Lajme

Escobar dhe Lajçak sot në Kosovë, vizita e parë e përbashkët

Sot do të mbërrijnë në Kosovë i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Nga 31 janari deri më 2 shkurt, Escobar dhe Lajçak do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, njofton RTK. Kjo është vizita e parë e përbashkët e dy të dërguarve në përpjekje për të ripërtërirë bisedimet në nivelin më të lartë politikë.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur në korrik të vitit 2021 pa ndonjë përparim dhe qëndrimet tërësisht të kundërta të palëve detyruan Bashkimin Evropian të heqë dorë në fund të vitit të kaluar nga përpjekjet për një takim të ri.

Lexo më shumë  Kosova nuk është protektorat, është një shtet sovran/ Woelk: Sasia e ndërhyrjeve në punët e Kosovës është absurde dhe e patolerueshme

Mospajtimet më të thella kanë të bëjnë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë Beogradi ngul këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina kërkon që çështje tjera më të ngutshme si ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, të hidhen në tryezë.

Aktualisht të dyja palët po diskutojnë vetëm në nivel teknik të delegacioneve për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave, e cila në shtator të vitit të kaluar nxiti tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lexo më shumë  Knut Abraham i zhgënyer me Gjermaninë dhe Këshillin e Evropës: Në këtë 75-vjetor të KiE nuk ka shumë për të festuar

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Rruga Press

YouTube player