BallinaLajme

‘Ëndrra me aeroport’/ Bashkia e Kukësit rrit taksën në kohë pandemie

Më 23 dhjetor, Këshilli Bashkiak i Kukësit miratoi kërkesën e kryetarit të Bashkisë, Safet Gjici për rritjen e taksës së infrastrukturës nga 4 në 6 për qind. Kryebashkiaku Gjici e motivoi këtë vendim me shpresën e hapjes së aeroportit të Kukësit në pranverë, që sipas tij mund të rrisë kërkesën për ndëtime në zonën e aeroportit.

“Kjo rritje nga 4% në 6% është bërë  në vartësi të realiteteve të reja të krijuara që kanë të bëjnë me aeroportin e Kukësit, i cili do vihet në shfytëzim në pranverën që vjen, ku shoqëri të ndryshme do kërkojnë të investojnë në zonën e aeroportit për arsye komerciale,” tha Gjici për BIRN, optimist për investime të pritshme.

Por rritja e taksës u kundërshtua nga organizatat lokale të biznesit, të cilët paralajmëruan rëndimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, që edhe pa këtë rritje taksash, ishte e vështirë.

“Çdo gjë që taksohet tentohet që të frenohet. Pyetja e thjeshtë është: A kemi nevojë ne që t’i frenojmë ndërtimet në Kukës? Ne kemi një qytet që po shpopullohet, po i ulet vlera gjithçkaje, aseteve, pasurive të paluajtshme,” tha Sokol Kolgjini, përfaqësues i Shoqatës Biznesi për Biznesin.

Edhe Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme, AREA, reagoi kundër rritjes së taksës, ndërsa pretendoi se bashkia nuk ishte konsultuar me ta. Sipas AREA, rritja e taskës do të prekte sektorin e HEC-eve në periudhën e vështirë të pandemisë.

“Jemi befasuar nga shpërfillja që u është bërë nga Bashkia e Kukësit shqetësimeve të prodhuesve të energjisë së rinovueshme që operojnë në territorin e kësaj bashkie, të cilët janë gjithashtu taksapaguesit më të mëdhenj të Bashkisë së Kukësit për vite me radhë,” tha AREA në një njoftim për shtyp.

Lexo më shumë  Kurti në Studime: Të bashkuar në kujtimin e të dashurve tanë dhe përkushtimin për drejtësi

Kryebashkiaku Gjici dhe zyrtarë të Bashkisë së Kukësit e minimizuan efektin që rritja e taksës do të ketë mbi komunitetin e biznesit dhe mbi qytetarët.

Drejtori i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Kukës, Shpëtim Dogjani i tha BIRN se taksa e ndikimit në infrastrukturë i kishte siguruar bashkisë rreth 4.1 milionë lekë në vitin 2020,  një zë minimal sipas tij në buxhet.

Dogjani nuk kishte një parashikim se sa do të ndikonte rritja e kësaj takse, ndërsa i kundërshtoi akuzat e shoqatave të bizneseve në Kukës. Sipas Dogjanit, ankesa e tyre kishte të bënte me taksa të miratuara më herët, që preknin ndikimin në mjedis të hidrocentraleve të vogla të ndërtuara në zonë.

Drejtuesit e bashkisë akuzuan AREA se kishte shmangur për vite me radhë detyrimet ndaj zonës dhe mjedisit.

“Problemi midis AREA-s dhe Bashkisë së Kukësit është në proces gjyqësor,” tha Dogjani.

Edhe Drejtori i Urbanistikës, Ardrin Shehu tha se taksa ndaj HEC-eve të ndërtuara në territorin e kësaj bashkie ishte miratuar një vit më parë dhe se ishte një detyrim i këtyre kompanive për shkak të dëmeve që kishin shkaktuar.

“Ndikimi në mjedis i HEC-eve është i konsiderueshëm. Në këtë kuadër, Bashkia ka vendosur një taksë progresive në varësi të megavatëve të prodhuar nga këto HEC-e. Më parë, këto HEC-e paguanin një taksë të papërfillshme”, tha Shehu.

Ai akuzoi bizneset e HEC-eve se nuk kishin respektuar lejet mjedisore duke dëmtuar rëndë florën dhe faunën. “Pronarët e këtyre HEC-eve në bazë të ligjit nuk kanë rikuperuar asnjë nga dëmet mjedisore që kanë shkaktuar,  që nuk janë të pakëta,” tha Shehu në përgjigje të akuzave të AREA-s.

Lexo më shumë  Kapen rreth 400 kg duhan kontrabandë në Gjilan

Sipas organizatave të biznesit, paketa fiskale krijon “shqetësimin e thellë” dhe rrit në mënyrë arbitrare dhe të pajustifikueshme taksat dhe tarifat vendore në Kukës.  Kolgjini i tha BIRN se në fund, taksa do të përcillej te konsumatori dhe se ajo bazohej mbi vlerësime të gabuara të vlerës së pronës në zonë.

“Kur themi që kemi taksu biznesin, në fakt kemi taksu konsumatorin për të gjitha rastet, për të gjitha taksat,”tha Kolgjini.

Ai shtoi se edhe 4 për qind, kjo taksë ka qenë e lartë për Kukësin dhe se çmimi për metër katror është mjaft më i lartë se sa çmimi real në zonë.

“Vendosja e saj ka qenë një lapsus i disa viteve më parë, ku Kukësi u klasifikua si bashki e kategorisë së parë dhe  çmimi për metër katror i banesave në Kukës është 54 mijë lekë. Ky çmim nuk është real,” tha Kolgjini.

Aeroporti i Kukësit është premtuar se do të vendoset në punë verën e ardhshme, pas një sërë premtimesh dhe dështimesh që prej vitit 2009. Katër vjet më parë, qeveria rinegocioi kontratën koncesionare me kompaninë që menaxhon aeroportin e Rinasit, duke i dhënë asaj 2 vjet shtesë koncesion, që të lejohej vënia në punë e aeroporteve të tjera në vend. Por kjo shtesë kontrate, përtej premtimeve, nuk solli ndonjë ndryshim sa i përket aeroportit të Kukësit.

Ky i fundit iu dha me koncesion dy kompanive të ndërtimit, që kanë ndërhyrë në zmadhimin e pistës dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh disa ditë më parë gjatë një vizite në kantier se puna në aeroport do të përfundonte në katër muaj. /BIRN/

Rruga Press

YouTube player