Art & Kulturë

Dua Lipa në ballinën e “Elle USA”, flet për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve

Pak ditë pas shfaqjes në ballinën e njërës prej revistave më prestigjioze në botë “Time”, Dua Lipa vjen sërish me një paraqitje tjetër në ballinë.

Këngëtarja e famshme botërore me prejardhje nga Kosova, është bërë së fundmi pjesë e ballinës të revistës së famshme “Elle” në SHBA.

“Elle” e cilëson Duan si mbretëreshë të pistës së kërcimit, në një tekst të gjatë ku vetë Dua flet për jetën dhe karrierën e saj.

Si në çdo paraqitje dhe intervistë tjetër, Dua nuk heziton ta përmend vendin e prejardhjes së saj, Kosovën.

“Hera e parë kur Dua Lipa shkoi në klub, ajo ishte vetëm një vajzë adoleshente në Kosovë”, është fjalia me të cilën “Elle” e nis rrëfimin për këngëtaren 28-vjeçare. 

Revista thekson se “ndejat” janë në traditën e familjes së Duas. Ajo ka treguar se si familjarisht janë njerëz që duan të kënaqen dhe të vallëzojnë sapo lëshohet muzika diku. 

“Por shumë kohë përpara se ajo të shkruante këngët feministe të elektro-pop-it që tani po shpërndahen me miliarda, familja e saj e njihte atë si Dua, vajza e tyre e madhe që u largua nga Kosova si adoleshente për të përmbushur ëndrrat e saj të yllit të pop-it e vetme në Londër”, shkruan Elle ndër të tjera. 

Revista ofron një prapavijë të suksesit global të Duas, duke përmendur luftën e fundit në Kosovë dhe emigrimin e prindërve të saj në Britani të Madhe. 

“E lindur në Londër në vitin 1995, Lipa është më e madhja e tre fëmijëve në një familje kosovaro-shqiptare. Prindërit e saj kërkuan strehim në Mbretëri të Bashkuar në vitin 1992, para se Dua të lindte, për shkak të paqëndrueshmërisë politike në Kosovë në atë kohë. Para emigrimit të tyre, babai i Dua-s, Dukagjini, këndoi dhe luante kitarë në një grup rock të quajtur Oda, dhe nëna e saj, Anesa, studionte për drejtësi. Familja Lipa u vendos në zonën Camden të Londrës dhe Dua u rrit duke folur shqip në shtëpi dhe anglisht në shkollë”, shkruan më tej “ Elle”.

Lexo më shumë  Simfonia e nëntë e Bethovenit shfaqet për publikun

Revista më tej thekson se si familja e Dua-s ishte kthyer për të jetuar në Kosovë në vitin 2006, derisa shteti ishte ende nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Elle thekson se gjatë adoleshencës së saj, Dua filloi të meditonte mbi historitë e tmerrshme të spastrimit etnik dhe krimeve të luftës të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës. 

“Kam dëgjuar histori nga miqtë [në Kosovë] që kanë humbur anëtarët e familjes. Shtëpitë e djegura. I pashë ata. Kur ke atë komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit që kanë kaluar [luftë], kjo hap një botë krejtësisht të re, dhe kjo ndodhi për mua. Ndihem shumë afër (atyre që vuajnë) padrejtësitë në botë, apo pabarazitë. Qoftë kjo luftë, apo të dalësh me familjen tënde, të gjithë kanë një përvojë të ndryshme… Ka të bëjë me mbështetjen dhe të mësuarit së bashku”, është shprehur Dua gjatë intervistës. 

Lipa ishte vetëm 15 vjeç kur u kthye në Londër e vetme për të nisur karrierën në muzikë. Ajo ishte zhvendosur në një banesë në Camden me një shoqe shqiptare, e cila po ndiqte universitetin. 

“U thashë prindërve të mi: ‘Nuk e di se si më lejuat ta bëj këtë. Por e dija që nuk i kisha të njëjtat mundësi që do të kisha në Kosovë. Isha kaq e vendosur. Mendoj se prindërit e mi panë pjesë të tyre tek unë dhe kjo i lejoi ata të ishin kaq zemërhapur dhe bujarë me atë besim”, ka deklaruar Dua. 

Lexo më shumë  Osmani i falënderon deputetët evropianë për mbështetjen ndaj Kosovës

“Elle” përmend edhe albumin më të ri të saj “Radical Optimism” i cili pritet të dalë në treg muajin ne ardhshëm, pas dy albumeve të para “Dua Lipa” dhe “Future Nostalgia”.

“I frymëzuar pjesërisht nga fryma e kërkimit të lirisë që mbështet kulturën e klubeve në Mbretërinë e Bashkuar, ‘Radical Optimism’ përputhet mjeshtërisht me ringjalljen e fundit të dy mbretëreshave që tronditën klubet në epokën Y2K: Kylie Minogue, e cila u rikthye fort vitin e kaluar me “Padam Padam ”, dhe sigurisht Sophie Ellis-Bextor, kënga e të cilës “Murder on the Dancefloor” e futi atë në Billboard Hot 100 për herë të parë ndonjëherë. Në ‘Radical Optimism’, Lipa bashkon instrumente të drejtpërdrejta dhe elektronike për të krijuar rrymën e saj globale. Rezultati është një rekord kozmopolit dance-pop me një dhunti të viteve 1970 dhe një afirmim të gjallë e kumbues të jetës”, shkruan Elle. 

Dua ka folur edhe për punën e saj intensive në vitet e fundit, që e kanë çuar drejt shumë sukseseve të mëdha në karrierën e saj.

Ajo ka kërkuar nga njerëzit që t’i lënë vend gëzimit duke shtuar se nëse nuk ke kaluar asgjë në përpjekje për të qenë i lumtur, atëherë nuk ke bërë asgjë. 

“Kam qenë e zënë për gati 10 vjet. Çdo ditë, kam pasur disa punë për të bërë. Por njerëzit do të thonë diçka gjithsesi. Njerëzit thonë shumë gjëra të këqija për shumë njerëz. Duhet t’i lini vend gëzimit.

Bota mund të digjet, por në dreq…nëse nuk ke kaluar asgjë nga jeta jote duke u përpjekur të jesh i lumtur, nuk e di se çfarë ke bërë”, është shprehur këngëtarja.

YouTube player