Opinion/Aktualitet

Duke uruar 110 vjet jetë të ushtrisë shqiptare

Shkruan Durim Abdullahu

4 dhjetori i vitit 1912 është data e themelimit të ushtrisë së Shqipërisë. Shtatë ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor, Kuvendi Kombëtar në Vlorë themeloi Ministrinë e Luftës me ministër Mehmet Dërrallën. Fillimisht për këtë detyrë u propozua Isa Boletini, i cili ndonëse e refuzoi, i vuri në dispozicion trupat e tij, rreth 200-300 vullnetarë nga Kosova, që u bënë bërthamë mbi të cilën u themelua ushtria shqiptare.

Isa Boletini vazhdoi t’i shërbente ngritjes së ushtrisë shqiptare edhe gjatë misionit holandez në kohën e Princit Wilhelm Wied, kur Mbretëresha e Holandës Wilhelmina, dërgoi dhjetëra oficerë holandezë për të ndihmuar ngritjen e ushtrisë shqiptare.

Ushtria shqiptare ka kaluar nëpër periudha të vështira sikur ajo e kohës së Zogut, kur krerët e saj u përfshinë në rrëzimin e tij më 1924, para se të priheshin po prej Zogut I si Mbret i Shqiptarëve, në ngritjen e kapaciteteve ushtarake.

Ushtria Popullore e Shqipërisë siç u quajt në periudhën e regjimit komunist (1945-1991), qe një armatë e madhe dhe e mirëstrukturuar, e pajisur dhe moderne, me një doktrinë ushtarake defansive të stërholluar, rezultat i paranojave të regjimit dhe i vetë frymës së Luftës së Ftohtë. Por e cila u përdor edhe barbarisht kundër vetë popullit shqiptar që u mbajt i izoluar nga bota.

Në demokraci, ushtria shqiptare e përjetoi si viktimë tranzicionin e gjatë të kalimit nga një ushtri e një stili të vjetër sovjetik, që kishte eliminuar edhe gradat, në një ushtri moderne të tipit perëndimor. Një kapitull shumë i lavdishëm i kësaj kohe për ushtrinë shqiptare, qe përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo duke ndihmuar me trajnime dhe armë.

Më 2008, Forcat e Armatosura të Shqipërisë u anëtarësuan në NATO duke e rreshtuar Shqipërinë, në mesin e vendeve aleate të Perëndimit. Sot, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë partnerja më e natyrshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë të dyja këto, mbrojnë hapësirën e jetesës dhe sigurinë e kombit shqiptar.

Urime dita e Forcave të Armatosura të Shqipërisë!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *