DY LAJME TË MIRA!
Shkruan Ali Mehmeti
Pas humbjes së të djathtës ekstreme në Francë, e njëjta ndodhi edhe në Slloveni.
Atje fitoi Robert Golobi, në garë me kandidatin tjetër Janez Janshën, përkundër shumë lojërave të pista që u bënë kundër Golobit.
Robert Golobi është një inxhinier i elektroteknikës i doktoruar në vitin 1994 në po këtë drejtim. Në kohën sa Milan Kuçan dhe Janez Drnovshek ishin presidentë të Sllovenisë, ai kishte funksione politike, kurse nga viti 2006 vihet në ballë të ndërmarrjes shtetërore GEN-I ku mbetet gjer në muajin dhjetor 2021. E zhvilloi këtë ndërmarrje në përmasa ndërkombëtare duke zhvilluar aktivitet në 22 shtete, me 16 filiale dhe 500 punëtorë, në lëmin e prodhimit dhe shitblerjes të energjisë elektrike dhe gazit. Përveç kësaj, ai kishte formuar edhe një parti politike dhe në fund “Lëvizjen Liria”, me të cilën kandidoi për president të Sllovenisë në zgjedhjet e 24 prillit 2022, fitoi.
Kundërkandidati i tij Janez Jansha, popullist i djathtë, adhurues i Donald Trumpit, i përkrahur nga autokrati hungarez Orbani, kurse ky i fundit i përkrahur nga Putini, nuk la gjë pa bërë, për ta diskredituar Golobin. Madje nga dita që kuptoj se do ta ketë për kundërkandidat filloi të thurë plane kundër tij. Me 17 mars 2022 mediumet në Slloveni publikuan lajmin se Golobi kishte xhiro-llogari sekrete në Rumani, kurse paraprakisht kishte deklaruar se nuk ka një të tillë askund në botë. Vetëm 4 ditë para zgjedhjeve, me 20 prill 2022, Golobi arriti ta vërteton nëpërmjet organeve të shtetit rumun se i ishte vjedhur identiteti; se ekzistonte një xhiro-llogari në Raiffeisen Bank në Rumani, në emrin Robert Golob, por që nuk ka të bëj me atë, e për më tepër në këtë xhiro-llogari nuk kishte pasur kurrfarë hyrje-dalje të parave!
Tentimi i dytë për diversion u bë 4-5 ditë para zgjedhjeve, kur një twitt mesazh nga Mirko Mayer, redaktor i stacionit televiziv slloven Planet TV, në pronësi të Jozsef Vida, një oligark hungarez nga rrethi i Viktor Orbanit publikoi lajmin sipas të cilit, Golobi ishte i përfshirë në shpëlarje të parave. Këtë lajm e transmetuan të gjitha mediumet duke përfshirë edhe ato të Kosovës, pasi përmendej si i përfshirë edhe emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Tentimi i tretë për diversion u bë ditën e zgjedhjeve, kur mediumet e afërta me Janshën lansuan lajmet se Rusia po ndërhyn në zgjedhjet sllovene duke përkrahur Golobin. Edhe pse mediumet më të mëdha sllovene nuk shkruajtën për këtë rast, Partia Popullore Evropiane (EPP), anëtare e së cilës është ajo e Janshës, postoi të dielën në Twitter se ishte e shqetësuar për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet sllovene. Në fakt kjo ishte një pritë për të kontestuar zgjedhjet nëse rezultati do jetë i disfavorshëm, kurse diferenca të jetë e vogël, siç pritej.
Por, as diferenca nuk qe e vogël dhe as votuesit nuk u mashtruan, ashtu që Jansha u detyrua t’ia uroj fitoren Golobit.
Pra, tanimë që është dokumentuar se diversioni i parë dhe i tretë nuk ishin asgjë tjetër por lajme të rrejshme, si mund ta marrim për të mirëqenë akuzën e Janshës në lidhje me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, sipas të cilit, ai është i përfshirë në shpëlarje të 600 mijë eurove bashkë me Golobin dhe për llogari të tij.
Lajm i mirë është që Agjencia kundër korrupsionit e Kosovës sot hapi hetim mbi pasurinë e ambasadorit në fjalë, që përfundimisht do i pohoj ose mohoj akuzat e Janshës.
Rruga Press