Opinion/Aktualitet

Edi Rama krijoi këtë strukturë tregu dhe model ekonomik: paratë tona mund të shkojnë vetëm te një dorë njerzish që jep leje ai. Sot në shesh dhe për këtë!

Nga Ola Xama

Lajmi se SPAK ka lëshuar urdhër arresti për Artur Shehun, Ilir Shtufin dhe Orest Sotën me dyshimin për pastrim të parave që burojnë nga trafiku i drogës është operacioni më i rëndësishëm që vërteton shqetësimin e ngritur prej vitesh nga media dhe ekspertët: furnizimin e tregut të ndërtimit me para të pista.

Në një hulumtim që kam bërë disa muaj më parë në bazë të lejeve të zbardhura që ka dhënë Këshilli Kombëtar i Territorit në kryeqytet për kulla, grupi i kompanive që lidhet me biznesmenët Ilir Shtufi, Kujtim Shtufi dhe Mark Luli rezulton të ketë marrë numrin më të madh të lejeve ndërtimit. Kompanitë Nova Construction Group, (ish-Nova Construction 2012), Ferro Beton & Construction CO, Devealb Construction dhe M.C Inerte janë pajisur me 11 leje për të ndërtuar 727 mijë metra katrorë rezidenca banimi dhe hotele, sipërfaqe që përbën 15% të totalit të volumit të lejeve të dhëna për godina të larta që ka miratuar KKT.

Lexo më shumë  Tre skenarë që mund të pasojnë suksesin e protestës qytetare në Shqipëri

Kompania Forever Construction në pronësi të Lefter Sotës, babait të Orest Sotës, është pajisur me 3 leje për kulla për një sipërfaqe totale 238 mijë m2. Një godinë me 18 kate në bulevardin “Gjergj Fishta” me sipërfaqe 102 mijë m2, e cila më pas në vitin 2023 zgjerohet në 155 mijë m2. Në vitin 2022 janë dhënë dy leje të tjera për ndërtimin e një objekti 12 kate në zonën e ish-Bllokut dhe godinës “Manhatan 1” me 30 kate në rrugën “Asim Vokshi”.

Emri tjetër për të cilin është lëshuar urdhër arresti, Artur Shehu, është personi i cili pretendon se ka sipërfaqen më të madhe të tokës në projektin që do të zhvillohet në Zvërnec për ndërtimin e resortit turistik, me investitorë dy vëllëzer sirianë me bazë në Katar dhe i promovuar nga familjarët e presidentit të ShBA, Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

Nga analiza e bilanceve të kompanive që ndërtojnë kulla në Tiranë rezulton se mesatarisht 80% e financimit vjen nga parashitjet dhe kleringu, një model që favorizon depërtimin e parave të pista në këtë sektor. Natyrisht që disa porositës mund të jenë dhe qytetarë të ndershëm të cilët kanë dhënë kursimet e tyre ose kanë marrë kredi për të blerë një apartament – por sot nuk janë të sigurtë nëse do ta përfundojë ndonjëherë dhe nëse do të marrin investimin për të cilin kanë dhënë paratë!

Të mos harrojnë se kjo nuk do të ishte bërë e mundur pa kreun e Këshillit Kombëtar të Territorit, Edi Rama, i cili krijoi këtë strukturë tregu dhe model ekonomik: paratë tona mund të shkojnë vetëm te një dorë njerzish që jep leje ai.

Sot në shesh dhe për këtë!

Rruga Press

YouTube player