Art & Kulturë

Edicioni i dytë i Festivalit Ballkanik të Filmit në Romë flet shqip

Nis të mërkurën në Romë edicioni i dytë i Ballkan Film Festival i organizuar nga “shoqata Occhio Blu Anna Cenerini Bova” në bashkëpunim me ministrinë italiane të Kulturës, Anica (shoqata italiane e industrive kinematografike dhe audiovizive), me mbështetjen e qendrave kinematografike të vendeve ballkanike pjesëmarrëse dhe të Casa del Cinema (Shtëpia e Kinemasë) në Romë.

Përmes një përzgjedhjeje mes filmave më të mirë të Ballkanit të viteve të fundit, takimeve me autorë me famë ndërkombëtare e thellimeve mbi tema të kinematografisë, Festivali dëshiron të ofrojë një mundësi të përvitshme për reflektim, diskutim, njohje të shoqërisë ballkanike dhe stimulim të bashkëprodhimeve italo-ballkanike.

Festivali hapet me një të ftuar të veçantë, regjisorin e madh maqedonas Milcho Manchevski. Pas takimit me të, publiku do të ketë mundësi të ndjekë filmin e tij të fundit, “Vrba” (Shelgu).

Gjatë ditës së dytë, Festivali nderon një nga më të mëdhenjtë e kinematografisë ballkanike, regjisorin serb Goran Paskaljević, të ndarë nga jeta një vit më parë. Pas prezantimit të figurës së tij, do të shfaqet filmi i tij “Medeni Mesec” (Muaj mjalti), bashkëproduksion serbo shqiptar i vitit 2009, në të cilin luajnë edhe disa aktorë shqiptarë si Bujar Lako, Yllka Mujo, Jozef Shiroka etj.

Mes dymbëdhjetë filmave të festivalit produksione e bashkëproduksione të 10 vendeve ballkanike, 3 kanë autorë kosovarë e një shqiptar. Pikërisht Kosovës i dedikohet dita e tretë, 8 tetori. Në prani të Ambasadores së Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasim, do të diskutohet për produksionet e shumta, hovin e kinematografisë kosovare në të cilën gjen akoma gjurmë të dhimbshme të konflikteve e të luftës të një të shkuare jo të largët, por edhe problemet sociale e ekonomike që kanë fryrë radhët e diasporës e nxisin edhe sot emigracionin.

Një pas një, publiku do të mund të ndjekë tre nga veprat e fundit të kinematografisë kosovare të përzgjedhura: filmin “Zana” të Antoneta Kastratit, “Galaktika e Andromedës” e More Raçës dhe “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës.

Antoneta Kastrati, pas luftës në Kosovë, nisi të realizonte filma me metrazh të shkurtër e dokumentar të vlerësuar me çmime të ndryshme. Pas përfundimit të studimeve në regjisurë në Institutin Amerikan të Filmit në Los Anxhelos, realizoi filmin e saj të parë artistik, “Zana”, i cili u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto dhe ishte kandidat për Oskar 2020.
More Raça vjen në Romë me filmin e saj të parë, “Galaktika e Andromedës”, një denoncim i degradimit shoqëror të pasluftës, i parë me sytë e një gruaje të re: një vështrim plot shpresë në thatësinë e ndjenjave e të mendimeve të Kosovës bashkëkohore.

Kastrati e Raça, bashkë me regjisoren kroate Andrea Štaka, do të jenë pjesëmarrëse të shtunën (9 tetor) në panelin ku do të diskutohet rreth prodhimtarisë kinematografike “femërore” të pasur të Ballkanit, për këndvështrimin “femëror” mbi luftën, politikën, paqen, ambientin familjen, emigracionin e mbi ato vetë.

Ndër filmat shqiptarë është përzgjedhur “Streha mes reve”, me skenar e regji të Robert Budinës që do të shfaqet të enjten më 7 tetor. Për trajtimin delikat të temës së bashkëjetesës paqësore mes besimeve fetare mes maleve të Shqipërisë është vlerësuar në 2019 si filmi më i mirë në “Valletta Film Festival” në Maltë.

Programi i plotë i Festivalit Ballkanik të Filmit në Romë: #BFF Balkan Film Festival – seconda edizione

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *