KryesoreLajme

Elshani: Gjithsej 55 zolla janë konfiskuar në Banjskë, që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka treguar se sa armë antitank të tipit zolla janë konfiskuar në Banjskë, pas sulmit të grupit terrorist serb të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi, më 24 shtator 2023.

Elshani, duke folur lidhur me bastisjet në dy barnatore në veri të vendit, ka thënë se bastisja në Zveçan tanimë ka mbaruar, ndërsa ajo në Mitrovicën Veriore është duke vazhduar ende.

Elshani ka thënë se janë duke asistuar në këto bastisje që po kryhen nga Dogana e Kosovës.

Ndërsa për pesë zollat e gjetura afër Manastirit të Banjskës, ai ka thënë se ato janë pjesë e sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Lexo më shumë  Si e mbështeti projektin e Ajola Xoxës kompania e inceneratorit të Tiranës

“Nuk mund të jap detaje, rasti është pjesë e hetimeve”, ka thënë ai, për RTV Dukagjini.

“Shtatë ose tetë i kanë gjuajtur, 50 i patëm konfiskuar. Me këto pesë bëhen gjithsej 55 që i kemi konfiskuar. Ky është një numër i madh që i kemi konfiskuar gjatë operacionit të Banjskës, të cilat janë shumë të rrezikshme”, ka thënë tutje ai.

Elshani ka shtuar se Policia e Kosovës është e  pranishme në veriun e vendit dhe se nuk kanë ndonjë problem.

Lexo më shumë  Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

“Policia e Kosovës është në çdo cep të Kosovës, specifikisht në veri të vendit. Kjo për ne është e rëndësishme që të mos kemi ndonjë ndalesë, ndonjë zonë që s’mund të hyjmë, banesë që s’mund të kontrollojmë ose shërbim që s’mund të ofrojmë… Këto probleme nuk i kemi”, ka shtuar tutje Elshani.

Tutje, ai ka theksuar nevojën që institucionet e vendit të jenë më të pranishme në këto komuna, duke përfshirë këtu edhe ARBK-në për regjistrimin e bizneseve. /Dukagjini/

YouTube player