BallinaLajme

Emigrantët duhet të regjistrojnë adresat, ose nuk marrin pasaporta dhe ID

Prej ditës së premte, 27 nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë shqiptare, sipas të cilit të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë në emigracion duhet të regjistrojnë adresën e tyre të saktë, në të kundërt mund të humbasin përkohësisht të drejtën e marrjes së shërbimeve, si rinovimi i kartës së identitetit, apo pasaportave.

Vendimi që mban numrin 915 është miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 4 nëntor, edhe si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit për t’u mundësuar emigrantëve të drejtën e votës.

Në pikën 4 të tij thuhet se “shtetasit shqiptarë mbajnë përgjegjësi administrative për mospërmbushje të detyrimit ligjor të vetëdeklarimit të adresës së tyre dhe autoritetet përgjegjëse, në rast konstatimi të mospërmbushjes së këtij detyrimi pezullojnë kryerjen e shërbimeve të kërkuara, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetëdeklarimit të adresës”.

Vetëdeklarimi i adresës së banimit mund të kryhet përmes platformës qeveritare e-Albania. Për ata që nuk janë të regjistruar në këtë platformë, do të kërkohet fillimisht regjistrimi dhe më pas ndjekja e hapave, duke u futur si qytetar dhe duke përdorur shërbimin “Deklarimi i adresës së shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Përmes këtij regjistrimi, vendimi i Qeverisë përcakton se qytetarët do të përfitojnë shërbime të ofruara nga gjendja civile dhe ushtrim të së drejtës së votës në zbatim të Kodit të ri Zgjedhor, ku përcaktohet edhe vota e emigrantëve.

Lexo më shumë  Mbahet për herë të parë në Kosovë tryeza rajonale për partneritetet publiko-private

YouTube player