajt “Gjakova vendlindja e Radojçiqit”: Vetëm Serbia i identifikon qytetet tona me emra serbësh
Në emisonin Debat Plus, “analisti” Lirim Mehmetaj tha se arsyeja që LVV e nisi fushatën elektorale në Gjakovë është se ky qytet është vendlindja e terroristit famëkeq serb Milan Radojçiq. Pas këtij komenti lemeritës, si për të mos mjaftuar, drejtuesi i emisionit së bashku me analistët e tjerë iu bashkuan me të qeshura “atmosferës” që krijoji komenti i Mehmetajt.
Ky koment i tmerrshëm që identifikon Gjakovën me terroristin Radojçiq që me paramilitarët e tij vrau rreshterin Afrim Bunjaku ka shkaktuar shumë reagime, duke qenë se me komentin e tij ka poshtëruar qytetin e Gjakovës që është zemra e patriotizmit shqiptar, me gjithë ato dëshmorë e martirë që i ka dhënë në emër të lirisë.
Për këtë ka reaguar edhe profesori i teorisë politike, Hysamedin Feraj i cili vjen nga Tirana, por është i lindur dhe i rritur në Gjakovë.
Ai tha se Serbia është ajo që qytetet shqiptare në Kosovë i identifikon me emra serbësh.
Më poshtë gjendet komenti i plotë nga profesor Feraj, i cili është njëherazi edhe kandidat për deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE:
Mbasi kanë sharë 438 mijë nëna të Kosovës tani “gazetarët” morën nismën për identifikimin e qyeteteve të Kosovës me emra kriminelësh serbë!
Nuk janë shqiptarët por Serbia ajo që qytetet shqiptare i identifikon me emra serbësh pushtues e kriminelë: Ferizajin me Uroshin, Deçanin me Stefan Deçanskin, Hanin e Elezit me gjeneral Jankoviçin, etj.
Por as Prizreni nuk identifikohet si vendlindja e Marko Gjuriqit, dhe as Gjakova nuk identifikohet si vendlindja e Milan Radojçiqit. Për shqiptarët Gjakova është vendlindja e Bajram Currit, vendlindja e mijëra dëshmorëve, intelektualëve dhe patriotëve që ndër shekuj kanë derdhë gjak, kanë jetuar dhimbje, kanë dhënë jetë e kanë ofruar intelekt për shqiptarínë dhe shtetimin shqiptar.
Gjakova, çdo qytet dhe gjithë qytetarët e Kosovës, do t’i jap përgjigjen e merituar testimit “gazetaresk” për vazhdimin e traditës shekullore serbe që identifikon qytetet tanë me emra serbësh dhe zëvendëson toponiminë tonë me toponimi serbe.
Sa të ketë shqiptarë Gjakova nuk bëhet “Radojeçevac”, as Ferizaji Uroshevac, as Prizreni “Gjuriçevc”
Serbizimi i toponimisë shqiptare nuk kalon!
Rruga Press