Art & Kulturë

Ekspozita “This Fall”, me punime në pikturë në galerinë FAB

Ekspozita me piktura “This Fall” u hap në galerinë e artit FAB pranë Universitetit të Arteve. Ekspozita e piktorit Orion Shima vjen e kuruar nga Parid Teferiçi. Për kuratorin Teferiçi, çdo punë e re e Orion Shimës përcjell befasi dhe vijimësi. “Befasi në tendosjen çdo herë drejt një pike të re ekuilibri- të beftë dhe të brishtë, duke u shtyrë me vetëdije përtej lehtësive të përvojës dhe marifeteve të zejes. Dhe vijimësi jo si rrjedhojë e inercisë së kërkimit në një drejtim të përcaktuar, e ngulmimit në një repertor motivesh e temash të parapëlqyera.

Vijimësia e Orionit nuk vjen nga rutina, por nga një koherencë e thellë e brendshme, nga besnikëria ndaj temperamentit të tij dhe nga sinqeriteti me veten”, thotë ai. Pikërisht kjo koherencë bën që punët e reja, përveç risive që sjellin në vetvete, të na ndriçojnë më mirë dhe punët e mëparshme, gjer dhe ato më të hershmet, të na qartësojnë pozicionin e secilës në trajektoren krijuese të autorit. Për kuratorin Parid Teferiçi, madje edhe faza e tij zanafillore, ajo informale dhe lëndore, sikur rigjallërohet nga pikturat e njëzet viteve më pas, në të cilat shfaqet suvaja e vrazhdë e ndonjë muri që ndan përdhunshëm një peizazh apo rrethon një kopsht. “Ndjeshmëria e thellë e Orionit për natyrën është dëshmuar tashmë prej dekadash, duke kulmuar me ekspozita të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, më e fundit e të cilave vjet në Berlin.

Lexo më shumë  Zbulohet mozaiku i një pishine të lashtë në Durrës, daton në shekullin e parë para Krishtit

Por kjo ndjeshmëri lidhet pak, ose aspak, me shqetësimet dhe modat ambientaliste, të cilat e kanë rikthyer fuqishëm natyrën në muret e galerive”, shprehet ai mes të tjerave në tekstin kuratorial. Ekspozita “This Fall” që u hap këto ditë në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve vjen në vijim të aktiviteteve të kësaj galerie. Këtë herë për publikun deri më datë 3 të muajit që vjen publiku mund të gjejë veprat e piktorit të njohur  Orion Shima, në ekspozitën “This Fall”./sot/

Lexo më shumë  Zbulohet mozaiku i një pishine të lashtë në Durrës, daton në shekullin e parë para Krishtit

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *