Opinion/Aktualitet

Drejtësia është strumbullari i të gjithë politikës dhe shoqërisë dhe jo vetëm i një nënsistemi të saj

Nga Pavjo Gjini

S’ka mëdyshje që gjyqësori duhet me qenë i paanshëm ndaj palëve në konflikt, i pavarur nga ekzekutivi (i vendit tonë, por edhe i aleatëve tanë) dhe efikas (që të mos jetë më efikase me i zgjidh privatisht konfliktet), ama me e reduktue të gjithë drejtësinë te gjyqësori është jo vetëm hap jo legjitim, por edhe reduktues i konceptit të drejtësisë. Asnjë manual liberal i ndarjes së pushteteve nuk thotë që drejtësia është ekskluzivitet i gjyqësorit. Një shoqëri që i rrit dhe i kufizon kaq shumë pritshmëritë për drejtësi te gjyqësori do të mbetet e zhgënjyer dhe do të mbrujë gjithnjë e më shumë pezëm (ana e nëntëshme e drejtësisë së marrë si sinonim i gjykimit e ndëshkimit) nëse kjo dëshirë e saj do t’i plotësohej. Nëse dëshira do t’i plotësohej, atëherë shoqëria do të ndërgjegjësohej se nje gjyqësor i paanshëm nuk mundet veç vetë me realizue një shoqëri të drejtë. Drejtësia është strumbullari i të gjithë politikës dhe shoqërisë dhe jo vetëm i një nënsistemi të saj, qoftë ky gjyqësori, ekzekutivi, apo ndonjë tjetër i marrë veçmas; drejtësia dhe shoqëria janë më të mëdha dhe njëkohësisht më të imta sesa cilido nënsistem i tyre. T’ia lësh të gjithë drejtësinë në dorë gjyqësorit nënkupton, përshembull, se nuk ka si të shtrohet çështja për një ekonomi të drejtë dhe jo vetëm për një ekonomi të lirë tregu, a thua se e drejtë është thjesht me ekzistue një ekonomi e lirë tregu dhe kaq. Reduktimi i drejtësisë (fushës së mosmarrveshjeve politike shoqërore) vetëm te një nënsistem, si ai gjyqësor, më shumë reflekton ndrydhjen në shtrimin e çështjes së drejtësisë edhe në nënsisteme të tjera të shoqërisë, si përshembull te ekonomia, sesa përmbushjen e saj. Aty ku nuk shtrohet çështja e drejtësisë nënkupton se gjendja e atyre sferave është mizore.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *