Art & KulturëBallina

Eqerem Bej Vlora – Një «figurë klasike postimeriale»

Nga Enver Robelli

Një «figurë klasike postimeriale». Kështu e përshkruan Eqrem Bej Vlorën historiani zviceran Oliver Jens Schmitt.

Biografia e Eqrem Bej Vlorës është shembull i shumësisë së identiteteve që kishin aktivistët shqiptarë në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. I lindur më 1885 Eqrem Bej Vlora rridhte nga një familje që pati një kryevezir në Stamboll, u edukua dhe arsimua në Stamboll dhe në gjimnazin elitar vjenez Theresianum, me përkrahjen e Austro-Hungarisë veproi si patriot shqiptar, por më 1908 ai ishte i dërguar i Sulltanit në hapjen e vijës hekurudhore që lidhte Mekën me Medinën. Fliste persisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Gjermanishten e mësoi nga mësuesi privat, zoti Feigenwinter nga Baseli. (Më shumë nuk dihet për këtë zviceran). Në Luftën e Dytë Botërore Eqrem Bej Vlora ishte ministër për Kosovën në qeverinë e Mustafa Krujës. Pra, brenda gjysmë shekulli Eqrem Bej Vlora ishte: zyrtar osman, patriot shqiptar, properëndimor, pronazist (dhe këtë sikur përpiqej ta dëshmonte edhe me mustaqet e tij), antisllav, anëtar i një qeverie të instaluar nga fashizmi italian, pushtimi i të cilit nga shumë shqiptarë të Kosovës u përjetua si çlirim në krahasim me mizoritë serbe.

Kujtimet i shkroi në gjuhën gjermane. «U martua me një damë myslimane, por mbajti një lidhje të ngushtë me publicisten bavareze Amelie von Godin (1882-1956), me të cilën botoi edhe vepra shkencore», shkruan Oliver Jens Schmitt në librin e tij «Shqiptarët. Një histori mes Orientit dhe Oksidentit (Perëndimit)». Eqrem Bej Vlora vdiq më 1964 në Vjenë.

Sa i përket shumësisë së identiteteve i krahasueshëm me Eqrem Bej Vlorën është edhe Shefqet Bej Vërlaci. Në gjysmën e parë të shekullit 20-të ai ishte dy herë kryeministër i Shqipërisë, kishte ndikim në vend si njëri prej pronarëve më të mëdhenj të tokave, simpatizonte fashizmin italian.

Ambasadori i Republikës së sapo themeluar turke pas arritjes në Tiranë e përshkruante Shefqet Bej Vërlacin si «osman të shkollës së vjetër, i cili gratë e tij i mbante të mbyllura në harem». Njëkohësisht atij i pëlqente të jetojë në Itali. Mbreti i Italisë Viktor Emanueli i II-të e emëroi Vërlacin senator italian. Shefqet Bej Vërlaci vdiq në Zürich në vitin 1946.

Rruga Press

YouTube player