EditorialKryesore

Duke ikur nga Kurti, Osmani humbi boshtin e moralit politik, por tani po humb edhe arsyen: krahason dialogun e iniciuar nga BE-ja me një takim të mundësuar nga Baton Haxhiu

Çdo ditë e më shumë pozicioni i Vjosa Osamanit po del i qartë: “Nëse më bëni presidente jam me ju, nëse s’më bëni presidente jam kundër jush dhe flaka i rëntë edhe Kosovës.”

Shumëkush po tronditet nga gjuha e ulët dhe agresive e ish-presidentes.

Nuk mund ta besojnë se njeriu që dikur mbronte dinjitetin e Kosovës, po përpiqet të bëjë një spektakël kaq të ndyrë pa dinjitet.

Duket sikur Osmani, më shumë se sa ta ngrejë veten në figurë politike, po e ul veten në personazh “Big Brotheri”.

Teksa përpiqet ta portretizojë vetveten si pasardhëse të presidentit Ibrahim Rugova, i cili shquhej për gjuhën e respektit dhe urtësisë, ajo e ka ulur diskursin e kësaj fushate politike në pikën më të ulët të historisë së shtetit të Kosovës.

Po ta kishim parë me pak vëmendje më shumë edhe më herët, do ta kishim kuptuar se mbrojtja që ajo i bënte dinjitetit të Kosovës nuk buronte nga thellësia e mendimit të saj, por nga boshti që i garantonte partneriteti me Albin Kurtin.

Pozicioni parimor dhe i palëkundur i Kurtit i jepte mundësinë asaj të zbulonte një diskurs të vlerave dhe interesave vitale shtetërore.

Me t’u larguar prej tij ajo gjendet pa bosht dhe çka i mbetet, si diçka autentike e saj, është vetëm ambicja e tërbuar, që e kthen në të kundërtën e asaj se çfarë dukej më parë.

Në këtë mënyrë ajo humb jo vetëm moralin politik, por edhe arsyen.

Produkti i kësaj humbjeje duket qartë pikërisht në atë se si vepron e në atë se çka thotë.

Çartja më e fundit e moralit politik dhe logjikës shihej te akuza e saj ndaj Kurtit, kur për të justifikuar takimin e saj të paregjistruar nga protokolli shtetëror, në një tavolinë me Grenellin dhe Gjuriqin, lëshoi akuza se kryeministri i Kosovës ka qëndruar orë të tëra në takim në Bruksel me Vuçiqin dhe Lajçakun.

Lexo më shumë  Togeri serb i Policisë së Kosovës i çoi BIA-s dokumente sekrete

Me shumë të drejtë, qytetarët komentuan në masë mungesën e moralit politik të kësaj akuze të çuditshme: “Nëse Kurti paska bërë takime të dyshimta me Vuçiqin dhe Lajçakun, pse nuk ngrite alarmin e këtij rreziku kur ishe presidente, por po e bën vetëm tani kur nuk u bëre presidente? A do ta kishe thënë këtë gjë nëse do të ishe bërë përsëri presidente?”

Kjo është vetëm njëra anë. Ana tjetër është humbja e arsyes, si pasojë e humbjes së boshtit të moralit politik.

Me cilën arsye e logjikë mundesh të krahasosh një takim në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili po zgjat prej shumë vitesh, me një takim të fshehtë, të pazbuluar për publikun dhe institucionet shtetërore, të ndërmjetësuar nga njerëz të dyshimtë?

Takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i organizon dhe i mundëson përfaqësuesi zyrtar i BE-së, cilido qoftë ai ndër vite, ndërsa takimin famëkeq të Osmanit në New York e organizoi dhe e mundësoi, siç e tha ai vetë publikisht, Baton Haxhiu, personazh që akuzohet për lidhje të dyshimta me famëkeqin Jovica Stanishiq, ish-shefin e shërbimit sekret serb.

Përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës janë të obliguar t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Bashkimit Evropian, sepse për ndryshe do të akuzoheshin për braktisje të zotimeve shtetërore për dialog dhe për nxitës konflikti.

A ka të njëjtën fuqi obligative Baton Haxhiu kundrejt Vjosa Osmanit presidente? Asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i thotë “Jo” Baton Haxhiut.

Sipas logjikës, këta dy takime ose janë të pakrahasueshëm, ose nëse janë të krahasueshëm, Osmani duhet t’i sqarojë qytetarëve të Kosovës se nga i vinte ky obligim për t’i thënë “Po” takimit.

Kjo e fundit, nëse është e vërtetë, është vërtet e rrezikshme, sepse aludon për detyrime të Osmanit që askush nuk i di, teksa ajo ishte presidente.

Nëse ajo pranoi këtë takim pa qenë e shtrënguar, duke zgjedhur lirshëm, atëherë po flasim për një agjendë personale të saj, të cilën po ashtu duhet ta sqarojë dhe jo ta justifikojë duke mbivendosur një akuzë absurde ndaj Kurtit, i cili për më tepër, Serbinë e “shpartalloi” në dialog dhe në terren në veri të Kosovës.

Lexo më shumë  Legjenda e boksit Luan Krasniqi bën thirrje për regjistrimin e mërgatës: Albin Kurti punon dhe vepron për popullin e vet, ndërsa koha do t’i tregojë të gjitha

Në terma të personave, nuk ka ndonjë dallim të madh mes Miroslav Lajçakut dhe Baton Haxhiut, Lajçak Epshtejnit, siç e quajti ajo dhe Baton Stanishiqit, siç e quajnë qytetarët “gazetarin” me lidhje të dyshimta, që propozonte ndarje të Kosovës dhe amnisti të krimeve serbe kundër njerëzimit në Kosovë.

Por Lajçaku vinte i veshur me petkun e Bashkimit Evropian dhe për këtë s’mund të fajësosh Kurtin, por Bashkimin Evropian që për një kohë shumë të gjatë solli në Kosovë si përfaqësues të saj persona të tillë haptazi antishqiptarë, shpesh me të shkuar të lidhjeve të forta me Serbinë dhe Rusinë. Edhe ky gabim i BE-së, së fundmi është korrigjuar. Nuk ka më “Lajçaka” e “Borrella” që e përkëdhelin Serbinë dhe e godasin padrejtësisht Kosovën.

Qytetarët e Kosovës të gjitha këto i dinë shumë mirë dhe nuk janë aspak masë injorante që e ha manipulimin, siç me gjasë mendon Osmani.

Në Big Brother shikuesit presin nga banorët që ata të bëjnë dredhira e manipulime, duke i nxjerrë keq kundërshtarët. Shpesh në këto formate kjo sjellje vlerësohet dhe shpërblehet.

Por politika është gjë tjetër. Aty populli e di se po luhet fati i tij, jo i ndonjë personazhi, prandaj kërkon vendosmërinë, konsistencën, guximin, mençurinë dhe moralin politik.

Këtë dallim Osmani do ta kuptojë vetëm më 7 qershor, kur do të korrë pasojat e këtij cirku të dobët që përpiqet ta shesë për projekt politik.

Rruga Press

YouTube player