KryesoreOpinion/Aktualitet

Edi Rama ka nevojë për alibinë e demokracisë

Nga Elvis Hoxha

Në 1 korrik të vitit 2019 kisha bërë shënimin e ditës për politikën në Tiranë. Por me ngajrjet e reja në PD, ndoshta mund të lexohet më mirë. Më poshtë po e ripostoj për këdo që ka interes:

Si fillim le të pranojmë se këta ishin votimet më të qetë që janë parë. Ishin dhe votimet më unanimë. Këta votime që pamë janë përzjerja e përkryer e votimeve staliniane të periudhës “komuniste” dhe atyre saliane të 26 majit 1996. Për përqindje natyrisht këta votime do të dalin më të bujshëm se ata të 26 majti 1996, të zhvilluar në euforinë push(te)tuese të Sali Berishës. Atëherë PD-ja i lejoi vetes të merrte deri në 80%. Komisionerët e PS-së u larguan nga procesi. Nga makinat e policisë kallashnikovët zëvendësonin fishekzjarret e festës. Ndërkombëtarët i humbën nja gjashtë muaj kohë psiqikës dhe moralit të shoqërisë shqiptare dhe më në fund deklaruan se zgjedhjet ishin të pranueshme. Për hir të stabilitetit në rajon, por në dëm të stabilitetit moral, politik e psiqik dhe në dëm të së ardhmes së shqiptarëve. Në fund të fundit, ndërtimi i demokracisë nuk është puna e ndërkombëtarëve, por e jona. Dhe ne historikisht kemi ndërtuar pushtete, para se të merakosemi për shtet dhe institucion.

Pas këtyre votimeve të qetë dhe unanimë, diktatori e ftoi shoqërinë në një sekuencë tjetër të shkatërrimit të demokracisë. Ai kërkon unifikimin e pretendentëve të pushtetit. Nëse Basha vendos ta shndërrojë PD-në në organizatë si puna e bashkimeve profesionale të PS-së, atëherë edhe formalisht ka marrë fund demokracia. Për këtë po përpiqet Baton Haxhiu. Ai po ngutet të na thotë se pa Edi Ramën PD-ja është e vdekur. Por në fakt ai e di mirë se pa PD-në, Edi Rama është i vdekur. Sepse Edi Rama ka nevojë për alibinë e demokracisë. Langojtë e diktatorit pasi e përsosën vdekjen e deritanishme morale dhe strukturore të demokracisë, tani po përpiqen ta shuajnë edhe nominalisht. Pushtetmbajtësit do t’i ftojnë shqiptarët në përfundimin fatal: “Ju nuk keni shpëtim prej nesh!” Ndërsa ndërkombëtarët në përfundimin aspak shpresëdhënës: “Ju nuk keni vlerën e të qenit problem për ne.”

Lexo më shumë  MPJD-ja apel qytetarëve: Evitoni me çdo kusht kalimin nëpër Serbi

Për përqindje, votimet e djeshëm dalin edhe po aq unanimë sa votimet e stalinizmit. Atëherë rezultati i fituesit nuk e tejkalonte kurrë 100%. Sepse stalinizmi mbetet brenda kufijve të parimit të energjisë. Kështu që edhe Edi Rama realizoi të njëjtën autokraci, timokraci, diktaturë si Enveri, si Saliu. Ndërkombëtarët do të presin ca kohë dhe në fund do të thonë, nisur nga paradigma se shqiptarët nuk e meritojnë demokracinë, se votimet shkuan pranueshëm.

Me kalimin e kohës në Shqipëri do të votojnë gjithnjë e më pak njerëz, me votat e tyre do të realizohet i njëjti tip shteti dhe e njëjta formë e dhunës së pushtetit, por gjithnjë e më pengmarrës. Opozitarët do të merren për opozitarë, kur në fakt në mendjet dhe shpirtin e tyre ata funksionojnë njësoj si pushtetarët. Opozita te ne nuk synon realizimin e ndonjë ideje apo programi, por marrjen e thjeshtë e të kulluar të institucioneve si mjete dhune. Ndoshta një ditë do të kuptojmë se në Shqipëri nuk ka patur kurrë opozitë në formën e partive politike. As oponencë në formën e shoqërisë civile. As kritikë në formën e mediave. Pra, nuk ka patur as ndonjë tranzicion demokratik e as ndonjë gjendje demokratike. Shqiptarët janë të lumtur që po “futen” në Evropë. Sapo takova babanë e një mikut tim. Ishte shumë i lumtur që djali ka shkuar në Gjermani. Pak rëndësi kishin dy masterat e tij, specializimiet jashtë. Tani miku im është i lumtur sepse punon në një fabrikë dhe nuk ia fyen më askush inteligjencën.

Ne do ta vazhdojmë polifoninë tonë demokratike duke fyer totalin e peshës historike të kombit me dhunën e një pushteti që si zakonisht votohet në masën 10%. Ndaj dhe është thënë gjithnjë që diktatura është pushtet i pakicës, por skllavërim dhe bashkëpunim i shumicës.

Grupi i parë janë ata që ndeshen për pushtetin politik, por që e kthejnë në dhunë ekonomike dhe financiare, pra që e zhdukin prodhimin dhe masën njerëzore që i nevojitet këtij prodhimi. Ky grup i madh shqetësohet për reduktimin e njerëzve në mercenarë, në refugjatë dhe dembelë.

Lexo më shumë  FMN ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2024

Grupi i dytë janë ata që duan të ndryshojnë diçka duke punuar në profesionet e tyre edhe pse shpesh në kushte varfërie. Këta janë opozita e vërtetë, por e padukshme, e pashprehur dhe e papërkrahur nga shoqëria shqiptare, e cila në masën më të madhe mendon se djersa dhe pasioni nuk sjellin frute, se morali nuk është i mirë për shëndetin.

Grupi i tretë janë ata që mendojnë se Shqipëria është një maternitet nga duhet të largohesh natyrshëm pasi ke lindur. Këta janë grupi shumë i madh i njerëzve që mendojnë në masën më të madhe të tyre se njeriu ka vetëm lidhje moralisht neutrale me jetën. Me ikjen e tyre ata ia lehtësojnë pakicës mbajtjen e dhe rotacionin e dhunës pushtetuese.

Grupi i katërt, këta që janë edhe më të shumtë, bëjnë tërë ditën analiza politike, pa kuptuar se po gjejnë dalllime aty ku nuk ka, po gjejnë dallime mes atyre që veprojnë njësoj. Janë ata që dinë të ndajnë mes Berishës dhe Ramës, Bashës dhe Ramës dhe Berishës, ata që janë të aftë të gjejnë dallime aty ku nuk ka, ata që dinë të të thonë se vlen dhe duhet të votosh në Shqipëri, pavarësisht se nuk ke për të votosh.

Ky grup i katërt nuk është i trishtuar për boshatisjen e Shqipërisë prej njerëzve, prej vlerave demokratike dhe morale, politike dhe estetike, artistike dhe shkencore. Janë këta që nuk lodhen as me gjet ndonjë kumt demokratik, as ndonjë vlerë historike apo kombëtare. Një pjesë e tyre mund të kalojë shpejt në grupin e tretë të mallkuesve të atdheut, kur nuk kalon dot në grupin e parë të grabitësve të pushtetit. Këta janë shumica e nënshtruar dhe masa e skllavërisë që e mban të keqen gjallë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *