KryesoreLajme

“Farsë politike” – Murati thotë se LVV po e zgjidh buxhetin e Prishtinës që LDK vetë e bllokoi

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, ka folur në një konferencë për media lidhur me situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës rreth çështjes së buxhetit.

Ai tha se problemi me të cilin po përballet komuna është plotësisht i vetëshkaktuar dhe nuk ka të bëjë aspak me ndonjë bllokadë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka pasur buxhet të alokuar për kategorinë mallra dhe shërbime, ndërsa tejkalimi i buxhetit nga ana e komunës ka krijuar detyrime pa mbulesë duke e shkelur kështu Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Lexo më shumë  “U vendos kur qeveriste Saliu dhe Lulashi”, aktivisti jep lajmin në protestë: Një tjetër gardh u hoq në Kakome

“Është e qartë se komuna, respektivisht kryetari i Komunës së Prishtinës ka hyrë në obligime pa pasur mbulesë buxhetore. Kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit dhe për këtë duhet të jepet llogari. Nuk ka pasur asnjë bllokadë nga Qeveria buxheti ka qenë i alokuar, por është tejkaluar në kundërshtim me rregullat,” tha Murati.

Ai mirëpriti faktin që sot Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbaj një seancë të jashtëzakonshme për miratimin e alokimit të të hyrave vetanake, në mënyrë që të shfrytëzohen për pagesën e faturave të mbetura.

Murati gjithashtu uroi që në këtë seancë siç tha ai “t’i jepet fund farsës së propaganduar se komuna është bllokuar nga qeveria”.

Lexo më shumë  Media holandeze: Shqipëria mund të ketë manipuluar shpenzimet në mbrojtje

Murati shtoi se atë që nuk e bëri LDK-ja dhe Lumir Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës, po e bënë sot Vetëvendosje në Kuvendin Komunal.

“Këtu kemi pasur të bëjmë me një fushatë të LDK-së. E njëjta parti, kur ishte seanca për ta votuar buxhetin në Kuvendin e Kosovës, nuk e bëri. Atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvend për buxhetin e Prishtinës, sot po e bën LVV në kuvendin komunal, duke ofruar votë mbështetëse pavarësisht ofendimeve e fyerjeve”, tha Murati.

YouTube player